Droga, Holanda dhe Shqipëria, cila është e vërteta e sikletshme?
Albert Hitoaliaj*
Ky shkrim është një përpjekje për të hedhur dritë mbi shtysat, motivet dhe rrethanat të cilat ndikuan votimin e Parlamentit holandez për rikthimin e vizave, për pezullimin e lëvizjes së lirë në Shengen të shqiptarëve; përpjekje për të kuptuar nëse shqiptarët janë vërtet kontribuuesit e përkeqësimit të situatës së sigurisë në Holandë dhe ndikues të rritjes së trafikut të drogave.
Kërkesa drejtuar Parlamentit nga partitë holandeze për këtë pezullim emergjence vizash, argumentohej me idenë se shumë shqiptarë që mbërrijnë në Holandë si turistë përfshihen aty në trafikun e drogave të rënda dhe në atë të klandestinëve drejt Anglisë. Trafiku i drogave të rënda do të përbënte problemin kryesor dhe shqetësimin më të mprehtë. Dihet, që trafiku i drogave në Holandë as nuk është krijuar e as nuk është nën kontrollin e shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të kenë ndikim “të jashtëzakonshëm” te një sistem kaq i ndërlikuar ndërkombëtar i trafikut të narkotikëve. Po! – ata kanë peshën dhe vendin e tyre brenda këtij sistemi trafiku ndërkombëtar.
Por, në rastin e Holandës, qëndrimi për rikthimin e vizave nuk ka lidhje me rritjen e kriminalitetit shqiptar e madje, edhe lëvizjen e lirë nuk e kemi falë Holandës, por ky është diskutim tjetër. Në mënyrë ironike, krimi shqiptar duket si një “kamerdare” për politikën aktuale holandeze. Në mënyrë akoma më ironike, prej së paku dy vitesh kanë rënë disa kambana nga institucionet policore holandeze lidhur me shndërrimin e Holandës në atë shtet që ata shprehimisht e quajnë një “narkoshtet”. Sipas burimeve e të dhënave të ndryshme Holanda rezulton e dështuar në luftën kundër drogave.
Nga media, policia, politika, shoqëria civile etj., pranohet që Holanda është “kuzhina kryesore” e planetit për prodhimin e drogave sintetike. Paralel me këtë superprodhim që furnizon globin, Holanda mban vendin e parë edhe për furnizimin e Europës me kokainë, përmes portit më të madh europian, atij të Roterdamit. Ekziston një qarkullim eurosh shumëmiliardësh, me prejardhje nga fitimi i tregtisë së drogës, i cili ka depërtuar kudo në Holandë, duke u shndërruar në investim, pastrim parash, turizëm, ndikim politik etj.
Zotërinjtë e mëdhenj të drogave sintetike dhe drogave të forta si kokaina p.sh., janë kriminelët e vjetër holandezë. Megjithatë, transformimi i saj në një “Meksikë europiane”, siç quhet nga media, e ka bërë atë një magnet për grupe kriminale nga e gjithë bota. Këtu, vijmë të shqiptarët. Edhe shqiptarët, kanë shkuar në këtë “treg” të magjepsur nga joshja që ky vend i bën botës së krimit. Aty ka “punë”, ka “mall”, ka para. Ekziston mjedisi i duhur për lulëzimin e kësaj tregtie. Mjafton kaq.
Kriminaliteti në rritje i Holandës thuhet se vjen nga dështimi i politikës së frenimit të trafikut të drogës. Politika liberale duket se e ka përkeqësuar në vend që ta përmirësojë situatën, por ka që e mendojnë në të kundërt këtë gjë. Megjithatë, sipas burimeve të ndryshme, këtu ka krisje te shoqëria dhe te politika holandeze.
Momentalisht ka një emergjencë për të vepruar kundër krimit që po përshkallëzohet në Holandë (flitet për laboratorë të shumtë ku prodhohen drogat sintetike) dhe nga ana tjetër, janë hedhur idetë që drogat sintetike të përdoren lirshëm, njëlloj siç tymoset hashashi.
Përdorimi i lirë i drogës dhe trafiku i saj nuk mund të kuptohet pa një këndvështrim të shkurtër historik të përdorimit të narkotikëve. Ky vlen, që të kuptohet më qartë rrënja e tregjeve, problemit në Holandë dhe efektet e këtij problemi mbi ne shqiptarët.
“Droog”: emri që i dhanë holandezët…
Në historinë njerëzore, fjala “drogë” ka tre kuptime të përcaktuara qartë: identifikon bimën; tregon disa lloje ilaçesh; do të thotë substancë narkotike. Origjinës së fjalës i gjendet fillesa te tradita e gatimit aziatik që përdorte drogën (bimën) në ushqime. Ky përdorim gastronomik u fut edhe në Europë rreth shekullit të XVI, me zbulimin e botëve të reja nga spanjollët, portugezët dhe holandezët.
Nuk është rastësi që ua kemi borxh këtyre të fundit [holandezëve], rrënjën e emrit “drogë”, etimologjia e të cilit rrjedh nga fjala holandeze “droog” (që do të thotë “e thatë”), pasi droga është fillimisht një bimë e thatë (Carlo Spinelli, Bistecche di formica…, Baldini & Castoldi, 2015).
Që nga shekull i largët, ai i 15-ti, ka rrjedhur shumë ujë e është “gatuar” shumë me këto lloje bimësh. Me kalimin e kohës, droga do të kalonte nga përdorimi i kuzhinierëve tradicionalë aziatikë dhe detarëve europianë që e provuan nëpër koloni, te të sëmurët, poetët, shkrimtarët, artistët, monarkët, politikanët, yjet e muzikës, kinemasë (madje s’la mënjanë as klerikët) e deri te përdorimi masiv i të gjitha shtresave shoqërore europiane, duke përfshirë edhe adoleshentët.
Nuk u desh shumë që të kuptohej se bimët që përmirësonin sjelljen dhe hiqnin dhimbjen etj., mund të përmirësonin shumë më mirë edhe gjendjen e xhepit të atij që i tregtonte.
Richard Davenport-Hines, historiani i shquar britanik, i nderuar edhe me çmimin Wolfson Prize, ka arritur të japë një pamje të plotë të historisë së drogave 1500-2000, duke dhënë detaje të shumta historike. Ai analizon gërshetimin e drogave, që nga niveli i zakoneve të përdorimit që kishte Charles Dickens apo John F. Kennedy, deri të shoqëria jonë moderne industriale ku, tregtia botërore vjetore e drogës qarkullonte mbi 400 miliardë dollarë $ para një dekade. Ky volum është i njëjtë me atë të industrisë së naftës (Richard Davenport-Hines, The Pursuit of Oblivion: A Global History of Narcotics/Drugs, Norton, 2003).
Disa fakte historike në mënyrë të shkurtër po sillen edhe këtu. “Çdokush me njëfarë ndikimi te politikat e qeverisë duhet ta lëxojë këtë libër dhe të zgjohet nga gjumi para se të jetë shumë vonë” – do të thoshte për librin, Phillip Knightley, gazetari i famshëm investigues i Sunday Times, i cili ka bërë disa nga scoop-et më të mëdha të shekullit të 20-të.
Dy fjalë për historinë dhe tregtinë e drogave
Zanafilla e përdorimit të drogës është antike, por do sillen vetëm disa të dhëna që kanë lidhje me ndërtimin e tregjeve dhe të përdoruesve. George IV, që nga koha kur ishte princ regjent, më 1811, pas marrjes së fronit të Britanisë më 1820 e deri kur vdiq përdorte gjerësisht “laudanum” (përbërje opiumi). William Wilberforce, politikani britanik, bamirësi dhe filluesi i lëvizjes për shfuqizimin e tregtisë së skllevërve, përdorte opium kur fliste publikisht dhe thoshte se “suksesin tim si orator publik e kam falë opiumit”.
Kompania lider britanike e atyre kohëve, East India Company, e fuste drogën në treg për kurimin e malaries kronike, gurëve të tëmthit… por, edhe të depresionit. Përdorimi sa vinte e shtohej. Konti i 31-të i Mar-it, vdiq më 1828 nga verdhëza, por hyri në histori sepse kompania e sigurimeve të jetës, Edinburgh Life Assurance Company, nuk i pagoi sigurimin e jetës kur u mor vesh se ai kishte varësinë e ngrënies së opiumit në një sasi të tillë sa të konsiderohej si jetëshkurtuese. Pra, droga krijonte varësi dhe vriste.
Gjithsesi kërkesa për të, nuk vinte vetëm nga ata me varësi prej saj. Shpërndarësit lulëzuan kudo. Mjekët betoheshin për efektet e saja pozitive. “Heq melankolinë, krijon besim, shndërron frikën në guxim, e bën të heshturin elokuent dhe frikacakun trim” – thoshte mjeku i shekullit të 18-të, John Brown. Opiumi përdorej kundër dizenterisë në Luftën Civile amerikane dhe si parandalues për malarien. Forcat e Unionit përdorën dhjetë milionë pilula dhe miliona gramë pluhur opiumi.
Tregtia tashmë po merrte formë globale. Qeveria indiane rriti fitimet nga shitja e opiumit në Kinë, ndërsa përdoruesit kinezë e çuan vesin e tyre nga Londra në Kaliforni. U hapën klube tymosje opiumi në Carson City dhe Reno në Nevada, Chicago, St. Louis, New Orleans dhe New York. Këto klube, dyqane, zotëroheshin nga amerikanë të bardhë e të respektuar. Kinës i kushtoi shtrenjtë opiumi. Në mesin e shekullit të 19-të Kina dhe Perandoria Britanike u përfshinë në dy luftëra: Lufta e Parë e Opiumit (1839-1842) dhe Lufta e Dytë e Opiumit (1856-1860). Qëllimi britanik ishte zotërimi i tregjeve dhe tregtisë së opiumit, të cilën e bënte Kina. Ekonomia e Kinës u frenua rëndë dhe politikat zyrtare britanike për favorizimin e tregtisë së opiumit, mbizotëruan.
Ndërkohë, njerëzit ishin në kërkim të drogave më pak shkatërruese. Po vinte kokaina. Gjethet e bimës koka, kur përtypeshin, u jepnin qëndrueshmëri punëtorëve peruanë. Që nga 1860 ekstrakte të kokas jepeshin si trajtim për melankolinë. Jepeshin edhe si qetësues për fëmijët dhe për të fuqizuar të moshuarit, më 1863. Një sportist amerikan u akuzua se përtypte gjethe koka kur po bënte një garë 24orëshe – kjo ishte edhe çështja e parë e një polemike sportive për drogën.
Kërkesat rriteshin përditë. Më 1871 shiteshin rreth 36 milionë doza narkotikësh në treg dhe ata që pinin, e kishin futur te preferencat përzierjen e narkotikëve me alkoolin. Në anën tjetër vazhdonte përdorimi i drogave në mjekësi, që nga trajtimi i pagjumësisë deri për heqjen e dhimbjeve të lindjes te gratë; madje, për këto të fundit, efekti konsiderohej “thjesht magjik”.
Më 1884 një veteran i Luftës Civile Amerikane, krijoi një stimulues i cili do t’i largonte njerëzit prej opiumit: ajo ishte kokainë në verë. Në vitin 1898 firma gjermane Bayer krijoi një trajtues të ri (diacetylmorphine) për amzën, rrufën, bronkitin, emfizemën dhe turbekulozin. Emri që ata i vunë këtij ilaçi në treg, ishte “Heroin”.
Vetëm nja 20 vjet më vonë këto ilaçe kundër dhimbjes, pagjumësisë, melankolisë, depresionit etj., do të trajtoheshin me ligje kombëtare e ndërkombëtare si substanca të paligjshme. Por, a funksionoi kjo masë? Drogat e paligjshme llogariten në rreth 8% të gjithë tregtisë botërore nga Davenport-Hines. Ai sjell historinë e drogës ndër shekuj dhe nuk sheh zgjidhje te ndalimi i tyre, pasi nuk e sheh gjendjen e vetëpërmbajtjes si gjendje natyrale e parësore të njeriut. Ai nuk jep zgjidhje, por ofron ide dhe informacion.
Qysh në fillim ka pasur përplasje mendimesh për frenimin apo lënien e përdorimit të lirë. Kjo gjë diskutohet edhe sot, në Holandë: a duhen liberalizuar edhe drogat sintetike?
Tradita holandeze – nga kontrabanda e xhinit te prodhimi i drogave sintetike
“Ekstazia”, pilulat e drogave sintetike që kanë pushtuar diskotekat e gjithë botës janë produkt holandez prej dekadash. Cepi i kufirit të trefishtë Holandë-Belgjikë-Gjermani është epiqendra e prodhimit. Laboratorët e prodhimit të drogave sintetike atje, i ke kudo. Ke kimistë holandezë me trashëgimi brezash dhe një traditë antike kontrabande.
“Fillimisht ishin kontrabandistët e xhinit, djaj të shkretë që përpiqeshin të zbarkonin nën hënë. Pastaj, mësuan se si të sintetizojnë MDMA (ekstazinë)” – thotë gazetari i kronikës së zezë Hessel de Ree, për “Corriere della Sera”, e cila nuk ka asnjë muaj që i kushtoi një speciale prodhimit dhe trafikut të drogave sintetike në Holandë.
Këta trafikantë quheshin “bokkenrijders” në shekullin e XVIII. I favorizonte territori i gjerë fushor, pa kufij e më shumë mundësi arratisje. Më 1843, pas vendosjes së kufijve mes Belgjikës dhe Vendeve të Ulëta, lindi një aktivitet specifik: kontrabanda. Si fillim, gjalpë, kripë e ushqime. Ata ishin katolikë të varfër në një vend protestantësh. Pas kontrabandës së xhinit tradicional “jenever”, hodhën një hap cilësor: filluan distilimin.
“Gatimi” i MDMA-së apo amfetaminës, nuk është edhe aq i ndryshëm, por shumë më fitimprurës. Dhe ja ku vijnë vitet 1980, kur holandezët bëhen më të zotët nga të gjithë për këtë. Qarkullojnë ekstazinë nëpër botë me ndihmën e mafies izraelite, bëjnë pasuri dhe para me thasë. Policia e drejtësia lëvizën si mundën, por jo sa e si duhet: pa mjete, pa njerëz dhe pa profesionistë të shumtë, përballë një tolerance në rritje për drogat. Dënime të lehta dhe konsolidimi i një politike tradicionale shpërfilljeje duke i lënë dorë të lirë të gjitha aktiviteteve, të ligjshme ose jo.
Shtojmë këtu faktin se Roterdami, porti më i madh i Europës ndodhet pak kilometra larg Anversës, portit të dytë më të madh europian, në Belgjikë. Kanale ujore, rrugë, aeroporte, infrastrukturë nga më e mira, lehtësira të mëdha investimi për të gjithë afaristët. Pra, një vend që tërheq investitorë të çdo lloj aktiviteti, të ligjshëm e jo. Nuk mungojnë afaristët italianë.
“Këtu ka plot piceri, që nuk bëjnë pica fare” – thotë De Ree. Operacioni “Pollino” e konfirmoi këtë gjë. Në dhjetorin e shkuar, u arrestuan 84 individë nga Kalabria në Europën veriore; biznese të mbyllura; katër tonë kokainë dhe 140 kg pilula ekstazie u sekuestruan.
Rrjeteve tradicionale të kokainës u janë bashkëngjitur me kohë edhe drogat sintetike. Kriminelëve të vjetër holandezë iu bashkuan mafiozët turq, bandat marokene, shqiptare, ruse, si dhe eksponentët e Ndrangheta-s dhe Camorra-s.
Droga sintetike edhe pse duket si produkt i dorës së dytë ka avantazhin e një hapësire shumë më të lartë fitimi: 16 centë për të bërë një pilulë që bën 20 dollarë në SHBA dhe 30 në Australi. Tregu i brendshëm është më i lirë. Një pilulë ekstazie bën vetëm dy euro. Në fakt, më lirë se një birrë. Një milionë holandezë e kanë provuar të paktën një herë drogën MDMA.
Mjafton të përmendim statistikat e “European Monitoring Centre for Drugs and Drug Addiction” kur analizohet përmbajtja e MDMA-së në ujërat e zeza për 1000 persona. Në Milano për 1000 persona, ajo llogaritet 4.3 mg, kurse në Amsterdam është 230.3 mg. E ç’koment duhet më…
Në Amsterdam e bën porosinë si të marrësh një taksi. Vjen shpërndarësi me katalog dhe ti zgjedh. Çdo gjë online: llojet, çmimet, sasia, mënyrat e shitblerjes etj. Ke mundësi të zgjedhësh edhe pilula me figura të personalizuara madje! Pas goditjeve që mori “dark-uebi” u kalua te komunikimet me programin e kriptuar “Telegram Messenger”. Gjen përmes rrjetit kibernetik drogë, armë, uniforma false policie e çdo gjë ilegale që do.
Ka kaq shumë ekstazi në qarkullim saqë është hapur debati i legalizimit të saj në Holandë. Në krye qëndron deputetja e të Gjelbërve, Kathalijne Buitenweg. Sipas saj, politikat e lufëtës kundër drogave sintetike kanë dështuar sepse prodhimi dhe përdorimi janë shtuar. Strategjia e saj është lejimi i përdorimit.
Kryeministri Mark Rutte deklaroi për “Corriere” se nga kjo dëmtohet shëndeti, kurse ministri i Drejtësisë, Grapperhaus, thotë se “nuk e kanë në agjendë”. Por, Buitenweg i cilëson si hipokrizi këto deklarata, pasi “përderisa po diskutojmë nuk mund të mos jetë në agjendë”, – thotë ajo.
Zërat e atyre që flasin për dëmet e rënda që sjellin drogat sintetike në tru e ndaj jetës janë të dobët e nuk i dëgjon askush. Por, të gjithë shohin se si në vite Holanda po bëhet më e dhunshme nëpër rrugë, më e pasigurt, me krim në rritje dhe më viktima që vijnë nga vrasjet e droga. A është liberalizimi i drogave përgjigja e duhur? Apo kjo politikë moskokëçarjeje e liberale është përgjegjësja kryesore e situatës së kriminalitetit dhe trafikut të drogave në Holandë?
Policia holandeze: “Mund ta godasim krimin e organizuar, por politika nuk e do këtë…”
Në shkurt 2018, sindikata e policëve holandezë (NPB), denoncoi përmes një dokumenti zhvillimin e kriminalitetit të lidhur me drogën (dokumenti “Noodkreet Recherche – Waar blijft onze versterking?” gjendet online në: https://www.politiebond.nl/assets /Noodkreet-Recherche-DEFINITIEF-20-feb-2018.pdf). Ata deklaruan (me nënvizim), se Holanda ishte bërë vërtet një “narco-staat” / narko-shtet në tridhjetë vitet e fundit (“Nederland is echt een narco-staat geworden de laatste dertigjaar”).
Nuk e deklaruan këtë mijëra të rinj që pushtojnë përditë Holandën për të përdorur drogë të çdo lloji, të ligjshme si hashashi ose jo, por e deklaroi një institucion me përvojë në luftën e krimit dhe natyrisht që ka informacion të saktë. Këta policë, bënë përgjegjës për gjendjen, institucionet publike, të cilat shfaqin në luftën kundër kriminalitetit dhe trafikut të narkotikëve një mosinteresim total.
Pasi bënë një hetim të plotë të brendshëm dhe pasi pyetën qindra policë, ata arritën në përfundimin se Holanda është në krye të shteteve që përfitojnë nga kanabisi, drogat sintetike dhe importi i kokainës (e cila vjen nga porti i Roterdamit). Sipas NPB, ky është produkt i politikave liberale të lejimit të drogave të lehta, i viteve ‘70. Në këtë dokument një komisar tregon se në dekadën e fundit ka qenë dëshmitar i ngritjes sociale të shpërndarësve të vegjël, të cilët “janë bërë sot biznesmenë të mëdhenj dhe investitorë të respektuar nga të gjithë, me lidhje të shkëlqyera edhe me botën politike.”
Dokumenti thekson se: “Ne [policia] mund ta shtrëngojmë, por qeveria nuk e do vërtetë këtë. Interesa të tjera? Nuk ka asnjë mbështetje të vërtetë politike për të luftuar krimin e organizuar”.
Ata thonë se është hequr fokusi nga krimi i organizuar dhe se ka pak hapësira për aktivitetin hetimor parandalues. Kriminelë të shumtë, të rangut të vogël, në 25 vitet e fundit kanë investuar në industrinë e hotelerisë, në tregun e banesave, te agjencitë e udhëtimeve, etj. “Një qendër estetike për nxirje lëkure, ku zor hyn ndonjë klient gjatë gjithë ditës e që xhiron vjetore e ka një milionë [euro]; a nuk quhet ky pastrim paraje” – citohet në raport një deklaratë për këtë lloj aktiviteti të lidhur me drogën.
“Presidenti i një klubi futbolli është mik me një emër shumë të madh të krimit. Që atëherë, klubi paguan lojtarët dhe i çon për stërvitje në fushat e Portugalisë. Dhe tani, presidenti i klubit është duke u futur në politikë. Shqetësuese! Korrupsioni po rritet në mënyrë konstante. Informacioni është ari i ri.” – thotë një tjetër efektiv në raport.
Krimi kërcënon figura të njohura, si: kryetarë bashkish, këshilltarë, gazetarë. Në sytë e shumë hetuesve të policisë, Holanda ka tiparet e një narko-shteti, të një shteti ku sundimi i ligjit është i dobësuar nga të pasurit në pushtet, të një ekonomie paralele, droge. Në tërësi, sipas mendimit të shumë hetuesve, kabineti Rutte III, i kryeministrit aktual Mark Rutte, duket se e nënvlerëson gërryerjen e themeleve që po i bën krimi shoqërisë holandeze. Në këtë pikë, hetuesit ndihen të zhgënjyer nga politika.
NPB, duke pyetur 400 kolegë policë për dy vjet, arriti të bëjë një përmbledhje të thukët të problematikës që prek policinë holandeze dhe pamundësinë e saj për të luftuar krimin. Përgjegjësinë kryesore ata e shohin te politikat e dekadave të fundit. Disa nga shkaqet e gjendjes së rënduar, sipas tyre janë: mungesa e hetuesve; shkurtimi i buxheteve dhe mungesa e shërbimeve mbështetëse, për forensikë etj; puna me orar të tejzgjatur, të cilën e konsiderojnë si formë robërie; nevoja për shtimin e burimeve njerëzore, të hetuesve, krahasuar me përqindjen që kanë vendet perëndimore, nga ku, Holandës i duhen edhe 4000 oficerë hetimi më tepër; pagesat dhe vlerësimi moral për oficerët e hetimit duhet të rriten; trajnimi i pamjaftueshëm që vjen si pasojë e mungesës së kohës; kapacitetet IT janë shumë mbrapa, konsideruar se po përballen me rrjete shumëmiliardëshe të krimit: agjentët në terren nuk kanë burime të mjaftueshme teknologjike; burokracia brenda Policisë ka arritur nivelet më të mëdha të para ndonjëherë; bashkëpunimi me institucionet e tjera të shtetit është në një nivel që lë për të dëshiruar, ku ata pohojnë se janë miliarda që ikin nga duart nga bashkëpunimi jo i mirë i policisë me tatimet dhe me drejtësinë.
Në fund, këta 400 policë të pyetur për të ndërtuar këtë dokument problematik, nxjerrin si shkak edhe faktin se askush brenda institucionit nuk guxon të thotë një mendim kritik. Tradicionalisht, në polici nuk mirëpritet kritika e hapur ndaj kolegëve apo menaxherëve/drejtuesve. Është e qartë, nga të gjitha diskutimet, se shumë nga oficerët e hetimit kanë probleme me këtë frymë frike.
“Askush nuk guxon të hapë gojën. Të gjithë po mbijetojmë” – citon raporti zërin e efektivëve të policisë lidhur më këtë shqetësim.
Tezën e sindikatës së policisë e konfirmoi edhe një koment publik në të përditshmen e fuqishme “De Volkskrant”, nga profesori i ekonomisë i universitetit të Tilburgut, prof. Pieter Tops, sipas të cilit Holanda ka humbur kontrollin e tregtisë së drogës, edhe pse Holanda, në dallim nga narko-shtetet e tjerë, ka polici të pakorruptuar.
Përballë këtyre akuzave të rënda që u bënë vjet, autoritetet u detyruan që të përgjigjen dhe e bënë përmes ministrit të Drejtësisë, Ferdinand Grapperhaus, i cili nënvizoi se sa fuqishëm vendi po lufton kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve(?!). Por, policët e Hagës, Amsterdamit apo Roterdamit, nuk kanë trajnimin e duhur dhe nuk kanë infrastrukturën e duhur për tu përballur me rrjetin shumëmiliardësh të trafikantëve holandezë, që dërgon furnizime në gjithë botën – shkruante, “La Republika”, e shqetësuar për këtë problem jo vetëm holandez, por edhe evropian.
Holanda dhe drogat sintetike: një e vërtetë e sikletshme
«Holanda është një vend prodhues dhe tregtues i madh i drogave sintetike (sidomos XTC dhe amfetamina). Në fakt, kriminelët holandezë janë liderë globalë në industrinë e drogave sintetike, me rrjete shpërndarje dhe aktivitet tregtimi në të gjithë botën. Është një biznes shumëmiliardësh i cili ka krijuar një ekonomi hije e cila është tërheqëse për shumë njerëz.
Ky libër tregon se përse Holanda është bërë dhe (veç në mos pastë ndonjë veprim drastik nga qeveria holandeze) do të mbetet një lojtar i tillë i madh për drogat sintetike. Kjo është një përmbledhje e shkurtuar e një tjetër libri “boom”, mbi kriminalitetin, i cili quhej “Waar een klein land groot in kan zijn. Nederland en synthetische drugs in de afgelopen 50 jaar” / “Një vend i vogël që grushton më fort se sa pesha e vet. Holanda dhe drogat sintetike në 50 vite”).
Libri i dytë, i shkurtuari, “The Netherlands and synthetic drugs: an inconvenient truth 2018” (“Holanda dhe drogat sintetike: një e vërtetë e sikletshme”) ashtu si dhe libri i parë, janë botime të Akademisë së Policisë së Holandës, (Politieacademie). Qëllimi i autorëve: Pieter Tops, Judith van Valkenhoef, Edward van der Torre dhe Luuk van Spijk, si pjesë e Akademisë së Policisë (Tops është gjithashtu edhe profesor në Universitetin e Tilburgut) ishte kontributi në debatin kombëtar e ndërkombëtar rreth drogave, krimeve të drogave dhe luftën kundër drogave».
Pjesa më sipër, është fragmenti i vendosur në kopertinën e librit të dytë, “Holanda dhe drogat sintetike: një e vërtetë e sikletshme”. Dy-tre fragmente aty, japin qartë tërësinë e asaj që po ndodh: “kriminelët holandezë janë liderë globalë në industrinë e drogave sintetike […] është një biznes shumëmiliardësh i cili ka krijuar një ekonomi hije […] Holanda është dhe do të mbetet një lojtar i madh për drogat”. Frika që qëndron në ajër, është se Holanda po transformohet në atë që shkruhej vjet në gazetën kryesore holandeze, NRC: “Po! Holanda është si Meksika, një narko-shtet”.
Disa nga gjetjet më të rëndësishme të këtij studimi po sillen këtu, të shkurtuara.
– Drogat sintetike janë një problem kombëtar i Holandës që dëmtojnë pozicionin dhe imazhin ndërkombëtar të Holandës në komunitetin ndërkombëtar. Ka mungesë të rëndë, te financimi, burimet njerëzore dhe bashkëpunimi me bazë të gjerë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit.
– Në 2017 trafikantët në Holandë prodhuan së paku 18.9 miliardë euro XTC dhe amfetamina; duke supozuar me përafërsi. Kjo shifër mund të shihet si kontributi i drogave sintetike holandeze në ekonominë e paligjshme botërore.
– Shuma e parave të paguara për drogat sintetike “jashtë laboratorit”, d.m.th. të paguara direkt te prodhuesit në Holandë, është të paktën 610 milionë euro. Në fazën tjetër të tregtimit, të ardhurat për tregtuesit holandezë shkojnë nga 3 deri në 5 miliardë euro. Në lidhje me fitimet mes hallkës “jashtë laboratorit” deri në hallkën “shitje në rrugë”, ku është “paraja e madhe”, dhe që janë shifra të rëndësishme sepse trafikantët kryesorë aty e kanë fitimin maksimal, dihet pak.
– Kapacitetet holandeze të informacionit lidhur me drogat sintetike janë “mjerisht të pamjaftueshme”; është investuar pamjaftueshëm te burimet njerëzore që janë të afta për interpretimin e zhvillimeve dhe prirje ndërkombëtare; ka mungesë të kapaciteteve analizuese. Këmbimi i informacionit mes organizatave qeveritare e të tjera, është problem. Kemi të bëjmë më konkluzione shokuese për një vend që ka një rol të kaq spikatur në botën e drogave sintetike.
– Kriminelët holandezë janë ndër lojtarët më të mëdhenj në botë për prodhimin e drogave sintetike. Kriminelët ndërkombëtarë bëjnë porosi të mëdha droge në Holandë. Raporti cilësi-çmim i drogave sintetike holandeze është i mirë. Drogat e porositura në Holandë shpërndahen me besueshmëri (sipas standardeve kriminale) kudo në botë. Po rriten transaksionet në internet; vlerësohet se një e katërta e fitimeve të tregtisë globale të drogave sintetike kalon nga Holanda.
– Holanda ka mjedis ideal për kriminelët e angazhuar me drogat sintetike; vendndodhje dhe infrastrukturë favorizuese për sipërmarrësit ndërkombëtarë. Nuk duhet krah pune për të prodhuar në laboratorë drogat dhe kjo ul mundësinë e kapjes; kriminelët kryesorë rrinë në distancë nga puna praktike. Dënimet dhe konfiskimet janë tërësisht të ulëta; kjo favorizon prodhimin e drogave sintetike.
– Trajtimit të drogave sintetike, pavarësisht nevojës, i kushtohet pak rëndësi. Veprime antidrogë marrin prioritet vetëm kur kryetarë shtetesh mike (SHBA, Francë) japin alarmin për industrinë e drogës në Holandë. Por, efekti i presionit të jashtëm është po ashtu relativisht i shkurtër.
– Thjeshtimi i prodhimit të drogave: janë rritur në shkallë e profesionalizëm laboratorët e mëdhenj; dhe, prodhimi është zgjeruar në laboratorë të vegjël që punohen nga individë, nëpër lagje banimi.
– Një pjesë e madhe e lëndës së parë, kimikateve dhe pajisjeve laboratorike vjen nga Kina. Përmes aftësive të tyre teknologjike dhe kimike, kompanitë kineze janë një megalehtësues për krimin holandez të drogave sintetike. Proceset e ngathëta ndërkombëtare, këshilluese dhe juridike, nuk përputhen me ekspertizën dhe zhdërvjelltësinë e koalicioneve kriminale kinezo-holandeze.
– Procesi kriminal i prodhimit të drogave sintetike është shumë kompleks; konsumatorë e prodhues janë të lidhur bashkë përmes një koordinimi të zgjuar ndërmjetësues kriminal. Këta veprojnë përmes bizneseve të ligjshme të shumëfishta, kriminelëve të specializuar dhe atyre të vegjëlve që i përdorin si korrierë.
– Për shumë kohë kriminelët e drogave sintetike e kontrolluan këtë botë, bazuar në rregulla të drejta, si një biznes shumëmiliardësh dhe duke punuar në rrethe të ngushta e me njerëz që i njihnin. Tashmë bota e drogave sintetike është më e pasigurt, më konkurruese dhe më e dhunshme. Ka ndryshuar.
– Kryetarët e bashkive, gjykatësit dhe policia kanë kuptuar se krimet e lidhura me drogën kanë një efekt të fortë rrënues mbi shoqërinë. Ai shihet te dhuna ekstreme në rrugë, te rrezikshmëria që kanë laboratorët nëpër zona banimi, ndotja e mjedisit nga hedhja e mbeturinave të shumta të prodhuesve. Në një nivel më të thellë, ka një të vërtetë edhe më alarmuese: prodhimi i drogave sintetike është një mënyrë relativisht e lehtë për shumë individë që të grumbullojnë para, respekt dhe pushtet. Krimi i organizuar i drogave, është shkaku i rritjes së dhunës, si dhe i rritjes së padrejtësisë dhe pabarazisë shoqërore.
Një qasje me bazë të gjerë ndaj këtij problemi, duhet të jetë prioriteti më kryesor për qeverinë holandeze. Absolutisht që ky është rasti. Kjo është një e vërtetë e sikletshme…
Siklet që s’ua heqim dot…
Duket ironike, por ngjan se edhe Holanda po na krijon probleme si vend dhe jo anasjelltas. Trafikantët shqiptarë pasurohen në Holandë dhe investojnë në Shqipëri, duke ndikuar zhvillimet politiko-shoqërore. Një pjesë e mirë e shqetësimeve holandeze na përkasin edhe neve si vend. Ato vijnë, ashtu siç thonë ekspertët holandezë, edhe përmes kontributit të lojtarëve të mëdhenj holandezë të drogave, në ekonominë globale të krimit.
Por, qeveria holandeze, duket se e gjeti “rrugëdaljen” nga kjo situatë më shumë se 50 vjeçare, e gërryerjes së shtetit dhe të shoqërisë holandeze nga tregtia dhe prodhimi i drogës që bëhet në Holandë. “Faji” për këtë situatë i takon lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë (!). Sikur të bëhej realitet zgjidhja e problemit holandez, përmes vendosjes së vizave për shqiptarët, e shumta që do ndodhte, është se ndonjë gjyshe nuk do të shkonte të mbante nipërit e mbesat në Europë, në oraret që prindërit e tyre shqiptarë janë në punë.
Të mendosh seriozisht se kjo masë do frenonte tërë këtë tregti që thamë, është cinike dhe e tepërt. Është një “lajthitje” holandeze, e cila dëmton Shqipërinë e njëmijë e një halleve dhe nuk prek aspak ata që merren me drogë e trafiqe. Preferoj ta konsideroj me mirë “lajthitje”, se sa strategji gjeopolitike me ndikim te zgjerimi i BE-së dhe, te raportet e brendshme e të jashtme, të vendeve kryesore të kësaj organizate, me fuqitë e tjera kryesore ndikuese në Ballkan.
Holanda duhet të na lërë në hallet tona primitive, e mos të na e bëjë kaq shumë qejfin, duke e konsideruar lëvizjen tonë si kërcënim për BE-në. Prodhimi dhe tregtia e drogave në Holandë është “një e vërtetë e sikletshme” dhe nga ky siklet ata duhet të dalin vetë, pasi nuk i ka futur aty shoqëria shqiptare…
*****
*Botuar në Dita. Autori është Doktor Shkencash në fushën e Sigurisë, (specialiteti gjeopolitikë). Ndalohet riprodhimi i materialit pa lejen me shkrim të redaksisë