Si nisën përgjimet në Dibër, zgjedhjet e pjesshme që prodhuan kriza

Zgjedhjet e pjesshme në Dibër janë zanafilla e krizave të herë pas hershme në politikën shqiptare. Pas humbjes me 4600 vota të bashkisë në verilindje të vendit, Partia Demokratike nisi një betejë kundër shitblerjes së votave jo vetëm me akuza ndaj socialistëve, por duke iu drejtuar me emra konkretë edhe prokurorisë. Dibra prodhoi krizën e “çadrës”, por edhe krizën aktuale më shumë se 4  mujore, ku opozita refuzon pjesëmarrjen në zgjedhje dhe ka djegur mandatet.

Partia Demokratike kishte  artikuluar që në vitin 2015 akuza ndaj socialistëve për blerje vote, por kjo situatë u kthye fuqishëm në vëmëndje në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Dibrës.

1 vit pas zgjedhjeve vendore, në vitin 2016 Dibra iu rikthye votimeve pasi  kryebashkiaku socialist Shukri Xhelili u shkarkua nga detyra.

E gjithë vëmendje e politikës u zhvendos në Dibër, ndërsa gara mori përmasa të politikës kombëtare.

Fushta mes kandidatëve Sherefedin Shehu për PD-në dhe Muharrem Rama për PS-në, u zhvillua nën tensione, ndërsa Partia Demokratike që në ditët e para akuzoi publikisht Partinë Socialiste për shantazh, presione dhe tentativë për të blerë vota, por dhe për përdorimin e elementëve kriminalë në  fushatë.

Në 1 shtator të atij viti, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal në  Prokurorinë e Krimeve të Rënda për një grup të strukturuar kriminal, sipas saj, i cili blen vota dhe kanos votuesit dibranë për llogari të kandidatit Muharrem Rama, shkruan Oranews.

Në grupin me 12 anëtarë të denoncuar nga PD, është edhe Arben Keshi,  protagonist i 16 audio-përgjimeve të publikuara nga revista gjermane “Bild”.

Mes të akuzuarve në atë kohë, ishte edhe Dionis YmerajDrejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, sot  kandidati i Partisë Socialiste  për bashkinë e Dibrës.

Në kallëzimin e PD-së theksohej se Ymeraj furnizonte me mjete financiare edhe personat që janë të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së parave në këmbim të votës në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër.

Emrat e tjerë të denoncuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga partia demokratike ishin drejtues policie si dhe funksionarë të Partisë Socialiste, të cilët akuzoheshin si pjesë e një grupi të strukturuar për  blerjen e votave.

Kandidati socialist u shpall fitues, me një diferencë prej 4600 votash.

Në atë kohë akuzat e demokratëve u shpërfillën, ndërsa Partia Socialiste i cilësonte si tentativë për të përbaltur procesin dhe justifikuar humbjen.

Back to top button