Sezoni veror, Çekia sjell policë në Shqipëri për patrulla të përbashkëta

Republika e Çekisë dhe ajo e Shqipërisë do të ngrenë patrulla të përbashkëta policie gjatë sezonit veror në qytetet bregdetare.

Lajmi u bë i ditur nga ambasadori i Republikës Çeke në vendin tonë, Jarosllav Ludva, gjatë  vizitës sot në qytetin e Vlorës, ku u prit në takim nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Loading...

Ambasadori është shoqëruar nga diplomati Adriatik Shino.

Në fjalën e tij në gjuhën shqipe, ambasadori Ludva tha se “Vlora jo vetëm është një qytet shumë i bukur, por edhe shumë i rëndësishëm. Në Vlorë vijnë shumë turistë çekë sepse në ka det, mal dhe është qytet me arkitekturë të bukur”.

“Çdo vit kemi më shumë turistë çekë në Vlorë. Gjatë sezonit veror në bashkëpunim me Ministrinë tuaj të Brendshme dhe me tonën do të ngremë patrulla në bregdet”, theksoi Ludva.

Diplomati Adriatik Shino tha se “gjatë vizitës që bëri ministri i punëve të Brendshme dhe presidenti i Policisë Çeke në Shqipëri në 8 prill ramë dakord që policia çeke të dërgojë përfaqësuesit e saj këtu që të patrullojnë me kolegët shqiptarë”.

Sipas tij, për vit po rritet prania e turistëve çekë në Vlorë dhe në Shqipëri.

Në fjalën e mirëseardhjes kryebashkiaku e falënderoi diplomatin çek për vizitën, ndërsa evidentoi faktin se turistët çekë prej kohësh janë të pranishëm për turizëm në Vlorë.

“Iniciativa e bashkëpunimit vjen në rangun e përfaqësimit më të lartë diplomatik të një vendi mik siç është Çekia. Vlora ngelet një territor brenda të gjithë dëshirës së madhe për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët jashtë Shqipërisë për të gjetur mundësi për të promovuar më tepër punë, më tepër përpjekje bashkëpunimi dhe sigurisht një vend i mirë investimi për të gjithë ata njerëz që kanë dëshirën të bëhen pjesë e ndryshimit që po ndodh në këtë qytet, sidomos në katër vitet e fundit, falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, delegacioni Europian në Shqipëri dhe faktorëve të tjerë që janë përpjekur të ndryshojnë faqen turistike të qytetit”-, theksoi Leli.

Sipas tij, Vlora është shndërruar në një atraksion të ri modern në kuadër të turizmit dhe jo vetëm.

“Një tjetër atraksion është ekonomia ku hapësirat për të bashkëpunuar ngelen në plan të parë.

Kryebashkiaku Leli i prezantoi ambasadorit çek Ludva edhe investimet e reja që plotësojnë paketën turistike të Vlorës, restaurimin e qendrës historike.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button