Ideologët e kosovarizmës përçarëse, që duan të godasin thelbin e kombit shqiptar!

Marrë nga profili personal i Donik Sallovës

U ndjeva keq duke e parë prof. Mentor Aganin, studiuesin më të mirë shqiptar të teorive të nacionalizmit, në një debat në Klan Kosova, që drejtohej nga dy gazetarë analfabetë dhe kishte mysafirë edhe tre analfabetë të tjerë: dy që mbronin ekzistencën e kombit kosovar, Matoshi & Spahiu dhe një tjetër që mbronte mendimin se nuk ka komb kosovar.

As ky “shqiptari” nuk i bëri fort nderë kombit shqiptar. Matoshi & Spahiu, dy etrit e idesë serbofile të kombit kosovar, të specializuar në zhurmim dhe gumëzhitje televizive, edhe për shkak të paaftësisë për artikulim gjuhësor shqip, dmth as gegnisht, arritën disi ta formulojnë pohimin se quhesh kombas kosovar sepse ke shtetësi të Kosovës, pra ke pasaportë kosovare!

Loading...

Këtej, meqë shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasaportë të Republikës së Shqipërisë, nuk kanë kombësi shqiptare, por janë kombas kosovar! Kështu, p.sh. i bie që të gjithë shtetasit britanikë dhe ata që kanë pasaportë britanike janë kombas britanik, edhe anglezët, edhe skocezët, edhe uellsianët, edhe irlandezo-veriorët, të katër këto kombe të shtetit britanik që e kanë gjuhën, historinë, kulturën…, madje edhe perfaqësueset e tyre të veçanta kombëtare në futboll (meqë “këta” Fadil Vokrrin na e shpallën heroin e parë të kombit kosovar!) !

-Por, këta manipulues mediatikë, që turp për kryeministrin tonë “epik” që njërin prej tyre e ka për këshilltar, po të kenë parë ndonjë herë pasaportë britanike, tek rubrika “nationality”, të gjithë britanikëve u shkruan “british citizen”, pra shtetas britanik dhe jo vetem “british” si kombas britanik.

Sikurse, po të shohësh pasaportën e shtetasve të Zelandës së Re, tek rubrika “nationality” u shkruan “New Zealand”, si kuptim i përkatësisë shtetërore për banorët e këtij shteti të cilët më së shumti janë anglezë, por edhe përkatësi të tjera kombëtare, kryesisht evropiane. Edhe shtetasve të dy Koreve, asaj veriore dhe asaj jugore, në pasaporta, tek rubrika “nationality” iu shkruan vetëm emri i shtetit, “Democratic People’s Republic of Korea” verioreve dhe “Republic of Korea” jugoreve, si dëshmi e përkatësisë shtetërore që asnjëherë nuk vë në diskutim përkatësinë e përbashkët kombëtare të koreanëve të ndarë nga regjimet shtetëroro-politike.

-Sipas kosovaristëve me axhendë, shqiptarët e Kosovës kanë fituar atribute kombëtare, pra janë bërë kombas kosovarë, vetëm pasi kanë ndërtuar shtetin e Kosovës, dhe se kur ishin nën Jugosllavi ishin pakicë etnike. Ky degradim i vetëdijes historike politike të shqiptarëve të Kosovës i ulë ata edhe më poshtë se ç’i degradonte Jugisllavia/Serbia, e cila shqiptarët i kategorizonte si “kombësi” (pakicë kombëtare) që s’kishte të drejtën ta kishte shtetin-republikën e vet sovrane në Jugosllavi, jo pse nuk i konsideronte komb, por meqë shqiptarët e kishin shtetin e tyre kombëtar, Shqipërinë, dhe kjo jo pse binte ndesh me teorinë, por sepse nuk i shkonte për shtati Serbisë.

Pikërisht për këtë arsye u rrebeluan e luftuan shqiptarët në Jugosllavi/Serbi, për sovranizimin kombëtar shqiptar të Kosovës si shtet të kombit shqiptar, si Republikë e pavarur sot a si Republikë në shtetin e bashkuar shqiptar nesër.

-Se kombi kosovar është projekt i hershëm serb për deshqiptarizimin identitar e historik të Kosovës, dëshmohet edhe nga pohimi që dy “zhurmologët kosovarë” e bënë kur renditën tiparet të cilat të bëjnë të jesh “kombas shqiptar” dhe “kombas kosovar”.

Përveç përkatësisë shtetërore si dallesë (Shqipëri, Kosovë) që në ilustrimet e mësipërme tregon injorancën e pohimit, elementi tjetër ishte përkatësia fetare: shqiptarët e Shqipërisë si kombas i karakterison feja ortodokse, katolike, islame dhe bektashiane!

Ndërkaq, shqiptarët e Kosovës si “kombas kosovar” i karakterizon feja islame dhe katolike, duke mbrojtur propagandën serbomadhe të Kishës Ortodokse Serbe se të gjithë ortodoksët në vilajetin e Kosovës ishin serbë, parullë dhe politikë që ka asimiluar në serbëme mijëra shqiptarë ortodoksë pas rënies së P. Osmane dhe ka përvetësuar kisha e manastire ortodokse shqiptare të Kosovës për të cilat sot po detyrohemi t’i japin autonomi Serbisë në Kosovë, apo mijëra shqiptarë ortodoksë që jetojnë në Maqedoni e sot konsiderohen sllavo-maqedon, pikërisht për shkak të politikës së identifikimit të shqiptarëve të feve të ndryshme me kishat përkatëse kombëtare të shteteve fqinje me ambicje shoveniste.

-Pra, këta ideologë të kosovarizmës përçarëse, duan të godasin thelbin e shqiptarizmës dhe kombit shqiptar, që fenë nuk e konsideron element përcaktues idenitar kombëtar. Kur ka thënë Pashko Vasa, “feja e shqiptarit është shqiptaria”, ai nuk synoi të themelonte një fe të re, por një komb shqiptar, ku shqiptari mund ta kishte cilëndo fe, e ku feja nuk ta përcaktonte sa shqiptar je. Prandaj, altari ynë kombëtar ka shqiptarë katolikë e ortodoksë, muslimanë suni e bektashi, që derdhen gjakun për komb e liri.

Pikërisht këtu është synimi i kosovaristëve, synimi i moçëm antishqiptar i Serbisë, përçarja e shqiptarëve mbi baza fetare, si goditje në shtyllën kurrizore të kombit tonë shqiptar.

Vetëm gazetaria e analfabetëve e bënë temë mes shqiptarësh këtë doktrinë serbe (kombin kosovar) dhe e vë Mentor Aganin në panel me sharlatanë recidivistë në historinë e tragjedisë sonë kombëtare!/ZgjohuShqiptar.info

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button