Grekët dhe turqit në garë, ofrojnë miliona euro për TEC-in e Vlorës

Gara për dhënien me koncesion e TEC-it të Vlorës po shkon drejt fundit. Burime nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thanë se janë dhënë tre oferta nga kompani të huaja të cilat po shqyrtohen.

Beteja finale po zhvillohet mes shoqërisë turke Cajlik Energy dhe asaj greke Mitilineos, të cilat kanë ofruar secila rreth 70 milion euro. Oferta më e lartë nuk është vendimtare pasi në shpalljen e fituesit nga ministria e Infrastrukturës dhe energjisë do të merret parasysh komponenti teknik.

Kompania e tretë, IE Energy nga Izraeli ka ofruar rreth 50 milion euro dhe nuk ka kaluar pragun minimal të ofertës financiare që është 58,7 milon euro.

Koncesioni është 20 vjeçar, dhe fituesi duhet të marrë përsipër riparimin e defekteve të TEC-it si dhe të ndryshoje sistemin e turbinave nga me naftë që është aktualisht, në gaz natyror për të ulur kostot e prodhimit të energjisë .

Teknologjia me gaz do të mundësohet përmes lidhjes me tubacione me gaz -sjellësin trans-adriatik i cili ka stacionin e pompimit në Fier.

Termocentrali i Vlorës është një histori dështimi në Shqipëri. Ai lindi si një ide e bankës botërore në fillim të viteve 2000, e cila më pas organizoi edhe procedurat e tenderit. Vepra u ndërtua nga kompania italiane technimonti, e cila u pagua 130 milionë dollarë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Që nga përfundimi në vitin 2011 TEC-i i vlorës ka qenë në konservim pa prodhuar asnjë ditë energji elektrike për shkak problemeve me sistemin e ftohjes dhe kostos së lartë të prodhimit te energjisë me naftë.

Back to top button