Zbulohet vendbanimi i lashtë ilir në Peqin

Zbulohet vendbanim i lashtë ilir në Bishqem të Peqinit. Gërmimet arkeologjike që po kryhen nën drejtimin e arkeologëve, historianëve dhe gjuhëtarëve të Universitetit të Elbasanit, duket se po nxjerrin në pah një nga vendbanimet më të hershme në Iliri, atë që ndodhet në Bishqem të Peqinit e që mendohet se ka ekzistuar si toponim para themelimit të qytet Claudianë (Peqini i sotëm). Gjuhëtari prof. Arben Riska shprehet se: “Sondazhet arkeologjike deri tani kanë vërtetuar atë që thonë toponimet. Këtu kemi gjetur Shën Andrean. Kjo është e sigurt! Kemi gjetur objekte mjaft të rëndësishme. Themi se kemi gjetur Kryqin e Shën Andreas, atë kryq që skocezët e kanë bërë simbol kombëtar dhe e kanë vendosur në flamur”.

Ndërsa, arkeologu Ylli Cerova thotë se: “Fillimet e jetës në këtë zonë i takojnë shek. 4-3 p.e.s që kanë të bëjnë me kalanë që lidhet ngushtësisht me vijën Egnatia. Më tej kemi të bëjmë me një tempull dhe konkretisht me tempullin e Diellit ose të Heliosit”.

Loading...
LEXO DHE :  Revista prestigjioze tregon arsyet se pse duhet vizituar Shkodra

Ai tregon se vendbanimi ka formë tarrace. Në përbërje janë Kisha e Shën Andreas dhe njëkohësisht fortifikimi pranë tij në Shkëmbin e Madh. Kisha e zbuluar mendohet se është kisha e parë e zonës. Sipas studiuesve, pritet të zbulohen edhe 3 kisha të tjera. Peqini konsiderohet si një zonë ende e pa eksploruar nga arkeologët. E gjithë lugina, veçanërisht kodrat përreth, mendohet se fshehin gjurmë të qytetërimit të lashtë Ilir.

Kjo shpjegohet me faktin e pozicionit gjeografik të trevës, e cila ishte një urë lidhëse mes Dyrrahut, Scampis e deri në Selanik. Sipas dëshmive të banorëve të zonës, mbetje arkeologjike janë konstatuar edhe në fshatrat Kazie, Vashaj, Ballagat, Bishqem etj. Zbulimi në Bishqem të Peqinit përbën një surprizë të vërtetë arkeologjike. Kjo për faktin se ai vërteton se vendbanimi i parë i organizuar ilir në këtë zonë ka ekzistuar pikërisht në këtë vend dhe jo në Claudianë, qytet që mori zhvillim pas ndërtimit të vijës Egnatia dhe pushtimit romak të Ilirisë.

Loading...
loading...
Back to top button