Gjendja në Kosovë, të gjithë presin vendimin e Presidentit Thaçi

Politika në Kosovë është në pritje të vendimit që mund të marrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Vetë Haradinaj ka paralajmëruar se nga fillimi i javës do t’i informojë edhe zyrtarisht krerët e institucioneve për vendimin e tij për dorëheqje.

Loading...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili është autoriteti kompetent që të ndërmarrë veprimin e parë nuk ka dhënë ndonjë njoftim të ri, përveç një reagimi që e kishte të premten në rrjetin social Facebook.

Thaçi kishte shkruar aty se si President i Republikës së Kosovës do të veprojë bazuar në kompetencat e tij dhe Kushtetutës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në orët e pasdites së të shtunës, thirri një konferencë për media, ku tha se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.

“Vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht se për këtë nuk pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK është e gatshme për zgjedhje kurdo që të caktohen ato”, tha Veseli, duke shtuar se për caktimin e datës së zgjedhjeve, duhet të ketë konsultime ndërmjet partive politike.

“Për këtë besoj se do të kemi konsulta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit të deritanishëm dhe partitë e tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet që kemi në fuqi”, tha lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Në anën tjetër, edhe opozita është duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje. Ky ishte qëndrim i shprehur nga opozita edhe para dorëheqjes së Haradinajt.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga presidenti i Kosovës që t’i nisë konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Thirrja e LDK-së, drejtuar presidentit Hashim Thaçi pasoi mbledhjen e kryesisë së kësaj partie, e thirrur pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se “LDK nuk pranon asnjë zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në vijimësi gjatë vitit të fundit ka përsëritur që është e domosdoshme që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, meqenëse institucionet e vendit ka kohë janë pa legjitimitet. Këto zgjedhje do t’ju mundësojnë qytetarëve të Kosovës që në bazë të vullnetit të tyre t’i japin legjitimitetin politik një qeverie që del nga ato zgjedhje për ta drejtuar vendin. Këto janë qëndrimet tona të kryesisë”, tha Mustafa.

Kurse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media tha se Kosova po vuan pasojat e votimit të Gjykatës Speciale nga ata që morën vendime të liga e që kishin qëndrime të gabuara. Kurti, para mediave ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që sa më shpejtë ta caktojë datën e zgjedhjeve.

Sipas Kurtit, Haradinaj është i lirë dhe se siç tha ai nga Gjykata Speciale vetëm do të intervistohet, siç ka ndodhur edhe me komandat të tjerë të ish-UÇK-së.

“Ish-kryeministri Haradinaj as nuk është arrestuar dhe as nuk është akuzuar. Pra, ish-kryeministri as nuk është në burg dhe as nuk ka aktakuzë. Do të intervistohet nga Prokuroria e Specializuar si dhjetëra luftëtarë e komandantë të tjerë”, tha Kurti.

 “Nuk e kemi një Qeveri që ishte e mbrapsht edhe e pashpresë, ashtu siç ishte e madhe. Tash shpresa është te ndryshimi, te zgjedhjet, te liria, te demokracia, te vetëvendosja”, tha Kurti.

Kurti theksoi se Vetëvendosja është e gatshme për zgjedhje të reja.

“Presidenti Thaçi duhet të na thërrasë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kaq. I bëj thirrje të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Kosova sot nuk ka qeveri. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re. Mirëpo, për këtë duhet të flasin qytetarët njëherë. Qytetarët duhet të zgjedhin. Qytetarët duhet të përcaktohen”, tha Kurti.

Loading...
Back to top button