A do të ndikojë kriza turke në Shqipëri? Ja parashikimi i Bankës Botërore

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me lidhjet më të forta ekonomike me Turqinë nga rajoni i Ballkanit, por kriza që ka goditur këtë vend ka pak gjasa të infektojë ekonomitë tona, vlerëson Banka Botërore.

Lidhjet ekonomike të vendeve të Ballkanit me Turqinë janë të jo të pakta dhe Shqipëria e Kosova janë vendet me prani më të lartë të kapitalit turk, por pavarësisht kësaj, Banka Botërore sheh rrezik të ulët infektimi të vendeve të rajonit nga kriza që ka mbërthyer Turqinë.

Loading...

BB e bëri vlerësimin e saj mbi ndikimin e krizës turke në raportin e vet të fundit mbi ecurinë e ekonomisë të vendeve të rajonit. Raporti vëren se eksportet turke zënë një peshë të konsiderueshme në ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës në krahasim me vendet e tjera ndërsa importet turke janë më të rëndësishme për Malin e Zi dhe Bosnjën.

Nga ana tjetër, kapitali turk kontrollon një pjesë thelbësore të tregjeve bankare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Turqia ka përjetuar luhatshmëri të fortë të tregut dhe stres ekonomik gjatë muajve të fundit, pjesërisht si pasojë e rritjes tepër të shpejtë të ekonomisë përgjatë viteve të fundit dhe kryesisht për shkak të ndryshimeve të ndodhura në institucionet ekonomike të vendit, fuqizimit të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe pikëpyetjeve mbi pavarësinë politike të bankës qendrore të Turqisë. Kriza turke është pasqyruar më dukshëm në rënien e shpejtë të vlerës së monedhës kombëtare lira kundrejt dollarit apo euros, krahas nivelit të lartë të inflacionit, rreth 18% në gusht të këtij viti.

Mali i Zi realizon rreth 6% të totalit të eksporteve të veta në Turqi dhe është vendi me peshën më të lartë të eksporteve drejt Turqisë. Shqipëria është në fund të tabelës pasi eksportet shqiptare drejt Turqisë zënë vetëm 0.8% të totalit të eksporteve. Supozohet se një krizë në Turqi mund të sjellë pakësimin e eksporteve të Ballkanit drejt këtij vendi. Duke qenë se eksportet shqiptare drejt Turqisë janë me peshë të ulët, rreziku për pasoja nga kriza turke konsiderohet gjithashtu i ulët.

Nga ana tjetër, kapitali turk kontrollon bankën më të madhe në Shqipëri e cila ka 27.9% të aseteve të sektorit bankar ndërsa në Kosovë ka tre banka me kapital turk të cilat bashkërisht kanë 22% të aseteve. BB nuk disponon të dhëna nëse ndonjë nga këto banka është e ekspozuar nga kredi që mund të preken nga zhvlerësimi i lirës turke, por thekson faktin që këto banka i nënshtrohen kuadrit rregullator vendës dhe rrjedhimisht kriza turke nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë.

“Megjithëse prania e lartë e bankave turke në Shqipëri dhe Kosovë është një rrezik shtesë, këto [banka] operojnë si entitete ligjore më vete dhe janë subjekt i monitorimit dhe kontrollit kombëtar,” thotë BB.

Sipas raportit, dëmi më i madh mbi ekonomitë e Ballkanit mund të krijohet nga ngurrimi i investitorëve për të investuar në tregjet në zhvillim në tërësi.

Vendet e rajonit vlerësohet se mund të kenë gjithashtu disa pasoja nga vendosja e tarifave tregtare nga SHBA ndaj vendeve Europiane por këtu në rrezik janë eksportet e pjesëve të këmbimit të makinave nga Serbia apo eksportet e karrigeve të autobuzëve nga Maqedonia./ZgjohuShqiptar.info

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button