Marrëveshja e tregtisë së lirë Kosovë – Turqi

Marrëveshja për tregti të lirë mes Kosovës dhe Turqisë pritet të fillojë të zbatohet në muajin shtator të këtij viti.  Kjo marrëveshje nënkupton lehtësim të madh për bizneset e të dy shteteve dhe njëkohësisht nxitjen e tregtisë mes dy vendeve. Llogaritet se në Kosovë janë të regjistruar mbi 1000 kompani turke.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (MTI), Endrit Shala, i cili ka pritur në takim Këshillin Botëror Turk të Biznesit pranë Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK), deklaroi se Kosova i ka lehtësuar proceset për investime, sidomos për Turqinë.

Loading...

Shala tha: “Në raport me investitorët nga Turqia, Kosova ka lehtësuar edhe më tutje procesin e investimeve të tyre duke nënshkruar marrëveshje kruciale e këto të cilat do të shërbejnë kryekëput për investitorët nga Turqia. Sot këtu dua të përmend para jush se Kosova dhe Turqia tashmë kanë ratifikuar marrëveshjen për tregti të lirë, e cila do të hyjë ne fuqi nga data 1 shtator dhe do të lehtësojë në masë të madhe edhe investimet e dyanshme dhe njëkohësisht nxitjen e tregtisë mes dy vendeve tona”.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Turqisë në Kosovë në vitin 2018, kapin vlerën prej mbi 300 milionë euro, ndërsa eksportet e Kosovës në Turqi nuk janë më shumë se rreth 10 milionë euro.

Këto të dhëna tregojnë një disbalancë tregtar të dy shteteve.

Në Kosovë janë të regjistruar mbi 1000 kompani turke.  Turqia është një prej shteteve me prezencën më të madhe të investimeve direkte në Kosovë. Investimet turke janë të orientuara në sektorin bankar, edukim, shëndetësi, prodhim, energji, ndërtim, tregti, hoteleri, transport etj.

Prania e kompanive turke në Kosovë ka nisur nga infrastruktura rrugore. Me ndërtimin e autostradave në Kosovë. Po ashtu konzorciumi turk Limak -Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike. Një konzorcium tjetër ai turko-francez, Limak-Aeroport de Lyon pati marrë me koncesion për njëzet vjet, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Loading...
loading...
Back to top button
Close