Vuçiç: Amerikanët, turqit dhe gjermanët po kujdesen për fëmijën e tyre të dashur, Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se vendi i tij do të vazhdojë të fuqizojë forcat e armatosura dhe po kërkon të blejë më shumë avionë ushtarak, mes tensionesh në Ballkan.

Ai tha të dielën se janë ndërmarrë “nisma të caktuara” për të blerë një flotë të avionëve bombardues, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera perëndimore për armatosjen e fqinjëve të Serbisë që janë pjesë e NATO-s, përfshirë edhe Kosovën.

“Amerikanët, turqit dhe gjermanët po kujdesen për fëmijën e tyre të dashur”, tha ai duke ju referuar Kosovës, duke shtuar se Uashingtoni kohët e fundit i ka dorëzuar një numër automjetesh të blinduara Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë fundjavës në Kosovë ka arritur një pjesë e automjeteve ushtarake amerikane të tipit Humwee të cilat ishin kontraktuar nga qeveria e Kosovës në korrik të vitit 2018. Një pjesë e tyre janë dhuratë për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 2018 u shndërrua në ushtri të saj duke nxitur reagimin e Beogradit i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Gjatë një vizite në një brigadë tankesh të ushtrisë serbe, presidenti serb tha se vendi i tij nuk mund të garojë me “dhuratat e NATO” për fqinjët e tij kur bëhet fjalë për armë dhe “prandaj duhet ta bëjë vet këtë”.

Presidenti serb nuk e sqaroi se çfarë lloj avionësh ushtarak planifikon të blejë Serbia, por mediet pro-qeveritare thanë që kishte kërkuar zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara mundësinë e blerjes së 20 syresh.

Raportet thanë që Uashingtoni nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Beogradit dhe se në rast të refuzimit, ka të ngjarë që Serbia të blejë avionë rus të tipit “Sukhoi-25”.

Serbia, e cila ka shpallur neutralitetit ushtarak, së voni ka pranuar sisteme kundërajrore nga Rusia e cila e ka furnizuar edhe me avionë ushtarak, helikopterë dhe autoblinda.

Kina një aleate tjetër e Serbisë i ka dorëzuar dronë ushtarakë.

Zyrtarët amerikanë në të kaluarën kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, nëse Moska dërgon më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të kërcënojnë sigurinë e vendeve fqinje, anëtare të NATO-s.

Armatosja ruse dhe kineze e Serbisë është parë me shqetësim në perëndim dhe nga fqinjët e saj mes tensionesh në rritje në Ballkanin që përjetoi luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta.

VOA

Back to top button