Suksesi me energjinë e rinovueshme, media italiane krahason Shqipërinë me Suedinë: Përmbush direktivat e BE-së

Ecuria e Shqipërisë në sektorin energjetik, duke u bazuar plotësisht në burimet e rinovueshme të energjisë elektrike, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Më e fundit është Europa Today, e cila e krahason Shqipërinë me Suedinë duke theksuar faktin se vendi ynë është tashmë pothuajse në përputhje me objektivin e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030.

“Shqipëria nuk është ende një vend i Bashkimit Evropian, por mund të mburret se është tashmë në përputhje me objektivin e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030. Dhe për të cilin shumica e shteteve anëtare aktuale janë duke luftuar, përfshirë Italinë. Po, sepse nëse BE parashikon një pjesë të energjisë së konsumuar nga burimet e rinovueshme prej 42.5% deri në fund të dekadës, Tirana sot është 44%. Një përqindje që e afron me kampionët skandinavë, shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe më shumë se dyfishi i Italisë”, thuhet në shkrimin e prestigjiozes italiane.

, Suksesi me energjinë e rinovueshme, media italiane krahason Shqipërinë me Suedinë: Përmbush direktivat e BE-së

Shkrimi i referohet të dhënave të Eurostat për vitin 2022, ndërsa thuhet më tej se Shqipëria renditet pas tre vendeve Skandinave sa i takon prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. 17 nga 27 vendet anëtare të BE-së raportuan përqindje më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Europa Today shkruan gjithashtu se Italia ka ngecur në 19%, duke pësuar madje dhe një ulje krahasuar me vititn 2021.

“Direktiva e re për energjinë e rinovueshme ka rishikuar objektivin e BE-së për energjinë e rinovueshme për vitin 2030 nga 32% në 42.5% (me synimin për ta rritur atë në 45%), kujton Instituti Europian i Statistikave. Prandaj, vendet e BE-së duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur kolektivisht objektivin e ri të BE-së për vitin 2030”, përfundon shkrimi i Europa Today.

Shqipëria e ka të bazuar të gjithë prodhimin e saj të energjisë nga burimet e rinovueshme, por koefiçenti 44%, të cilit i referohet media italiane,” sipas Besjan Kadiut, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave të Energjisë në MIE, është pjesa që ky prodhim i energjisë elektrike zë në konsumin total të energjisë në Shqipëri.

“Siç e kemi thënë prodhimi i energjisë elektrike në vend është 100% nga burimet e rinovueshme. 44% është pjesa që ky prodhim i energjisë elektrike zë në konsumin total të energjisë në Republikën e Shqipërisë. Po nga se përbëhet konsumi total i energjisë?  Konsumi total i energjisë në vend përbëhet nga tërësia e energjive që përdoret, qoftë ajo elektrike por edhe energjia që vjen nga përdorimi i hidrokarbureve. Kjo arritje që e rendit Shqipërinë në mes vendeve më të përparuara të Bashkimit Europian ka ardhur si rezultat i strategjisë së qeverisë shqiptare për energjinë dhe klimën si dhe rezultat i strategjive në mbështetjen e burimeve të rinovueshme”, u shpreh Kadiu gjatë një interviste televizive.

Në fillim të kësaj jave Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi hapjen e ankandit hibrid për fotovoltaikët, një tjetër hap sa i takon rritjes së prodhimit duke u bazuar tek energjia e rinovueshme.

Back to top button