Rivarrosen 578 ushtarë grek në manastirin e Këlcyrës

Rivarrimi i eshtrave të ushtarëve grekë të zhvendosur nga parcela në fushën e fshatit Dragot në Tepelenë tek manastiri në grykën e Këlcyrës, është organizuar nën masa të forta sigurie dhe pa prezencën e medias.

Ka qenë kjo kërkesë e bërë nga ana e palës greke. Thirrja e organizatave nacionaliste dhe patriotike shqiptare për t’u tubuar në manastirin e Këlcyrës duke ndaluar këtë proces, kishte vënë në alarm jo vetëm autoritetet greke, por edhe ato shqiptare, pasi kishin përqëndruar forca të shumta policore në zonën rreth e rrotull varrezave ku prehen eshtrat e 700 ushtarëve grekë të rënë gjatë konfliktit italo-grek në Luftën e Dytë Botërore.

Por alarmi ishte i kotë pasi asnjë këmbë patrioti, parrulla apo flamuj me simbole kombëtare shqiptare, nuk u pa në vendin ku po zhvillohej ceremonia. Kanë qenë gati 578 kuti metalike të mbushura me eshtra të ushtarëve grekë, të cilat janë vendosur në varrezat murale dhe ato tokësore në Manastirin e Këlcyrës.

Ato janë transportuar nën masa të forta sigurie nga fusha e Dragotit ku ishin grumbulluar dhe fillimisht janë depozituar në oborrin e manastirit ortodoks të mbuluara me flamurin grek.

Funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, ambasadorja greke Elenis Surani, kreu i PBDNJ Vangjel Dule, kanë qenë autoritetet më të larta përfaqësuese në ceremoninë e organizuar sot duke shmangur njëkohësisht kontaktin edhe me mediat arsyet e të cilës ngelen ende të paqarta.

Ndërkaq mësohet se puna në parcelën e fushës së Dragotit ka përfunduar dhe ekspedita e zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve grekë, do të vazhdojë në fshatin Kosinë afër Përmetit, ku sipas komisionit dypalësh, rezultojnë të groposura dhjetëra eshtra që i përkasin ushtarëve grekë të rënë në një prej betejave me ushtrinë italianë në vitin 1940./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button