Marin Mema: Ja kush është Krokodili i Himarës

Ai është një figurë shumë pak e njohur në historiografinë zyrtare shqiptare. Emrin e kishte Krokodil dhe e tregonte me krenari identitetin e tij arbëror ndonëse edhe pse kjo pjesë sot i fshihet, duke e konsideruar si grek. Të gjithë jetën ia dha kryengritjeve të mëdha antiosmane, por edhe kundër venecianëve. Forca e tij ushtarake u kthye në tmerrin e fushëbetejave aq sa askush nuk do të donte ta kishte kundërshtar… Kjo është historia e Krokodil Kladhës, “Krokodilit të Himarës”…

Mendohet se Kladhajt origjinën e kishin nga Himara dhe kjo dallohet kur vetë Krokodili do të zbriste për luftime disa herë në këtë zonë, duke treguar lidhjen e tij me banorët e krahinës.

Sipas historianit Pëllumb Xhufi, emri Krokodil që në të dëgjuar është një emër i tmerrshëm dhe i frikshëm dhe në mesjetë kjo ka qenë një praktikë e zakonshme. Këta quhen emra të vrazhdë, që ju viheshin djemve, sidomos atyre që ishin të predestinuar për t’u bërë luftëtarë apo kur lindje në familje luftëtarësh, kapedanësh apo jo.

Krokodil Kladha si një straiot apo ushtarak me pagesë, nis të përmendet dendur në dokumenta pas vitit 1465, kur renditet mes pesë krerëve më të fuqishëm arbërorë, të cilët konsideroheshin si të domosdoshëm për venecianët në luftën e tyre ndaj osmanëve. Këta të fundit tashmë ishin derdhur në Peloponez, ku Sulltan Mehmeti i II po nënshtronte me radhë të gjitha këto territore. Mes zonave të pakta që nuk ju nënshtruan osmanëve ishte ajo e kalasë së Shën Gjergjit dhe komandanti i saj, një njeri i ashpër dhe fort i përgatitur siç e përshkruajnë venecianet, e që quhej Krokodil Kladha. Megjithatë të vënë nën presionin e ushtrive osmane, shumë shpejt venecianët u tërhoqën, duke kërkuar një marrëveshje paqeje.

Kladha kishte nën komandën e tij, mbi 10 apo 11 mijë trupa ushtarake të cilat ishin të vështira për t’u mposhtur për vetë përgatitjen që kishin. Ishte prilli i vitit 1481, kur Kladha u përball me forcat e shumta osmane në zonat malore të krahinës së Manit. Betejat raportohet të kenë qenë të përgjakshme, por mungesa e armatimit i detyroi arbërorët të tërhiqen dhe sipas të dhënave Kladha është vendosur në një kështjellë- port të vogël detare, ku e prisnin dy anije të mbretit të Napolit, të cilat e morën Kladhën bashke me familjen dhe ai u vendos në mbretërinë e Napolit. Mbreti e priti me ndere të mëdha, duke i akorduar edhe titullin e madh magnifikus dhe i dha edhe një pension goxha të mirë prej 300 dukatësh venecianë në vit, një shumë jashtëzakonisht e madhe. Të gjitha këto nuk e ndaluan Krokodil Kladhën të kthehej në trojet e tij, përkundrazi…

Në vitin 1481 në tokat arbërore rikthehet djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti. Qëllimi ishte realizimi i një kryengritjeje masive e cila mbështetej edhe nga mbreti i Napolit. Detajet mungojnë, por është fakt se pasuesi i heroit kombëtar zgjodhi të kishte në krah pikërisht Krokodil Kladhën. Përgatitjet për zbarkimin e tyre u realizuan shpejt dhe sipas dokumentave dy prijësit kryesorë, por edhe mjaft luftëtarë të tjerë, prekën tokën arbërore në korrik të vitit 1481. Ata zbarkuan në dy pika, njëra në Durrës, nga ku Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut kishte për qëllim që të rimerrte Krujën dhe më pas t’i drejtoheshin Shkodrës. Kurse grupi tjetër i përbërë nga Krokodil Kladha dhe nga Kostandin Muzaka zbarkuan në zonën e Himarës, duke i mposhtuar ushtrië osmane në këtë kala e më pas edhe në Borsh.

Nga krahu tjetër ushtria Osmane në kundërpërgjigje nisi forca të shumta ushtarake nga zona e Vlorës me në krye bejlerbeun e Rumelisë Sulejman Alibeun. Sipas dokumentave pas një beteje të ashpër e fort të përgjakur, kryengritësit arbërorë jo vetëm fituan, por zunë rob edhe komandantin e ushtrisë osmane.
Por pavarësisht sukseseve të para nga hapësirat jugore deri ne ato përreth lumit Erzen, rrënimi ekonomik i vendit, përçarja që Perandoria Osmane mbolli në zona të caktuara; ushtria numerikisht e vogël arbërore dhe e paarmatosur siç duhet, e pati të pamundur të pengonte shtypjen e kësaj kryengritje. Për më tepër edhe mbreteria e Napolit në 1483 bëri paqe me Osmanët ç’ka do të thotë se sërisht arbëroret u gjendën të vetëm dhe pa asnjë mbështetje.

Gjon Kastrioti u tërhoq në Itali, ndërsa Krokodil Kladha në Peloponez. Kjo s’do të thotë megjithatë që ky i fundit nuk do të rikthehej në Himarë, përkundrazi.

Viti 1482 ashtu si e gjithë jeta e Krokodil Kladhës është e tejmbushur me beteja. Nga zonat e Dalmacisë ai rikthehet sërisht në Peloponez, por mesaduket thërritja e rrënjëve ka qenë më e fortë.

Në të njëjtin vit raportohet të jetë rikthyer në Arbëri, në Himarën e pararadhësve të tij. E pikërisht këtu Krokodil Kladha do të rrethohet nga forcat osmane. Ai u kap dhe siç thonë dokumentat veneciane dhe ato të mbretërisë së Napolit trupi u copëtua i gjallë, si formë kjo për ta bërë shembull.

Edhe sot në Himarë të vjetër, mbi hyrjen e katedrales së Shën Sergjit dhe Bakut, qëndrojnë të gdhendura dy shqiponja, simbole të kësaj periudhe, kur Gjon Kastrioti e Krokodil Kladha zbritën këtu, për ta çliruar nga trupat osmane.

Ai për fat të keq pak njihet. Betejat e tij, përplasjet, sakrificat, flenë mes librave të harruar e dokumentave të vjetra. Në fakt nuk duhet të ishte kështu sepse ky luftëtar, ky prijës përfaqëson tre elementë të rëndësishëm historikë, Himarën, Arbërorët dhe Arvanitasit, asnjë prej tyre sigurisht nuk mund të ndahet.

Back to top button