Efekti i taksës: 10 milionë kg grurë më pak nga Serbia
Vetëm në muajin e parë të taksës, 10 milionë kilogramë grurë më pak kanë hyrë nga Serbia, krahasuar me të njëjtën periudhë në 5 vitet e fundit.
Dogana e Kosovës bëri të ditur se vetëm gjatë muajit të parë të implementimit të taksës, Kosova ka importuar nga Serbia rreth 120 milionë kilogram grurë, nga 130-140 milionë sa ka importuar për periudhën e njëjtë kohore viteve të fundit.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci bëri të ditur se deri në vendosjen e taksës, importimi i grurit ishte në të njëjtin trend me vitet e kaluara.
Ndonëse është pranuar me një entuziazëm e patriotizëm të lartë nga qytetarët dhe bizneset vendore, taksa megjithatë ka peshën e saj për ekonominë kosovare.
Efektet e saj më së shumti po i ndiejnë përpunuesit e grurit, të cilët pas vendosjes së kësaj tarife po detyrohen të gjejnë alternativa të tjera nga të importojnë lëndën e parë. Kjo për faktin se edhe gruri vendor po mungon përkundër tokave bujqësore, ndërkohë që ka shënuar rritje për 10 cent edhe çmimi i bukës dhe të pjekura të tjera.
Kështu, menaxheri i kompanisë “Thes Ari”, Bashkim Zenjullahu tha se taksa 100% sado e nevojshme, kishte ardhur në moment të papritur. Ai tha se pikërisht në periudhën kur kishim filluar të stabilizoheshin me rritjen e taksës prej 10% u përballen me taksën prej 100%.
Zenjullahu, njëherësh kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, tha se përpunuesit e grurit tashmë kanë drejtuar sytë drejt vendeve tjera, ndonëse Serbia është shteti më i afërt prej nga e kanë marrë grurin.
Ai shpreh shqetësimin e bizneseve vendore të cilat këtë lëndë të parë e kishin marrë deri më tash nga Serbia, se po detyrohen të marrin grurin nga Maqedonia dhe Shqipëria, duke e ditur se të dyja këto vende e importojnë atë nga Serbia.
Ndërsa, Bashkim Malushaj nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), tha se krahas frymës pozitive që ka sjellë taksa tek bizneset vendore, në përqendrimin e tyre në prodhim, është dashur që Qeveria paraprakisht të bëjë një plan për strategjinë e të mbjellurave.
Sipas tij, falë entuziazmit të prodhuesve, taksa 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia është përballuar më lehtë.
Furrtarët kosovarë vlerësojnë se ngritja e çmimeve të pjekurinave nuk ka ardhur në përgjithësi për shkak të mungesës së grurit vendor në përgjithësi, teksa vendosjes së taksës i kishte ardhur momenti, pa pasur implikim direkt në ngritjen e çmimit të produkteve të furrës.
Përgjithësisht, bukëpjekësit shprehen të shqetësuar se nuk ka fitim të madh nga puna e tyre dhe për këtë sipas tyre, ka pasuar edhe ngritja e çmimit të pjekurinave, në mënyrë që këta të fundit të mos kenë humbje.
Taksa 100% ka pasur efektin e saj në rënien e importit të produkteve nga Serbia për 20 milionë euro./ZgjohuShqiptar.info