Leon Rei, Apolonia dhe meraku shkencor i arkeologut të madh francez

, Leon Rei, Apolonia dhe meraku shkencor i arkeologut të madh francez

Të gjithë e dimë se kush dhe si e zbuloi Trojën, një zbulim që hapi një derë të madhe për të hyrë në historinë e botës antike. Qe viti 1871, kur arkeologu i famshëm Henrik Shlieman zbuloi Trojën. Dhe kjo ndodhi pas Revolucionit Grek, kur “ujërat u qetësuan”. Gati të njëjtën paralele historike duhet të heqim edhe me zbulimet në Shqipëri, të cilat erdhën pas Luftës së Parë Botërore, pas qetësisë dhe rivendosjes së shtetit shqiptar. Ishte invazioni i Luftës së Parë Botërore që brenda rreshtave të ushtrisë, solli në Shqipëri, edhe shkencëtarë e dietarë të fushave të ndryshme, të cilët kanë dhenë një kontribut të shquar për zgjimin e interesave shkencore në Shqipëri. Ndodhi kështu me austriakët për zbulimin e naftës në Kuçovë, në vitin 1916, me zbulimin prej tyre të Apolonisë, por që më pas Misioni francez drejtohej nga një njeri që e quajti Apoloninë “Troja Shqiptare” dhe pasionin e tij për të një brengë personale jetësore. Ky njeri quhej Leon Rei dhe meriton vëmendje e respekt nga histriografia shqiptare. Kush ishte Leon Rei 14459138_1241348115917960_259916091_nLeon Rei lindi në vitin 1877 në Formantier pranë Parisit. U diplomua për arkeologji në Universitetin Chartre, i njohur si një nga institucionet më të famshme të arkeologjisë franceze. Në vitin 1916 gjatë Luftës Parë Botërore u thirr nën armë, ku angazhohet në misionin arkeologjik ushtarak francez në Maqedoninë greke dhe Selanik. Këtu pati sukses të madh dhe të gjitha punimt i botoi në vitin 1921. Dy vjet më vonë, në vitin 1923 së bashku me senatorin francez Justin Gotard vizitoi vendin tonë. I apasionuar nga burimet e autorëve antike, ai nisi punën si arkeolog në Durrës. Pas disa muajsh e “braktisi” këtë qytet, duke u zhvendosur 80 km më në jug, pikërisht në Apoloni. Këtu erdhën edhe sukseset e Reit, ku Apolonia do të bëhej “shtëpia e dytë” e tij. Nga ajo ai do të ndahej vetëm i detyruar me forcë, sepse në vitin 1939 autoritetet italiane të pushtimit ia ndaluan hyrjen në Shqipëri. Po kështu edhe përpjekjet e tij në vitin 1945, pas çlirimit, për t’u rikthyer këtu dështuan. Me një punë të lënë përgjysëm ai vdiq në Francë në vitin 1956. Puna dhe kontributi i tij përveç se nga Bashkia e Fierit, që i ka dhënë titullin Qytetar Nderi dhe ka emërtuar një rrugë me emrin e tij, nuk është vlerësuar nga asnjë institucion tjetër më i lartë shtetëror dhe shkencor. Misioni arkeologjik dhe “shtëpia e frëngut” 14463915_1241348132584625_432982877_nMisioni arkeologjik francez u themelua në vitin 1924 me iniciativën e senatorit francez Justin Gotard, mik i Shqipërisë. Ekspeditat kërkimore që drejtoheshin nga Rei zhvilloheshin çdo fund pranvere – fillim vjeshte. Gjatë viteve 1924-1939 u bënë gjithsej 15 fushata të tilla, duke zbuluar nga pluhuri i harresës së shekujve Apoloninë. Udhëtimi i tij i përvitshëm niste nga Parisi, ku së bashku me të shoqen, Margaritën, ata udhëtonin me veturën e tyre të veçantë, me mbishkrimin “ALBANIA”, ku rruga plot pluhur i çonte drejtë e në Apoloni. Ndërtesa ku ai ndenji me të shoqen, që në atë kohë quhej “shtëpia e frëngut”, është edhe sot, kuptohet, e restauruar, pasi gjatë Luftës së Dytë Botërore u kthye në gërmadhë. E quajtur sot bar restorant “Rei”, ajo ka mirëpritur studiues, arkeologë, turistë, nga gjithë bota. Me objektet e zbuluara në Apoloni u hap më 8 tetor 1936 në Vlorë, Muzeu Arkeologjik, i cili mbante emrin e Mbretit të Shqipërisë “Zogu I”. Si ndërtesë e tij shërbeu një pjesë e shtëpisë ku më 28 Nëntor 1912 u mblodh Kongresi që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa në katin e dytë qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat terrakotat dhe figurinat e ndryshme. Ky muze pati fatin e keq sepse ditët e para të pushtimit të Shqipërisë u grabit nga italianët në prill të vitit 1939. Për këtë veprim Rei u ndje shumë keq dhe nuk pushoi së protestuari, të cilën e shprehu në numrin e gjashtë të revistës arkeologjike që ai botonte “ALBANIA”. “Skripta manent”, ç’ka ngelur nga Rei Rezultatet e punës së tij voluminoze Rei i botoi në revistën “Albania”, e cila doli në 6 numra në vitet 1927-1939. Ai disa nga këto studime arkeologjike dhe historike i formuloi në formën e cikleve të leksioneve, të cilat i referonte në Liceun francez në Korçë, në Tiranë e në Shkodër. Ndërsa kumtonte në konferenca shkencore të organizuara nga shoqëri të ndryshme arkeologjike jashtë vendit në atë kohë si në Berlin, Drezden, Luven (Belgjikë), etj. Ai nuk “u ngul” vetëm në Apoloni. Sa qe në Shqipëri, ai vizitoi objekte me interes arkeologjik dhe historik në Shqipëri, ku me materialet e grumbulluara botoi “Guidën e Shqipërisë” në vitin 1930. Së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij shqiptar, arkeologun Hasan Ceka ai pregatiti edhe një studim për xhaminë e famshme të Et’hem beut në Tiranë. Në projektet e tij ishte edhe ngritja e një institut studimesh për Skënderbeun, gjë të cilën nuk e realizoi dot. Ndërkohë që merita e veçantë e Reit ishte se me kontributin e tij ai ishte pararendësi i Arkeologjisë Shqiptare. Me botimet e studimeve të tij ai e bëri të njohur Apoloninë në fushën e Arkeologjisë dhe historisë antike, duke “na dhuruar” atë “minierë arkeologjike” që do të bëhej “shkolla” e gjithë arkeologëve të mëvonshëm shqiptarë. Apolonia Qytet antikë, ndër më të mëdhenjtë në Pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri në 30 qytetet e tjerë me të njëjtin emër të kohës antike. Gërmadhat e Apolonisë u zbuluan në fillim të shekullit të 19-të midis fshatrave Pojan dhe Kryegjatë në rrethin e Fierit. Si qytet Apolonia u themelua në shekullin e 6-të p.e.r. me kolonistë të ardhur nga Korkyra, Korinti dhe ndoshta edhe nga Dyrrahu. Apolonia lidhej me detit nëpërmjet lumit Vjosë, që ishte i lundrueshëm dhe kalonte pranë qytetit. Në kohën romake lulëzoi arkitektura dhe degë të tjera të artit sidomos skulptura. Qyteti e mori emrin për nder të perëndisë Apolon. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh me rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin. Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apoloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Arkeologët e quajnë Apoloninë, Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot. Ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Zbulimi më i fundit Ndryshon data e themelimit të Apolonisë 14458948_1241348105917961_1616000886_nGërmimet arkeologjike në qytetin antik të Apolonisë kanë nxjerrë në dritë një objekt të rrallë dhe të parin e këtij lloji për të gjithë rajonin e jugut. Një objekt metalik prej plumbi i periudhës parahelenistike në Apoloni, është zbuluar gjatë gërmimeve të ekspeditës shqiptaro-franceze. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë thotë se ky objekt është gjetur pas zbulimit të një strukture prej 128 m gjatësi. Vetë kjo strukturë mund të ketë qenë Agoraja e Vjetër e qytetit antik. Zbulimi i Agorasë së qytetit mund të riformulojë njohuritë për datën e themelimit të Apolonisë, ndërsa objekti prej plumbi përbën një zbulim të rrallë. Sipas arkeologëve objekti i në këto gërmime daton në vitet 630-620 para erës sonë çka e shtyn datën e themelimit të qytetit edhe 2 shekuj pas nga sa njihej deri tani. Të ngjashëm me këtë objekt janë gjetur vetëm në Dodonë të Greqisë Dita e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare Një grup oficerësh austriakë në Shqipëri nisen për të plaçkitur monumentet e kulturës në Apolloni, por befasohen nga thirrjet “ndal” të oficerit shqiptar Kamber Benja dhe 2 nënoficerëve të tij, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani; pas shkëmbimeve të shtënash me armë, tre oficerët shqiptarë mbetën të vrarë në mbrojtje të pasurive të trashëguara kulturore. Për nder të tyre, që prej vititi 2007, Shqipëria e ka shpallur 29 shtatorin si Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Leon Rei…dhe “gurët që flasin” 14442766_1241348112584627_1291538357_nPër jetën dhe veprimtarinë e arkeologut të shquar Leon Reit në Shqipëri, krahas të tjerave, hedh dritë mirë autori Luan Rama në librin e tij “Leon Rei…dhe gurët që flasin”. Në libër krahas të tjerave, Luan Rama flet edhe për vizitën në Shqipëri pas vdekjes së Leon Reit, në vitin 1965, të gruas së tij, Arlette dhe të të birit, Jean Gabriel, me rastin e pagëzimit të një rruge me emrin “Leon Rei” në Fier. Nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris ata u ftuan për një vizitë në Shqipëri Jean-Gabriel i ruan ende të freskëta kujtimet e atyre ato ditëve kur bashkë me nënën e tij, mori rrugën në aeroportin e Orly-së drejt Tiranës me një avion të “Air France”. Me një emocion të veçantë, duke kaluar mbi Adriatik, ata prisnin të shfaqeshin brigjet e Durrësit me kështjellën e vet historike, Tirana dhe Apollonia, për të cilën aq shumë kishte ëndërruar të kthehej Léon Rey. Në aeroportin e vogël të Rinasit, ku zbritën fare pak udhëtarë, dy miqtë francezë i priti një arkeolog: ishte Skënder Anamali. Me të mbërritur në Tiranë, ata u vendosën në hotel Dajti, ku vendoseshin shpesh të gjithë të huajt, apo miqtë e ftuar të qeverisë shqiptare në atë kohë. “Ishte e habitshme, – kujton sot Jean-Gabriel, – sepse bulevardi që mbante emrin e Stalinit, ishte tepër i gjerë dhe në të kalonin përgjithësisht këmbësorë, dhe fare rrallë makina, ca vetura të zeza të tipit sovjetik, ku në sediljet prapa qëndronin funksionarë. Më kujtohet që në mbrëmjen e parë apo të dytë, ne shëtisnim në bulevard dhe pastaj morrëm për në thellësi të kryeqytetit, kur dy burra na u afruan dhe njëri prej tyre na tha me mirësjellje: “Zoti Rey, duhet të ktheheni në hotel. Nuk duhet të vazhdoni më tej!…” Të nesërmen e mbërritjes së tyre, ata prisnin të shkonin për në Fier, për ceremoninë e pagëzimit të rrugës, por kjo nuk varej nga ata, pasi zyrtarët kishin vendosur tu tregonin më parë “sukseset” e Shqipërisë. Një ditë ishte vizita në Kombinatin Tekstil “Stalin”; një tjetër ditë në hidrocentralin “Karl Marks”, pastaj në ekspozitën “Lenin”, apo në ekspozitën fotografike të Ho Shi Minit dhe luftëtarëve vietnamezë kundër agresorëve amerikanë; dhe kështu, vizitat vazhdonin më pas në një fabrikë çorapesh, në një shkollë apo fermë. Padyshim, atyre u bënte përshtypje pritja dhe dashuria që u tregonin shqiptarët, por gjithnjë ata prisnin ceremoninë për të cilën kishin ardhur. Jean-Gabriel nuk i harron parullat e mëdha të vendosura në të katër anët, e sidomos një parullë të shkruar në faqen e malit të Dajtit ku shkruhej: “Poshtë Revizionizmi”. Pas një jave, më së fundi, “delegacioni” nga Franca u nis drejt Fierit, në një rrugë plot gjelbërim. Kjo ishte një kënaqësi e veçantë për ta. Në Fier, ata morën pjesë dhe në ceremoninë që u zhvillua për përurimin e rrugës me emrin “Leon Rey”. Miqtë shqiptarë të Reit Leon Rei ka patur tre bashkëpunëtorë shqiptarë për të cilët është shprehur me konsideratat më të larta. Këta ishin arkeologu Hasan Ceka, që ka punuar gjashtë vjet me Rein. Në vitin 1930 ai u caktua si vëzhgues i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, pranë misionit francez, me qëllim që të merrte në dorëzim të gjitha objektet, që do të zbuloheshin nga rrënojat antike. Hasan Ceka njihet si “Babai” i arkeologjisë shqiptare, në të cilën dha një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Në Apoloni ai punoi për rreth 40 vjet duke përfunduar gërmimet e ndërmara nga Leon Rei, si dhe punime e botime të tjera. Një tjetër bashkëpunëtor i Leon Reit ishte edhe Perikli Ikonomi, drejtor i shkollës femërore të Fierit. I diplomuar në “Zosimean” e famshme të Janinës ai ishte një njohës i mirë i disa gjuhëve, veçanërisht i greqishtes së vjetër. Pikërisht si zotërues i saj ai u angazhua në misionin arkeologjik, për të zbërthyer mbishkrimet antike, ku dha edhe kontributin e tij. Kjo pjesëmarrje i dha shkas Perikli Ikonomit, që të botonte më vonë disa vepra si: Historia e Tomorrit dhe Dodonës Pelazgjike dhe Historikun e rrethit të Fierit, ku vend të veçantë zinte edhe Apolonia antike. I treti, ishte Pilo Samarxhiu, nga Pojani, një ish-emigrant i kthyer nga SHBA. Ai ishte kryepunëtor i misionit francez. Përvoja e fituar pranë Leon Reit dhe vite më vonë pranë Hasan Cekës e ndihmoi që të shërbente pas vitit 1960 si cicëroni i parë i Muzeut Arkeologjik të Apolonisë. Për kohën e gjatë që ndenji në Shqipëri, Rei zuri shumë miq të tjerë, midis të cilëve edhe poetin Ali Asllani, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Vlorës./ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button