Macron flet shqip: Të ndërtojmë së bashku paqen mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka qëndruar në Beograd për një vizitë dy ditore që nga 14 korriku.

Ai ka zhvilluar të hënën një takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin kanë diskutuar për shumë çështje, ndërsa i një rëndësie të veçantë ka qenë diskutimi për gjetjen e një zgjidhje për problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Macron në konferencën për media bashkë me Vuçiçin, dhe më pas në një fjalim të mbajtur në Kalemegdan, është zotuar që së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel, do të ristartojë negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

E fjalimin e mbajtur në Kalmegdan, Macron e ka publikuar të martën me një përshkrim në gjuhën frënge, ndërsa të njëjtin e ka ngarkuar sot përsëri në llogarinë e tij zyrtare me përshkrim në gjuhën shqipe, ku thotë se Evropa duhet të jetë e bashkuar për të ndërtuar paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet të ndërtojmë së bashku paqen në mes Serbisë dhe Kosovës. Mesazhi im nga Beogradi”, thuhet në përshkrimin e sotëm të videos së publikuar nga presidenti francez.

Përveç tjerash në këtë fjalim Macron bënte thirrje që të dy palët të tregohen të vendosur dhe guximshëm, për të gjetur një kompromis dhe një zgjidhje inteligjente për problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo betejë që do ta bëjmë së bashku, kjo luftë për kompromis, për gjetjen e një zgjidhjeje inteligjente ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është betejë e vështirë por ju keni një president kurajoz, i cili ka vendosur të ec tutje dhe nga ju do të kërkohet të jeni popull i guximshëm, sikurse do të duhet të jenë kurajoz edhe kosovarët, duke bërë kompromise. Do na kërkohet të gjithëve të jemi kurajoz dhe të veprojmë si evropianë. Dhe, sepse besoj thellësisht që Serbia është në Evropë, që Evropa nuk do jetë vetvetja derisa Serbia të mos integrohet brenda saj. Duhet ta gjejmë së bashku këtë zgjidhje”, kishte thënë presidenti i Francës.

Ky postim i Macron në gjuhën shqipe, vjen pas fjalimit të tij që e ka mbajtur në gjuhën serbe në Kalamegdan. Kjo mbase për të ruajtur balancat, pasi që së bashku me Merkelin kanë marrë në dorën dialogun dhe gjetjen e një zgjidhje finale Prishtinë-Beograd.

, Macron flet shqip: Të ndërtojmë së bashku paqen mes Kosovës dhe Serbisë

Back to top button