Biseda që i garantoi Enver Hoxhës pushtet të përjetshëm (dokumenti në brendësi)

Më 23 mars të vitit 1949, Enver Hoxha u takua në Moskë me Josif Stalinin. Shqiptarët në këtë kohë, falë Stalinit, sapo ishin ndarë me Jugosllavinë e Titos, që për pak sa nuk e kishte pushtuar Shqipërinë. Por ky ishte një problem duke shkuar. Problemi i ri, edhe më i madh, për Enver Hoxhën, ishte Greqia fqinje, e përfshirë në luftë civile. Forcat qeveritare greke, të mbështetura nga amerikanët dhe britanikët, luftonin kundër gueriljeve komuniste, që mbështeteshin me armë e logjistikë nga vendet komuniste. Në të njëjtën kohë, në kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, ishin shënuar incidentet e para të armatosura. Ushtria e rregullt shqiptare ishte përballur, të paktën në dy raste, me ushtrinë e rregullt të forcave qeveritare greke, të cilat kishin guxuar të ndiqnin gueriljet komuniste edhe në brendësi të territorit shqiptar.

I shqetësuar nga situata e krijuar, Enver Hoxha e pyet Stalinin tekstualisht:

Loading...

“A e kërcënon Shqipërinë rreziku i pashmangshëm nga Greqia, duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme të trupave monarko – fashiste dhe të gjitha llojet e bisedave për ndarjen e Shqipërisë?”

Stalini në këtë moment e siguron Enver Hoxhën se askush nuk e prek Shqipërinë, duke i shpjeguar, mbase për herë të parë shqiptarit, pozicionin e Shqipërisë të fiksuar nga fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Bashkimi Sovjetik.

Për më tepër, Stalini bën një analizë të hollësishme të situatës politike, duke argumentuar se pavarësia e Shqipërisë garantohet nga një sërë faktorësh, që janë që të gjithë në një linjë. Nuk është çudi që argumentimi i Stalinit, për prezencën e një sëre faktorësh, rajonalë dhe botërorë, që sigurojnë ballancën për Shqipërinë, të shpjegojë edhe “dështimin” e operacioneve anglo – amerikane për rrëzimin e Enver Hoxhës, në vitet 1949-1952, edhe largimin e sovjetikëve nga Baza ushtarako-detare e Vlorës, në vitin 1961, pa guxuar të shkaktojnë ndonjë incident, si dhe, faktin tjetër, se, deri në vitin 1990, Shqipëria u konsiderua, nga të gjithë palët, si një vend i paprekshëm.

Pra, thënë me fjalë të tjera, pavarësia e Shqipërisë, jo vetëm që ishte aprovuar dhe pranuar nga fuqitë fituese të Luftës së Dytë, por edhe në vazhdim, interesat e këtyre Fuqive të Mëdha, sërish e garantonin, madje për një kohë të gjatë, këtë pavarësi.

Kjo përgjigje e Stalinit përmbyll edhe bisedën prej 2 orësh dhe 10 minutash me Enver Hoxhën. Në bisedë merrnin pjesë, nga pala sovjetike, Andrei Vishinski, ministri i Jashtëm sovjetik, i sapoemëruar, i dërguari sovjetik në Tiranë, Dimitri Çuvahin dhe një përkthyes, ndërsa nga pala shqiptare edhe Spiro Koleka, në këtë kohë Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit si dhe ambasadori shqiptar në Moskë, Mihal Prifti.

Përkthimi i plotë i pëgjigjes së Stalinit:

Nr. 16

Regjistrimi i bisedës së I.V. Stalinit me E.Hoxhën rreth marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe për politikën e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë

Qyteti. Moskë

23 mars 1949

Ora 22:00

SECRET

…Shoku Stalin thekson se të gjitha fjalët për ndarjen e Shqipërisë ishin shpikur për të trembur shqiptarët. Siç e dini, pavarësia e Shqipërisë është e siguruar nga deklarata e tre fuqive – Amerikës, Anglisë dhe BRSS (Bashkimit Sovjetik). Natyrisht, deklarata mund ta shkelin, por kjo nuk është aq e lehtë. Sa për grekët e Tsaldaris, ata mezi qendrojnë në këmbë  dhe nuk kanë këllqe që të mund të flasin seriozisht për ndarjen e Shqipërisë. Nëse shqiptarët do të sillen drejt, pa i sharë shumë imperialistët, pa i ngacmuar dhe duke u sjellë me tepër modesti, atëherë Shqipërinë askush nuk do ta prekë. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria të jetë pjesë e Italisë, përderisa kjo e forcon Italinë; ata nuk duan që ajo të jetë pjesë e Greqisë, përderisa kjo e forcon Greqinë; nuk duan që Shqipëria të jetë pjesë e Jugosllavisë. Për më tepër, Amerika nuk dëshiron që Shqipëria t’i përkasë Anglisë. Për shkak të kësaj, ata këmbëngulin për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë…

Origjinali në gjuhën ruse:

№ 16

Запись беседы И.В.Сталина с Э.Ходжей
об албано-югославских отношениях, внешней
и внутренней политике Албании

г. Москва

23 марта 1949 г.
22 часа 00 мин
СЕКРЕТНО

Тов. Сталин указывает, что все разговоры насчет дележа Албании придуманы для того, чтобы напугать албанцев. Как известно, независимость Албании обеспечена декларацией трех держав — Америки, Англии и СССР. Конечно, декларацию могут нарушить, но это не так легко. Что касается греков Цалдариса, то они слишком слабо стоят на ногах, чтобы всерьез говорить о разделе Албании. Если албанцы будут вести себя правильно, не будут очень ругать империалистов, не будут их дразнить, а будут вести себя поскромнее, то Албанию никто не тронет. Америка и Англия не хотят, чтобы Албания принадлежала Италии, поскольку это усилит Италию; не хотят, чтобы она принадлежала Греции, поскольку это усилит Грецию; не хотят, чтобы Албания принадлежала Югославии. Больше того, Америка не хочет, чтобы Албания принадлежала Англии. Из-за этого они стоят за сохранение независимости Албании…./abcnews.al

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button