BE nga mediat serbe i dërgon mesazh Kurtit: Përmbahu nga deklaratat e dëmshme

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që e dëmtojnë përparimin e dialogut.

Kjo thirrje vjen si reagim lidhur me deklaratat e Kurtit për parimet e dialogut në mesin e të cilave edhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Por, BE i referohet më tepër deklaratës së Kurtit kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian këtë reagim e ka bërë nëpërmjet medieve serbe.

“BE-ja gjithmonë u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e dëmshme për atmosferën e favorshme për përparimin e suksesshëm në dialog dhe normalizimin e marrëdhënieve”, tha një zëdhënës i Bashkimit Evropian për mediumin serb në Kosovë.

Të hënën, para seancës ku u zgjodh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur për ta parë prespektivën e Qeverisë së re lidhur me këtë çështje.

Aty, kreu i Qeverisë tha se s’mund të ketë as Asociacion të komunave me shumicë serbe, të cilin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Kosovës që ta themelojë sa më shpejt.

“Neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës garanton lirinë e asocimit, prandaj besoj që nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Kapitulli i dytë i Kushtetutës normon të drejtat dhe liritë themelore. Në anën tjetër, nuk mund të kemi Asociacion njëetnik- e thotë edhe Gjykata Kushtetuese. Mund të ketë Asociacion të komunave të bjeshkës së Rugovës, maleve të Sharrit, etj., por jo njëetnik”, ka thënë Kurti në këtë tryezë.

Back to top button