Gërmim në të kaluarën e paraardhësve tanë

ARKEOLOGJIA SHQIPTARE DJE DHE SOT

Interesi për vlerat arkeologjike të Shqipërisë ka nisur herët, e dokumentuar që në shek. XIX kur studiues të gjeografisë historike iu kushtuan lokalizimit dhe identifikimit të të dhënave nga burimet antike.

Ndër të parët që vizituan Shqipërinë ishte francezi Pouqueville. Anglezi Martin Leake, nga shëtitja që bëri në Shqipërinë e Jugut deri në Apoloni, botoi një përshkrim të hollësishëm të rrënojave të objekteve arkeologjike që i ranë në sy.

Loading...

Dhe më vonë edhe arkeologu francez L. Heuzey vizitoi Shqipërinë dhe në studimin e tij u ndal kryesisht mbi Durrësin e Apoloninë.

Në fillim të shek. XX vizitoi Apoloninë dhe rrethinat e Vlorës ballkanologu C. Patsch. Ai është i pari që zbuloi qytetin e Amantias dhe më pas botoi një studim të hollësishëm mbi antikitetet që pa në Bylis, Klos, Berat etj.

Gjatë Luftës së parë botërore erdhën në Shqipëri arkeologët austriakë C. Praschniker e A. Schober të cilët filluan kërkimet nga veriu i Shqipërisë në drejtim të jugut dhe i kushtuan vëmendje edhe monumenteve e qendrave arkeologjike ilire

Pas Luftës së dytë botërore deri më 1990 kërkimet e studimet arkeologjike u bënë nga arkeologë shqiptarë. Më 1948 u krijua në Tiranë Muzeu Arkeologjik-Etnografik, më pas u krijua Sektori shkencor i kërkimeve arkeologjike, nga i cili më 1976 u formua Qendra e Studimeve Arkeologjike dhe më 1991 Instituti i Arkeologjisë. Gjatë këtyre viteve veç muzeut qendror arkeologjik dhe pavionit arkeologjik në Muzeun Historik Kombëtar, u ngritën edhe muze të profilit arkeologjik në Durrës, Apoloni, Butrint dhe Korçë, të cilët ruajnë objekte me vlera unikale.

Vitet 1991-1999 përbëjnë një etapë të re për arkeologjinë shqiptare, atë të bashkëpunimit me arkeologë të huaj. Janë realizuar ose vazhdojnë veprimtarinë projekti shqiptaro-grek në Butrint, projekti shqiptaro-amerikan në Shpellën e Konispolit (Sarandë) dhe në zonën Apoloni-Bylis, projekti shqiptaro-francez në Apoloni dhe në vendbanimin prehistorik të Sovjanit (Korçë) dhe projekti shqiptaro-anglez në Butrint. Gjatë vitit 2000 janë duke u hartuar edhe projekte të tjera për kërkime në Durrës, Bylis e qendra të tjera arkeologjike.

Rezultatet e kërkimeve, gërmimeve e studimeve arkeologjike, mëse njëqindvjeçare, të bëra në Shqipëri, mund t’i përmblidhnim në:

Në fushën e prehistorisë. Gjurmët më të hershme të banimit të territorit të Shqipërisë janë zbuluar në Xarë (Sarandë) dhe në Gajtan (Shkodër) të cilat i takojnë epokës së paleolitit (rreth 100.000 vjet më parë). Periudhës së paleolitit të vonë (30.000-10.000) vjet, i takojnë një numër më i madh vendbanimesh (Xarë, Konispol, Shën Marinë, Kryegjatë, Rrëzë Dajti, Gajtan etj) të cilat mbulojnë gjithë territorin e Shqipërisë së sotme.

Gjatë epokës së neolitit (7000-3000 p.e.s) territori i vendit tonë ka qenë shumë më i banuar, gjë që e dëshmojnë me dhjetëra vendbanime të zbuluara, të cilat kanë qenë ngritur në fusha pjellore, në tarraca lumore dhe në shpella. Banesat e tyre ishin kasolle të thjeshta të lyera dhe të shtruara me baltë. Në Dunavec e Maliq janë zbuluar banesa të ngritura mbi hunj (palafite) të cilat kërkonin një teknikë të lartë të ndërtimit të banesave. Por në jetën e banorëve neolitikë vend qendror zinte bujqësia dhe blegtoria si edhe përgatitja e prodhimi i enëve prej balte. Nga fundi i epokës neolitike mjeshtrat e punimit të poçarisë arrijnë të prodhojnë jo vetëm enë cilësore e me forma të shumëllojshme, por edhe me vlera artistike.

Vlerë të veçantë kanë disa enë të pikturuara të gjetura në Dunavec, Cakran e Maliq i të cilat janë të importuara nga kulturat e Diminit në Thesali (Greqi). Ato janë dëshmitë e para të këmbimit midis trevave të vendit tonë me qytetërimet më të përparuara të Evropës Jug-Lindore të epokës neolitike.

Në fillim të epokës së metaleve (mijëvjeçari i tretë p.e.s.) në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik ndodhën ndryshime të rëndësishme si rezultat i dyndjes së popujve baritor, indoevropian, të ardhur nga lindja. Një shfaqie e re ishte kulti i varrimit në tuma (Pazhok të Elbasanit, Barçë të Korçës, Piskovë të Përmetit etj). Ky rit varrimi në tuma do të përdoret pa ndërprerje gjatë tërë epokës së bronzit dhe do të bëhet karakteristik për popullsinë ilire të epokës së hekurit. Nga fundi i mijëvjeçarit të dytë dhe gjatë tërë gjysmës së parë të mijëvjeçarit të parë p.e.s., ilirët fillojnë dhe i vendosin vendbanimet e tyre në kodra të ngritura me pozicion dominues mbi zonën përreth, dhe gradualisht (i përforcojnë) i rrethojnë me mure të fuqishme (Gajtan-Shkodër, Tren-Korçë, Kalivo-Sarandë etj).


Ndërsa në ditët e sotme gjendemi përballë realitetit ku mësojmë se arkeologjia shqiptare është lënë në mjerim prej vitesh, ndonëse vështirësitë për punën e arkeologëve nuk janë të pakta. Në reagimet e tyre profesorë të njohur pohojnë se pas viteve ’90 ka munguar vëmendja shtetërore për të ndihmuar arkeologët në punën e tyre.

Një përfundim të tillë e kanë pohuar arkeologët Neritan Ceka dhe Moikom Zeqo.

Në një nga reagimet e tij studiuesi dhe arkeologu dr. Moikom Zeqo shprehet se pas viteve ‘90 filloi shkatërrimi i arkeologjisë shqiptare.

Në reagimin e tij arkeologu i njohur shton se qeveritë nga 1992 dhe deri më sot se kanë idenë për arkeologjinë në vend.

“Shteti ka përgjegjësinë dhe fajin më të madh në këtë mes. Qeveritë shqiptare nga viti 1992 dhe deri më sot nuk e kanë idenë fare se çfarë është arkeologjia dhe ka një injorancë shumë të madhe ndaj arkeologjisë në vend”, shprehet mes të tjerave dr. Moikom Zeqo.

Nuk është hera e parë, që arkeologë të ndryshëm pohojnë problemet, dhe sipas tyre kjo situatë do të vijojë nëse nuk tregohet vlerësim për arkeologjinë shqiptare.

Loading...
Back to top button