Shqiptaro-amerikanët, letër Trumpit për marrëdhëniet me aleatët


Një grup përfaqësuesish të shqiptarëve të Amerikës i shprehën përmes një letre Donald Trumpit shqetësimin e tyre rreth një përkeqësimi të mundshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe aleatëve europianë.

E nënshkruar nga anëtari i Këshillit të qytetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, dhe përfaqësues të 10 organizatave shqiptaro-amerikane, letra i referohet komenteve të bëra nga Trump në Fox News.

Në këtë kanal televiziv, shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri në pikëpyetje nëse SHBA-ja do t’i përmbahej nenit të 5-të të Traktatit të NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellët, ku përmenden edhe Mali i Zi dhe Shqipëria.

Në letër thuhet se përgjigja e kreut të administratës amerikane në atë intervistë dëshmon një moskuptim thelbësor të historisë së rajonit dhe të rolit te paçmueshëm të Amerikës në ruajtjen e paqes.

“Nëse flet me një shqiptar, në Amerikë apo jashtë saj, – theksohet në letër, – do të vesh re një ndjenjë të thellë dashurie dhe respekti për Shtetet e Bashkuara dhe kuptimin që ka patur roli i tyre si udhëheqëse e botës së lirë. Marrëveshja për mbrojtjen kolektive ka bërë që bota të mos gjendet në prag të një lufte tjetër botërore.”

Grupi shpreh keqardhje që komentet për NATO-n dhe për njerëzit “shumë agresivë” të Malit të Zi vendosin në pikëpyetje udhëheqjen morale të Amerikës./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button