Artan Shkreli: Dëshmitë e pakontestueshme për nënën e Gjergj Kastriotit, dibranen Vojsava Tribalda

Rubrika: Kur flasin profesionistët duhet të heshtin sharlatanët

Përpiqen të argumentojnë, e s’ja gjej dot arësyen e arësyes, por nuk mbërrijnë të nxjerrin askund se Vojsava Kastrioti ishte sllave (madje shkojnë deri aty sa në emër të neo-internacionalizmit ballkanik të deklarojnë se ishte serbe).

Loading...

Jepen si argument emrat ortodokse (jo etnikë: që mund ti ketë kushdo serb, arbër, grek a bullgar) kundrejt atyre arbërorë (etnikë: si Ghin, Ghon, Deda, etj. që normal janë shumë të paktë) dhe luajnë pa kokëçarje me një marifet të tillë fëminor.

Barleti nuk thotë askund e në asnjë rresht se Vojsava është sllave; thjesht është i pari që e zë n’gojë si të bijën e princit të Tribalëve… kaq.

Më pas është Gjon Muzaka i cili e përmend i pari me emër e mbiemër si Vojsava Tribalda, e cila vinte nga një derë e fisme, por pa ndaluar në përkatësinë etnike të saj, sikurse dhe Barleti, pasi edhe për të nuk paraqiste ndonjë veçanti.

E ndërkaq, është po Muzaka që në “Kronikën” e tij, kur flet për Vrana Kontin, i cili kishte gjak Muzakajsh nga e ëma, e quan atë markez të Tribaldëve; të një gjindjeje pra minimalisht me përzierje të fortë arbërorësh.

E sikur kaq të mos mjaftonte, G. Von Hahn në “Studimet” e tij, në dijeni të shtesës gjenealogjike të Kostandin Muzakës, i mëshon faktit se Vojsava, bijë e fisnikut Monçini e zot i Pollogut, është me gjak nga të Muzakajve – gjë që mbështetet edhe nga Babingeri.

Historitë dhe historianët e mëpasshëm, nën frymën e ndihmës që u jepeshin popujve sllave për shkëputje nga Perandoria Osmane, ushqyen idetë pansllaviste, por pa filtrin e nevojshëm kritik, e ndofta pa dashje, në kurriz të një populli që ende nuk e konsideronte kush, kur dihet se zotërinjtë sllavë u zhdukën si kripa në ujë nga territoret arbërore pas vdekjes së S. Dushanit. Në rrëmujën që pasoi, dinamika e Gropajve, Muzakajve, Aranitëve etj në atë zonë, është sot vështirësisht e ndjekshme, sikundër edhe ajo e vijimësisë aty të pushteteve të Brankoviçëve apo bujarëve bullgarë (fundi i shek XIV).

Sa i takon tribalëve, fisit të lashtë ilir, pa u futur në hollësirat e periudhës greko-romake, ata vijojnë në Mesjetë të përmenden nga Stefan Bizantini ende si “ilire” (shek VI e.s.); dmth pak para vendosjes së sllavëve në territoret e Ballkanit jug-perëndimor.

Si në shek VI të Stefanit, në atë të XIV të Monçinit dhe sot në shek. XXI tonin, çka mbetet, është fakti se Pollogu, banuar vijimisht nga arbërorët, e herë nga përzierje arbano-sllave, u ka lënë trashëgim shqiptarëve kujtimin e një gruaje të hirshme: dibranen Vojsava Tribalda-Kastriotin. Nëse këtë e mëtojnë edhe sllavët (bullgarë, serbë e boshnjakë), për shkak të mungesës së burimeve absolute mbi etnicitetin e saj, janë të lirë ta bëjnë e ta ribëjnë, por nuk besoj se u duhet ndihma jonë për këtë.

P.S. – Sa i takon O. Schmidt, dihet se ai nuk sjell asgjë origjinale, përveçse përsërit tezat e serbit B. Petrovski.

P.P.S. – Në gravurë, Vojsava shtatzanë me Gjergjin – nga J. Breu II, 1533, Gjermani./ZgjohuShqiptar.info

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button