Qyteti i gurtë në një këndvështrim të panjohur

, Qyteti i gurtë në një këndvështrim të panjohur
Prejardhja e emrit të Gjirokastrës ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike. Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj për të mos rënë e gjallë në duart e armikut. Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë”.  (Por kjo duket e pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman). Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, argyrokastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.  Versioni i katërt lidhet sërish me kështjellën që mendohet të jetë nisur së ndërtuari nga prijësi shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha emrin qytetit, Gjino-kastër.
, Qyteti i gurtë në një këndvështrim të panjohur
Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë (bërthama e parë e vendbanimit) dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër.
Zgjerimet e kështjellës janë bërë nga Ali Pashë Tepelena, dhe nga qeveria e Zogut, e cila me pas e konvertoi pjesën veriore të kalasë në burg.
Në Gjirokastër gjendet kalaja më e madhe e Shqipërisë. Aty mund të vizitoni Muzeun e Armëve, i cili gjendet brenda në kala, Muzeun Etnografik, i cili gjendet në shtëpinë ku ka lindur ish-diktatori komunist Enver Hoxha si dhe muzeun e ri në shtëpinë e shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
Në peizazhin gri, mbi të gjitha, shquhet kalaja e lashtë dhe bedenat, shtatë penxheret, Duglla, e cila nga Sheshi i Çerçizit, ngrihet lartë, drejt qiellit. Gjirokastra nuk do të kidhye kuptim apo shkëlqim pa kalanë e saj, që e parë nga shumë këndvështrime i ngjan një vapori në udhëtim.
Gjirokastra ishte një qendër e rëndësishme administrative e shekullit XIX, e populluar nga pronarë tokash që u kishte xhepi të ndërtonin shtëpi-kulla madhështore të fortifikuara. Qyteti ka mbi 500 ndërtesa historike.
Ajo ç’ka e bënë Gjirokastrën goxha të njohur janë vlerat arkitekturale të ndërtimit të shtëpive me gurë, çative me dërrasë dhe kalldrëmeve. Aty mund të vizitoni qendrën historike, pazarin unikal, kalldrëmet e tij karakteristike, kështjellen madhështore. Ku përveç se mund të vizitoni “Muzeun e Armeve” do mund edhe t’ju ofrohet një pamje spektakolare nga lart. Në Gjirokastër gjithashtu ju mund të vizitoni muzeun Etnografik, banesat karateristike te Zekatëve, Kadarejve, Çabejve etj.
, Qyteti i gurtë në një këndvështrim të panjohur
Ne Vitin 1961 shteti shqiptar e shpall “qytet muze”.Ne Gjirokastër mund te vizitoni Muzeun Kombëtar te Armeve, Muzeun Etnografik e një sere banesash karakteristike si Zekatet, Skendulatet, Babametot, Angonatet, Dulajt etj. Gjirokastra është qyteti i festivale folklorike kombëtare prej vitit 1968. Në kështjellë mblidhen çdo katër vjet grupe shqiptare popullore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia dhe treva ku flitet shqip.
Ka marrë zhvillim të madh pas viteve 90. Shumë te huaj vizitojnë Gjirokastrën për vlerat arkitekturale te ndërtimit të shtëpive me gur e çative me dërrasa.
Ne Luginën e Drinos gjenden disa site arkeologjike ku me te rëndësishmit janë “Antigonea”, rreth 14 km nga Gjirokastra dhe siti romak i Adrianopolit shek.II ps.k. ne afërsi te fshatit Sofratike. Mbresëlënëse dhe me vlera historike e arkitektonike janë edhe Kishat paleokristiane te Shën Marise Labove dhe Peshkepi.
Për te apasionuarit e natyrës me shume vlera jane Parqet natyrore si Viroit, Sotires, Ujit te Ftohte Tepelenë, Hotova, Pllaja e Cajupit (1200 m), Ujrat Ternale te Benjes (Permet) si dhe kanionet e Lumit te Suhes Zagorise dhe Vjoses.
Rrethi i Gjirokastrës  gjithashtu karakterizohet nga një pasuri e madhe kostumesh, traditash muzikore dhe zakonesh popullore. Rrethi është i famshëm për përpunimin e drurit dhe të gurit, për prodhimet blegtorale dhe rakinë.
Gratë shqiptare janë të njohura për aftësitë që kanë për punimet e dorës, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Kostumet lokale janë tradicionalisht të zbukuruar me qëndisma të komplikuara. Po ashtu prodhohen në mënyrë artizanale qilima e velenxa, triko, çorape e doreza që prodhohen me lesh natyral lokal. Të famshme në të gjithë vendin janë dantellat e Gjirokastrës; po ashtu punime me grep dhe qëndismat. Burrat përpunojnë drurin dhe gurin.
, Qyteti i gurtë në një këndvështrim të panjohur
Veshjet tradicionale popullore të grave ishin të pasura me qëndisma që zbukuroheshin me fije metalesh të çmuara; ato të Lunxhërisë dhe të Dropullit mbahen nga më të bukurat. Kostumet tradicionale të burrave përfshijnë poture të bardha leshi, të gjëra në bel që përfundojnë të ngushta tek këmbët dhe shoqërohen me dollakë tek pulpat ose fustanellat e bardhë me pala, të shoqëruara me jelek dhe opinga me xhufka. Në kokë mbahej një kapllak i gjatë i zi, prodhuar me lesh qengji ose një qeleshe prej shajaku me majë.
Muzika tradicionale polifonike shqiptare mund të ndahet ne dy grupe të mëdha stilistike: ajo e luajtur nga gegët e Shqipërisë së veriut dhe ajo e toskëve dhe Labërisë në pjesën jugore të vendit. Termi iso lidhet me ison e muzikës kishtare bizantine dhe i referohet sfondit zanor mbështetës koral, që shoqëron këngët polifonike. Ky sfond krijohet në dy mënyra: duke kënduar në mënyrë të vazhdueshme me zanoren “e” përmes frymëmarrjes së valëzuar ose duke u kënduar me ton ritmik, sipas tekstit të këngës.  E interpretuar më shumë nga burrat, muzika tradicionalisht shoqëronte një varg të gjatë ngjarjesh shoqërore e familjare si dasmat, funeralet, festat e korrjes, festimet fetare dhe festivalet siç është i mirënjohur festivali folklorik kombëtar i Gjirokastrës. Muzika iso-polifonike shqiptare është njohur më 2005 nga UNESCO si “trashëgimi kulturore e paprekshme.”

M.H/ Dita/ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button