Zhduken automatikë dhe granata nga baza ushtarake e Pashalimanit

Një sasi ende e papërcaktuar pushkësh automatike “Model 56” dhe disa granata dyshohet se janë grabitur nga baza ushtarake e Pashalimanit.

Një sasi armësh, kryesisht pushkë automatike “Model 56” dhe një sasi granatash kanë rezultuar se mungojnë nga baza ushtarake e Pashalimanit. Një burim pranë Degës së Policisë Ushtarake Vlorë, që kërkoi të mbetej anonim, thotë se armët ishin konstatuar të zhdukura gjatë një inventari rutinë para se një nga anijet e bazës të nisej për patrullim në Egje, ku merr pjesë në mision të NATO-s për refugjatët.

Loading...

Burimi thotë se të paktën pesë punonjës të bazës që kishin detyrë ruajtjen dhe kontrollin e armatimit janë marrë në pyetje, por ende nuk ka pasur një referim në prokurori të rastit. Mungesën e një referimi në prokurori për zhdukjen e armëve e konfirmoi edhe prokurori i Vlorës Ardian Ylli.

BIRN mësoi se të paktën tre armë automatike rezultuan që mungonin nga inventari, por shifra nuk është përfundimtare ndërsa hetimet vijojnë.

Vjedhja eshtë konstatuar mëngjesin e së enjtes 10 Janar, ndërsa disa grupe inspektimi të ministrisë së Mbrojtjes kanë punuar në ambjetet e bazës deri në orët e para të mëngjesit për të inventarizuar armët dhe saktësuar numrin e armatimeve të vjedhura.

Burimi tha se vjedhja e armëve nga baza e Pashalimanit konsiderohej një cënim i rëndë i sigurisë së bazës, hyrja dhe dalje prej të cilës kontrollohet në disa pika të ndryshme.

Pashalimani, bazë e vjetër ushtarake e famshme për 4 nëndetëset që u morën nga Bashkimi Sovjektik në vitet 50’, konsiderohet si një nga bazat më të rëndësishme ushtarake në vend megjithëse larg lavdisë së pretenduar gjatë viteve të diktaturës.

Në bazë janë dislokuar 3 nga 4 anije e rojes bregdetare që zotërohen tani nga flota e ushtrisë shqiptare. Anijet kryejnë patrullime të herëpashershme në Egje si pjesë e NATO-së kundër trafikut ilegal të refugjatëve.reporter.al/ZgjohuShqiptar.info

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button