Zaev: Nuk mund të garantoj asgjë për shqiptarët në Kushtetutë

, Zaev: Nuk mund të garantoj asgjë për shqiptarët në Kushtetutë

Komisioni për Çështje Kushtetuese miratoi tekstin e draft-amendamentit që parashikon ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Me shumicë votash, drafti u nis për procedurë të mëtejme parlamentare.
Debati mbi draft-amendamentin për ndryshimin e Preambulës u koncentrua në drejtim të modernizimit të Preambulës. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela kërkoi që karakteri multi-etnik i vendit të reflektojë edhe në Preambulë.

Sela kërkoi edhe largimin e përcaktimit 20 për qind, duke krahasuar kushtetutën aktuale me kushtetutat e ish mbretërisë serbo-kroate-sllovene.

“Fjalia të nisë me: Qytetarët e Maqedonisë, populli maqedonas dhe të fshihet pjesa si dhe qytetarët tjerë që jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, pra pas popullit maqedonas të vazhdojë populli shqiptar, populli vlleh, turq, romë, serb, boshnjak dhe të tjerët. Kjo do ta bënte më te drejtë Maqedoninë e së ardhmes, kjo do t’i përfaqësonte njësojë të gjithë qytetarët”, tha Sela.

Kryeministri Zoran Zaev theksoi se të gjitha rekomandimet do të shqyrtohen, por kjo nuk nënkupton se do të pranohen.

“Ia vlen të shqyrtohet por formulimi i përgjithshëm nuk është i drejtë pasi siç e thashë ka shtete kombëtare si Shqipëria, Serbia, Turqia, Bosnja, Bullgaria”, tha Yaevi.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski kërkoi që në Preambulë të përfshihen tre dokumente me rëndësi historike, përfshirë këtu edhe Kushtetutën luftarake të vitit 1878.

“Këto tre propozime si: Rregullorja e komitetit të kryengritjes maqedonase nga viti 1878, Kushtetuta e fshehtë e revolucionit maqedonas e shkruar nga Goce Dellçev dhe Gjorçe Petrov dhe Kushtetuta e vitit 1991 si dokumenti i parë juridik për konstituimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, mendoj se meritojnë vendin e tyre në Preambulë përderisa kemi filluar ta zgjerojmë dhe të fusim dokumente si Marrëveshja e Ohrit”, u shpreh Dimovski.

Zaevi premtoi se për këtë propozim do të konsultohet me ekspertët.

“Bëhet fjalë për kryengritje dhe luftëra të cilat populli jonë multi-etnik i ka udhëhequr, Maqedonia ishte gjithmonë multi-entike dhe popujt kanë marr pjesë në kryengritjet tona. Disa çështje do t’i thonë ekspertët me të cilët do të konsultohemi për këto tre propozime”, tha Zaevi.

Draft-amendamenti për Preambulën parashikon që vendimet e KAÇKM-së (Kuvendit Antifashist – ASNOM) të shndërrohen në shpalljet e KAÇKM-së dhe të përfshihet Marrëveshja e Ohrit. Kjo e fundit sipas Qeverisë është aplikative në një pjesë të madhe të Kushtetutës dhe tani sipas tyre shtohet vetëm termi Marrëveshje e Ohrit./Alsat-M/ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button