Greqia i trembet hetimit të thellë të ngjarjes në Bularat

, Greqia i trembet hetimit të thellë të ngjarjes në Bularat

Ilirjan Cukaj

Hetim te përbashkët..! Pse…!? Për të vërtetuar implikimin dhe përgatitjen e tij si paramilitar në shtetin grek, për uniformën e ushtrisë greke që përfaqësonte, për llojin e armatimit dhe kush e pajisi me armë, për rolin që ka në organizatat ekstremiste dhe kush e frymëzoi, kush fshihet pas tij dhe çfarë qëllimi kishte, si dhe të tjerë që prisnin në prapavijë zhvillimin e ngjarjeve, por meqenëse skenari nuk shkoi sipas parashikimit të tyre, u tërhoqën nga prezenca e RENEA-s, ku ishte përgatitur skenari dhe nga cilat qarqe dhe një varg pyetjesh të tjera që do e implikonin dhe vinin para përgjegjësisë Greqinë.

Do ishte më mirë të mos dëgjohen, por të rrinë e të presin përfundimet e hetimit nga ekspertë të fushës të palës shqiptare e të dënojnë veprime të tilla me karakter ekstremist terrorist. Një përgjegjësi jo të vogël kane organet tona të kufirit që lejuan depërtimin e elementëve problematik e me tendenca shoviniste në Shqipëri, kjo do evitonte veprimet e tij që rrezikuan jetën e forcave shqiptare të sigurisë dhe njëkohësisht do të shmangte vetëflijimin e tij për tu shpallur “hero” i Greqisë. Ky “hero” pa heroizma, vetëm se çoi dëm jetën e tij të re, thjesht do përdoret nga politika si mjet spekulimesh e presionesh, ndërsa do harrohet shumë shpejt. Shqiptarët nuk janë agresorë dhe nuk mbahen për të tillë, këtë nuk e dëshmoj unë, por historia e këtij vendi që është cunguar nga pushtimet dhe grabitja e trojeve nga të tjerët ( edhe Greqia ka kafshuar një kafshatë të madhe nga këto troje shqiptare).

Ne si shqiptarë nuk duam viktima dhe as gëzohemi kur ndodhin të tilla raste, por përkundrejt kësaj dashamirësie, Greqia shfrytëzon rastin për te ndezur kokat e nxehta ekstremiste. Natyrshëm lind një pyetje: – A i ka të skeduar Greqia këta individë e grupe individësh me prirje të tilla ekstremiste dhe a mund të bëjë më shumë shteti grek për të parandaluar akte te tilla..!? Sigurisht që po, por mungon vullneti, qëllimisht ata mbyllin njërin sy e njërin vesh, kur vjen fjala për Shqipërinë dhe a e dini pse..!? Greqisë i intereson që të krijoje vatra të nxehta në Shqiperi, të krijojë turbullira me qëllim që të ndërhyjë e të motivojë ndërhyrjen e saj në punët tona, për të siguruar prezencën dhe diktatin e saj në çdo aspekt. Doni shembuj? Po ju a them: – Përse mbahet ligji i luftës..!? – Përse ndërtohen këto varreza në gjithë Shqipërinë e Jugut!? – Perse ju duhen akoma ca km det nga Shqipëria..!? – Po kërkesat e pafundme në lidhje me korrigjimin e historisë, të toponimeve e teksteve për të hequr nga emrin Çamëri!? Të gjitha kanë një qëllim. Do të përdoren si mjet presioni, përfitimi e diktati ndaj nesh që të heqim dore ose të minimizojmë kërkesat tona të drejta.

Një dredhi e vjetër dhe e njohur e filozofisë Greke: “Kërko gjithçka dhe jep sa më pak. Çështja Çame e të tjera Çështje Shqiptare, nuk kanë për të gjetur zgjidhje asnjëherë me shtetin grek, kjo për faktin se ata nuk duan të japin, por vetëm të përfitojnë. Kështu ka qenë, kështu është dhe i tillë do të mbetet qëndrimi grek në të ardhmen në raport me Shqipërinë. Të gjithë e dimë, ca nuk e pranojnë dhe pak të tjerë e thonë. Jeni apo nuk jeni dakord, unë mbetem konstant në këtë analizë. Kujt i duhej vdekja e tij, per çfarë kauze u vetëflijua dhe kujt i shërbeu? Fundamentalizmi ekstrem dhe radikalizmi nacionalist, janë plagë të vjetra dhe herë pas herë ringjallen ne Ballkan, bazamenti ku këto rryma e dukuri mbështeten, janë pa dyshim ndasitë fetare.

Nëse do hedhim një vështrim të shkurtër historik në aspektin fetar, do të konstatojmë lehtësisht se kemi të bëjmë me dy tablo e dy qëndrime të ndryshme në hapësirën shqiptare dhe greke. Ndërsa shqiptarët në shekuj kanë bashkëjetuar në harmoni, pa konflikte me komunitetet e tjera fetare dhe kanë treguar që janë një shtet laik, Greqi në politikën e vet zyrtare nuk njeh nacionalitet dhe nuk lejon ngritjen e institucioneve fetare të besimit të tyre. Qëndrime të tilla konservatore e megalomane për të krijuar idenë e një shteti homogjen grek brenda kufijve të saj, është jo demokratike, sektare dhe raciste. Jo rrallë herë Greqia është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për mosrespektim të lirive e të drejtave të njeriut në lidhje me pakicat.

Pavarësisht statistikave zyrtare që jep raporti vjetor i institutit të tyre mbi popullsinë, fakti është se në Greqi jetojnë mjaft komunitete të tjera si, shqiptarë, bullgarë, maqedonas, turq, etj. dhe po te kemi parasysh dyndjet e fundit të pas viteve ‘90, numri i tyre është në rritje dhe madje edhe nga vendet e tjera myslimane e Lindja e Mesme. Çfarë politike do ndjekë Greqia me këta emigrantë lidhur me ushtrimin e të drejtës së tyre të besimit, ndërkohë qe ajo nuk njeh përkatësi të tjera fetare veç atë të besimit ortodoks? Perspektiva është globalizimi, prandaj kush vihet kundër rrjedhës, mbetet pas, ndërsa bota ecën e zhvillohet! Nga ana tjetër, elementët ekstremistë, racistë dhe neofashistë që i gjen në Greqi si organizatë politike dhe deri në parlament, rasti i “Agimit te artë”, do jene gjithmonë një rrezik real dhe mjet presioni ndaj politikes greke dhe revanshiste në raport me Shqipërinë. Këto grupime janë dhe do mbeten një ogur i keq në mos vendosjen e besimit reciprok dhe të krijimit të një klime miqësore midis dy vendeve tona.

Varrezat e ekzagjëruara (nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike dhe e numrit të të rënëve) si dhe përfitime të tjera të padrejta që i jepen shtetit grek nga çirakët e brendshëm, parë në këndvështrimin gjeopolitik dhe gjeostrategjik, si veprime të pamenduara mirë, do të jenë një precedent në të ardhmen dhe dëmet ne planin e interesave kombëtare do të jenë të mëdha. Kam rezerva të mëdha për ndërtimin e varrezave greke në territorin shqiptar, pasi “mund të bëhej një memorial i vetëm përkujtimor, në një vend të caktuar, si në rastin e ushtarëve anglezë etj.), pa qenë nevoja të shtrihen anë e mbanë gjeografisë shqiptare, thua që Shqipëria shpëtimin nga nazi-fashizmi e ka nga Greqia dhe jo lufta e saj në krah të koalicionit të 5 fuqive të mëdha të asaj kohe.

Kundërshtinë time e lidh edhe me mos respektimin e parimit te reciprocitetit në marrëdhënie midis dy shteteve tona, ku vërehen lehtë politika dhe qëndrime të shtetit padron ndaj shtetit vasal, sikur të ishim proktetoriat i Greqisë. Po të rënët tanë aty gjatë luftërave, po të masakruarit dhe ekzekutimet barbare mbi popullsinë e pambrojtur të Çamërisë nga xhelati Zerva dhe bandat e tij, a nuk meritojnë edhe ata varreza dhe përkujdesje, madje nga vete shteti grek, pasi ata ishin me shtetësi greke edhe pse në trojet e tyre. Pse ky diferencim, mos grekët janë “racë aristokrate” “superiore” dhe shqiptarët “plebej”, apo ata janë zotër të jetëve të shqiptarëve dhe ne “skllevër” të tyre…!? Greqia duhet të kërkojë ndjesë për krimet e luftës dhe jo të ngrejë përmendore për xhelatin Napoleon Zerva në mes të Gumenicës dhe me fytyrë nga Shqipëria.

Fyerje, karshillëk, urrejtje, armiqësi ndaj një populli dhe përçmim ndaj viktimave te pafajshme shkaktuar nga barbaria e andarteve grek – kjo është simbolika e këtij memoriali. Lavdia greke sot, ngrihet mbi figura kriminelësh, politikë e cila frymëzon veprime banditeske të tipit Kostandinos Kacifas. Këto janë detyrim kushtetues dhe përgjegjësi e atyre që na qeverisin, për të korrigjuar gabimet dhe padrejtesitë e së shkuarës gjë e cila arrihet me reciprocitet kërkesash, përmbushja e tyre është detyrim i palëve. Mbi këto parime ndërtohen marrëdhëniet midis shteteve, përfitim reciprok, njëanshmëria nuk ndërton themele miqësish. Heshtja e Qeverise Shqiptare dhe mohimi nga pala greke i Çështjes Çame, nuk e zgjidhin problemin, përkundrazi, qëndrime të tilla vetëm se e agravojnë problemin dhe pengojnë dinamikën e marrëdhënieve. Një fjalë e urtë thotë: Drejtësia vonon, por nuk harron të vijë. Faktorët që do të kushtëzojnë zgjidhjen, aktorët që do përfshihen, si dhe skenarët që përdoren, mund të jenë të shumtë, por një gjë është e sigurtë; Çështja Çame do ketë të ardhme!/ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button