Jam “rrëmbyer” nga bukuritë natyrore të Shqipërisë

“Programi i Zhvillimit të Turizmit për Shqipërinë’ është një nga investimet më të mëdha të bëra ndonjëherë nga Bashkimi Europian në këtë vend”, deklaroi sot ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Ambasadori Soreca mori pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të projektit të përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim, me 100 milion euro në mbështetje të programit transformues të turizmit në Shqipëri.

Loading...

Ai tha se në kuadër të këtij projekti “BE po investon 40 milionë euro, në bashkëpunim të shkëlqyer me BERZH, për të nxitur rigjenerimin dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri”.

Sfida e sotme, tha Ambasadori, është të ndihmojmë ndërtimin e një sektori turizmi që forcon strukturën shoqërore dhe zhvillimin ekonomik, duke i dhënë vlerë bukurisë natyrore dhe pasurisë kulturore të këtij vendi të bukur, një industri turizmi që nuk shkatërron, por ndërton për të ardhmen”.

Katër rajonet e Beratit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës do të përfitojnë nga programi i ri që ndihmon Shqipërinë për të rritur ekonominë dhe përmirësojë konkurrencën përmes turizmit me cilësi të lartë dhe të qëndrueshme.

“Ne të gjithë e dimë pse interesi për zhvillimin e turizmit në Shqipëri është kaq i lartë. Unë personalisht ‘jam rrëmbyer nga Shqipëria’ prej kohësh tashmë. Jam rrëmbyer nga bukuritë e saj natyrore, nga trashëgimia e saj e pasur kulturore dhe nga njerëzit zemërmirë. Dhe kam mësuar se nëse dëshiron të njohësh Shqipërinë e vërtetë, përtej paragjykimeve, duhet ta vizitosh atë”, tha ai.

Kjo është arsyeja, shtoi ambasadori, pse programi që po prezantojmë sot është kaq i rëndësishëm për Shqipërinë. “Është shumë i rëndësishëm për të mbështetur krijimin e formave të qëndrueshme të turizmit dhe mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore. Por është edhe më i rëndësishëm për të siguruar ata që ende nuk e kanë pasur mundësinë, të vijnë dhe të përjetojnë Shqipërinë e vërtetë”, tha Soreca.

Sipas tij, programi bazohet në dy shtylla, turizmi dhe trashëgimia kulturore. “Turizmi është një burim thelbësor i të ardhurave dhe i krijimit të vendeve të punës në shumë ekonomi. Ai ka efekte pozitive në një shumëllojshmëri të gjerë të industrive dhe shërbimeve. Përtej zhvillimit fizik dhe marketingut, zhvillimi turistik gjithashtu përfiton nga promovimi i burimeve natyrore, trashëgimia sociale dhe kulturore, e cila ka një efekt shumëfishues të rëndësishëm mbi çdo ekonomi”, tha Soreca.

Duke u ndalur te potenciali që ofron Shqipëria, ambasadori Soreca evidentoi edhe disa sfida në zhvillimin e sektorit të turizmit.

“Kemi mungesën e koordinimit dhe planifikimit të industrisë së turizmit; mungesën e rregullave dhe rregulloreve të përcaktuara mirë dhe të detyrueshme për aktivitetet turistike; mungesën e klasifikimit, licencimit dhe certifikimit, të cilat mundësojnë standarde dhe cilësi më të lartë; dhe konkurrencën e padrejtë për shkak të nivelit të lartë të informalitetit”, tha ai.

Po ashtu, Soreca tha se duhet të shikohet mundësia për të diversifikuar ofertat turistike dhe për të zgjeruar sezonin turistik, duke integruar një gamë më të larmishme të atraksioneve, aktiviteteve dhe shërbimeve gjatë gjithë vitit”.

Përmes këtij programi, Soreca garantoi se adresohen të gjitha këto sfida duke filluar në katër zona: Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.

“BE-ja dhe BERZH-i po sjellin investime unike dhe ekspertizë për të rritur fuqinë tërheqëse të vendit. Ky program do të jetë i suksesshëm vetëm nëse zgjidhjet e qëndrueshme për sfidat e listuara do të dalin nga niveli vendor. Prandaj, pjesëmarrja e qeverive vendore është në qendër të këtij programi”, tha ai.

Po ashtu, promovimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë është shtylla tjetër e këtij investimi.

“27 vende pune indirekte krijohen për çdo punë të vetme në sektorin e trashëgimisë. Për ta krahasuar, raporti për industrinë e makinave është vetëm 6 vende pune indirekte për çdo vend pune të drejtpërdrejtë”, tha Ambasadori, duke nënvizuar rëndësinë e shfrytëzimit të këtij potenciali.

Ai theksoi se “për 70% të evropianëve, prania e trashëgimisë kulturore ndikon në preferencat e tyre kur vendosin për destinacionin e pushimeve”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button