Shqipëria dikur me 240 avionë, sot ka mbetur me 22 helikopterë

Tanimë, asnjë nga avionët që i përkisnin flotës ajrore luftarake të Shqipërisë nuk fluturon më. E me gjithë nostalgjinë e mundshme, – se me një Mig-21, fluturohej me shpejtësinë 1700 km/orë e lartësi 20 mijë metra, – padyshim koha e MIG-ëve shqiptarë ka mbaruar. Teknologjia ecën me ritme të shpejta. Sot një MIG-39 rus bën çudira. Një F-16 amerikan gjithashtu. E megjithatë, po jetojmë kohën kur pistat e Gjadrit e të Kuçovës përgatiten për armatim të ri…- shkruante “Dita” me rastin e Ditës së aviacionit shqiptar.

Aviacioni në letër

Loading...

Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak në Shqipëri u hodh në 1914, kur qeveria shqiptare porositi blerjen e tre avionëve Lohner Daimler nga Austria për të formuar Korpusin Ajror Shqiptar. Si rezultat i Luftës së Parë Botërore, urdhri u anulua.

Në vitin 1920 në Shqipëri janë bërë përpjekje për të organizuar Aviacionin Ushtarak. Më 9 shtator 1921, ministri i Luftës Selaudin Shkoza shprehte shqetësimin: “…tash për tash s’mundena me ble aeroplana…”.

Në nëntor 1929 u dekretua “Ligji mbi organizimin e Fuqive Armate”, sipas të cilit ushtria emërtohej “Ushtria Kombëtare Shqiptare” dhe ndahej në “Fuqitë Tokësore, Detare e Ajrore”. Por Forcat Ajrore nuk arritën të krijohen.

Krijimi i flotës

Aviacioni Luftarak Shqiptar u krijua pas Luftës së Dytë Botërore.

Pas vitit 1945 u hodhën hapat e para për krijimin e armës së aviacionit duke përgatitur grupet e specialistëve, pilotëve dhe teknikëve në Jugosllavi. Grupi i parë ka mbaruar në vitin 1949.

Grupi i dytë është përgatitur në ish-Bashkimin Sovjetik.

Më pas pilotët do të përgatiteshin në Vlorë ndërsa disa prej tyre do të specializoheshin në Kinë.

Krijimi i katër regjimenteve

Aviacioni Luftarak Shqiptar u krijua më 24 prill të vitit 1951, kur piloti shqiptar Peço Polena fluturoi me një avion të Forcave Ajrore, të montuar e përgatitur nga specialistët shqiptarë.

Reparti i parë ushtarak i aviacionit u krijua në Tiranë në vitin 1951, në Aerodromin e Laprakës.

Regjimenti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë. Ai do të pasohej më pas me krijimin e Regjimentit të Rinasit, Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve në Farkë dhe Regjimentin e Gjadrit.

200 avionë për të mbrojtur “ajrin”

Në vitet ’70-’80, Aviacioni Luftarak kishte në efiçencë të plotë mbi 70 avionë MIG-19 dhe 12 avionë MIG-21, një skuadrilje luftarake me 12 avionë MIG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15, 4 avionë transporti IL-14 për transport qeveritar, apo për studime ushtarake dhe gjeografike.

Në Tiranë, në Aerodromin e Laprakës ishin të dislokuar edhe 12 avionë transporti të lehtë AN-2 për transport trupash, apo në ndihmë të ekonomisë, ndërsa në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MIG-15 kishte edhe dy skuadrilje me avionë me helikë JAK-18, që shërbenin për përgatitjen e pilotëve në vitin e parë të kualifikimit si pilot.

Në Farkë ishin rreth 36 helikopterë MI-4

Në Rinas kishte gjithashtu edhe 1 (një) avion bombardues të lehtë tip IL-28.

Organizimi

Në fillimet e tij e deri në vitin 1974, aviacioni ka qenë pjesë e Komandës së Mbrojtjes Kundër Ajrore të Shtetit Shqiptar, ku Komandanti i Aviacionit ishte njëherazi Zv/komandant i MKA-së. Komandanti i parë i aviacionit ka qenë Kolonel Edip Ohri, i cili e ka komanduar atë deri në vitin 1974. Aviacioni ka qenë komandë më vete, deri në vitin 1995, kur aviacioni u bë pjesë e Forcave të Mbrojtjes Ajrore. Nga viti 1975 e deri në vitin 2005, komandantë të aviacionit kanë qenë Bardhyl Taçi, kolonel Klement Aliko, gjeneral Perlat Binaj, gjeneral Astrit Jaupi.

Fundi i avionëve supersonikë

Edip Ohri, komandanti më jetëgjatë i aviacionit, prej më shumë se 20 vitesh, ka firmosur për futjen e të gjithë avionëve në Shqipëri, nga viti 1951 deri në vitin 1974. Pas kësaj kohe Shqipëria nuk ka marrë më avionë.

Gjeneralbrigade Astrit Jaupi ishte komandanti me firmën e të cilit avionët MIG ndaluan së fluturuari, në nëntor 2005, pas një aksidentit tragjik në aeroportin e Rinasit.

Mbas 30 viteve shërbimi, MIG-21 u cilësua si teknologji e prapambetur. Por nuk ishte vetëm kjo. Pas ngjarjes së ndodhur në shtatorin e vitit 2004, ku në Rinas u rrëzua me avionin e tij piloti dëshmor, Jani Tarifa, u vendos kategorikisht që të ndaloheshin fluturimet.

Në nëntor 2005 kur u mor ky vendim u lanë në konservim si rezervë për fluturim: 2 Mig-21, 8 Mig-19, 4 Utimig-17, 6 Mig-17 dhe 4 AN-2.

Aviacioni me 43 dëshmorë

43 ushtarakë të armës së aviacionit kanë rënë në krye të detyrës dhe janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. Me vendim të Qeverisë Shqiptare, që nga data 24 prill e vitit 2003, ata prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe në rrethe.

Statistikat

Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak. Një shifër të tillë e ka konfirmuar gjeneralbrigade Astrit Jaupi ndërsa ishte në krye të aviacionit. Edip Ohri, gjithashtu gjatë një interviste ka përmendur shifrën e 200 avionëve luftarak. Padyshim Ohri nuk ka futur këtu helikopterët dhe avionët mësimorë që përdorte Shkolla e Aviacionit, të cilat e rrisnin ndjeshëm numrin e mjeteve fluturuese që Shqipëria kishte në dispozicion.

Shifra

-95 avionë MIG-19-S,

-12 avionë MIG-21,

-12 avionë MIG-17,

-3 avionë IL-14 për shërbime qeveritare

-1 avion bombardues IL-28.

-36 helikopterë MI-4.

-12 avionë AN-2 transporti

-24 avionë JAK-18

-4- avionë “Po-2”

-1 ofiçinë për kapitalin e të gjithë tipave të avionëve që poseidonte Shqipëria

Aktualitet

Sot Shqipëria në përbërje të Forcës Ajrore ka rreth 22 helikopterë, nga të cilët:

-1 skuadrilje me helikopterë AB-206

-helikopterë AB-205

-helikopterë për transport VIP A – 109

-helikopterë BO – 105

-helikopterë EC-145, i versionit VIP

-4 helikopterë shumëfunksional tip Cougar

-2 helikopterë EC-14

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button