Pse nuk flet Lulzim Basha për vrasjen që kreu bodigardi i zëvendësit të tij?

Ngjarja ne Elbasan ku u vra një person dhe u plagosën 4 të tjerë për arsye te lidhura direkt me zgjedhjet është dëshmi e nevojës që partitë e opozitës dhe kryesisht presidenti i Republikës kanë për të tensionuar fushatën elektorale.

Kushdo që kërkon një shpjegim për ngjarjen duhet të kujtojë deklaratat e ditëve të fundit të ilir Metës së “Burrat e gratë e Mallakastrës, të Libofshës t’i mprehin sfurqet, kosoret e sëpatat e t’i kenë gati për ditën e diel se po u prek një votë e vetme se kështu do bëjë gjithë Fieri dhe Shqipëria me në krye Presidentin” apo “presidenti do t’ia presë duart atyre që do të prekin votën”.

Sot Ilir Meta dhe liderët e PD kanë folur për çdo gjë përfshi disa tapi te diskutueshme në Vlorë, disa banderola Të LSI në Fier, por nuk ka thënë asnjë fjalë se pse militantë të deklaruar të PD-së qarkullonin me armë në Elbasan, duke bërë gjueti të lirë në mes të ditës. Ilir meta  sot nuk i çoi as edhe një ngushëllim familjes së viktimës, Pjerin Xhuvanit, të cilin e ka pasur dikur bashkëpunëtorë të ngushtë dhe kandidat për deputet dhe shefin e LSI-së së qytetit të Elbasanit. As për të plagosurit e tjerë, ku në mes tyre është edhe një punonjëse e policisë.

Por nëse nga Ilir Meta këto ditë nuk pritet të luajë rolin e presidentit dhe te bashkojë palët për të qetësuar popullin, detyrë që ia përcakton edhe Kushtetuta, Lulzim Basha duhet te ngrihet mbi interesin e Partisë Demokratike dhe t’i kërkojë mbështetësve të tij të demilitarizohen dhe të bëjnë fushatë pa armë por me fjalë. Kjo është dita që Lulzim Basha të dëshmojë se  ka interesin e vendit mbi atë partiak. Ai akoma s’ka folur dhe akoma nuk ka dënuar ngjarjen çka është shumë e rëndë pasi heshtja inkurajon ata që kërkojnë vota me armë në brez siç ndodhi në Elbasan.

I çuditshëm është fakti se as ministria e Brendshme apo drejtuesit e saj nuk kanë mbajtur një deklaratë në lidhje me këtë ngjarje, ku punonjësja e tyre u plagos në krye të detyrës.

Shqiptarët sot janë të terrorizuar si nga vrasja, ashtu edhe nga heshtja e liderëve politikë. Pavarësisht nga dallimet të gjithë sot duhet të ishin bashkuar në ndëshkimin e krimit zgjedhor.

Shqiptarët presin të votojnë në 25 prill të qetë dhe t’i priten duart çdo njeriu që mbledh vota me armë qoftë ky dhe presidenti i Republikës. Deri tani fushata e qetë dhe normale e Lulzim Baahës ka vetëm një rrezik: Nevojën e Ilir Metë për të mbrojtur presidencën me votat e LSI.

Gazeta Shqip

Back to top button