Puna e shqiptarëve me produktivitet të ulët, 40% të kualifikuar kanë ikur jashtë

Niveli i produktivitetit të punës në Shqipëri është më i ulët se në çdo vend tjetër të Europës Lindore, konstaton Banka Botërore në një studim të posaçëm për aftësitë në punë.Banka Botërore e ka matur produktivitetin e punës nëpërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për punëtor dhe ka deklaruar se në vitin 2016, në Shqipëri ishte 31.000 dollarë, në SHBA 60.000 mijë dollarë për punëtor, në Lituani 57.000 dollarë dhe në Estoni e Rumani 48.000 mijë dollarë.Ekspertët e Bankës lajmërojnë se produktiviteti është nën një kërcënim të mëtejshëm, pasi popullsia e Shqipërisë po plaket dhe duke qenë situata e tillë, në afat të mesëm dhe të gjatë do të ushtrojë presion mbi rritjen e produktivitetit.Profili demografik i Shqipërisë është disi më i ri se ai i pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, pasi popullsia nën moshën 30 vjeç përbën 41% të popullsisë së përgjithshme, krahasuar me 36% të vendeve fqinje. Megjithatë, mosha mesatare po rritet. Ndërmjet viteve 1980 dhe 2015, pjesa e popullsisë nën 30 vjeç ra, ndërsa pjesa e popullsisë mbi 30 vjeç u rrit.Ekspertët e Bankës Botërore vënë në dukje se, migrimi jashtë vendit është bërë një strategji e rëndësishme për punësimin, por kjo mund të ndikojë negativisht në rritjen e produktivitetit në Shqipëri në afat të gjatë.Ikjet e mëdha jashtë vendit nënkuptojnë se një pjesë e fuqisë produktive të punës është larguar.Banka Botërore evidenton se numri i emigrantëve shqiptarë u rrit më shumë se trefish gjatë dekadave të fundit: nga 0.2 milionë në vitin 1990 në 1.05 milionë në vitin 2017, duke përfaqësuar pothuajse 40 përqind të popullsisë rezidente (Statistikat e OKB-së 2018). Kjo shifër është më e larta në Ballkanin Perëndimor, pas Bosnjë dhe Hercegovinës.Shqipëria përjetoi ikje të konsiderueshme të punonjësve të kualifikuar (rreth 40% e fuqisë punëtore e arsimuar ka emigruar në vendet e OECD deri në vitin 2010) dhe paralelisht Shqipëria pati rritje të ulët të pagave.Por emigrantët e kualifikuar nuk mund të zëvendësohen lehtë nga punëtorët e mbetur. Përveç kësaj, edhe pse remitancat kontribuojnë në reduktimin e varfërisë, ato mund të dekurajojnë dëshirën për të punuar.Një rikthim i mundshëm i emigrantëve mund të ndikojë në transferimin e njohurive dhe kapitalit njerëzor të fituar jashtë. Gjithashtu investimet financiare në diasporë mund të gjenerojnë përfitime ekonomike dhe rritje të produktivitetit, thekson Banka Botërore./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button