Rexhep Selimi: Flamuri i Kosovës është i imponuar me dhunë, s’duhet pranuar

, Rexhep Selimi: Flamuri i Kosovës është i imponuar me dhunë, s’duhet pranuar

Në të njëjtën ditën kur Shpend Ahmeti e pranoi se do të punojë në Komunën e Prishtinës pa e hequr flamurin e Kosovës – ka folur edhe Rexhep Selimi. Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se flamuri i Kosovës është i vendosur me dhunë dhe askush s’duhet t’i nënshtrohet dhunës. Por, çka bëri Nënkryetari i Vetëvendosjes?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë të premten se flamuri i Kosovës është imponuar dhe si i tillë është i papranueshëm për te.

Në një debat në televiziv, Selimi ka thënë se s’ka kompromis me flamur.

“Të gjithë e pranojnë se ky flamur është imponuar. Imponimi është dhunë. Unë jam i bindur të mos i bindem dhunës. Unë jam njëri prej njerëzve prej këtij kombi që nuk jam i prirët’i bindem dhunës deri në atë shkallë..”, ka thënë Selimi, në një debat në emisionin “Rendez Vous” të RTV21.

Por, dikush i Vetëvendosjes i është nënshtruar “dhunës” dhe ka pranuar të punojë në vendin ku është i vendosur flamuri i Kosovës dhe simbolet tjera të shtetit të dytë të Shqiptarëve.

Nënkryetari i VV’së, Shpend Ahmeti, Kryetar i ri i Prishtinës ka thënë se do të punojë në Kryeqytet dhe nuk do t’i largojë simbolet shtetërore.

“Ani pse edhe tani flamuri kombëtar është në Komunën e Prishtinës, megjithatë stema dhe gjërat e tilla do të mbesin, për shkak se ato i rregullon niveli qendror. Një gjë e tillë i mbetet Kuvendit të Kosovës. Do të vazhdojmë t’i përdorim simbolet që janë edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti, për Epokën e Re, të premten.

Sidoqoftë, Rexhep Selimi i VV’së ka thënë se s’duhet të ketë kompromis me dhunën dhe as me simbolet e identitetin kombëtar të shqiptarëve.

“Kompromis në dëm të identitetit nuk do të ketë kurrë”, ka shtuar ai.

Selimi ka ofruar një zgjidhje për të rilegjitimuar flamurin e Kosovës.

“Nëse doni të dini se i kujt është ky flamur, pyetni këta njerëz. Dilni në referendum, a thiremi në demokraci? Po. Referendumi është shkalla më e lartë e demokracisë, pyetni këta njerëz çfarë flamuri donë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button