A do të jetë ambasadori i ri gjerman, një version i Donald Lu?

Qysh prej nisjes së “Procesit të Berlinit”, Gjermania ka marrë një rol udhëheqës për rrugën e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor. Ky rol është reflektuar edhe në politikën e brendshme shqiptare, ku përfaqësia diplomatike gjermane u shkëput ndjeshëm nga deklaratat e kujdesshme dhe foli më drejtpërdrejtë për çështje të politikës së brendshme të Tiranë me anë të ambasadores Susanne Schutz.

Por, deklaratat e drejtpërdrejta të Schutz për krizën politike që shpërtheu në përfundim të mandatit të saj në Tiranë dhe sidomos sa i takon djegies së mandateve nga ana e opozitës, mund të tingëllojnë të moderuara në krahasim me deklaratat që pritet të dalin nga ambasadori i ri gjerman, Peter Zingraf.

Loading...

Sinjalin se Zingraf do të jetë një ambasador edhe më aktiv në Tiranë e jep fillimisht jetëshkrimi (CV-ja) i tij, si një diplomat karriere, që pjesën më të madhe të detyrave i ka patur në aparatin qendror të shërbimit diplomatik gjerman dhe e përforcon rruga e prezantimit alla Donald Lu.

Ambasada gjermane publikoi në faqen e saj zyrtare mesazhin prej pak më shumë se një minutë të Zingraf, që ashtu si Donald Lu katër vjet më parë, e përcjell në shqip. Gjuha shqipe e zgjedhur për të përçuar këto mesazhe me katër vjet diferencë nuk është e vetmja e përbashkët.

“Pres më kënaqësi t’u takoj në Shqipëri dhe të dëgjoj prej jush të gjitha ato që mund të arrijmë bashkë”, deklaronte Donald Lu në videomesazhin e shpërndarë më 9 janar të 2015 nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

“Pres me padurim që të takoj shumë prej jush këtu në Tiranë dhe në të gjithë vendin”, thotë ambasadori i ri gjerman në Tiranë, Peter Zingraf në videomesazhin e shpërndarë nga Ambasada Gjermane.

Donald Lu nuk është diplomati amerikan më jetëgjatë në Shqipëri, por e sigurtë është që ka qenë më aktivi dhe më i drejtpërdrejti. Ai gjeti një klimë më të zbutur politike se klima që gjen Peter Zingraf, por një vit më vonë, ku me hir dhe ku me pahir detyroi klasën politike në Tiranë që të linte menjanë “tekat” dhe të votonte reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi ishte pika e fortë, por njëkohësisht edhe pika e dobët e detyrës së tij në Tiranë. Lu u kritikua jo pak herë se me qëndrimet e tij rreshtohej në krah të mazhorancës.

Ndryshimi tjetër është se Zingraf është përfaqësuesi i një vendi që tradicionalisht nuk aplikon një diplomaci agresive, të paktën publikisht. Kjo nuk do të thotë se jashtë vëmendjes së publikut, ambasadori gjerman nuk do të jetë më i drejtpërdrejtë sesa paraardhësja e tij në Tiranë.

Ai e merr detyrën pak para vendimmarrjes së radhës të Këshillit Europian sa i takon çështjes së negociatave. Gjermania vetë nuk përfshihet tek vendet bllokuese, por kërkon me ngulm thellimin e reformave, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta e krimit të organizuar.

Kriza aktuale dhe sinjalet se në shtator, Tirana do të vizitohet nga një delegacion i rëndësishëm gjerman paralajmërojnë se Peter Zingraf do të ketë një vjeshtë të ngjeshur, të paktën me takime. Sa i takon rrugës të të bërit diplomaci, a do të zgjedhë të jetë një “Donald Lu” dhe duke shfrytëzuar boshllëkun e lënë nga SHBA, që nuk ka ende ambasador në Tiranë t’i japë më shumë peshë zërit të Gjermanisë? Apo do të ruajë gjuhën e tradicionale të kujdesshme të ambasadorit? Koha do t’i japë përgjigje.

LEXO DHE :  Çitaku në OKB: Gjorgjeviq thoshte se shqiptarët kanë bisht, njësoj po flasin akoma politikanët serbë

Zgjidhja e krizës? Deputetët gjermanë në Tiranë, në lojë edhe OSBE

Kriza politike pas një periudhë “pushimi”, i kushtëzuar nga vera, pritet të ketë rritje të temperaturave politike.

Shtatori pritet të shoqërohet me nisjen e protestave të opozitës, ku Partia Demokratike e ka shpallur aksionin prej ditësh nëpërmjet eksponentëve të saj.

Kryeministri Edi Rama në konferencën e dhënë për median më 30 korrik hidhte poshtë të gjitha mundësinë e ndërmjetësimit të krizës politike me palët ndërkombëtarë, që të vinin në Tiranë, apo që të dy kundërshtarët politikë, pra lideri i PS-së dhe ai i PD-së, të shkonin drejt ndonjë shteti të BE-së për të diskutuar për krizën, një skenar i ngjashëm me restorantin “Krokodili”.

Në këtë “përgjumje” të politikës, opozita duket se ka qenë më aktive, ku Basha ka vijuar disa takime me bazën për të mbajtur të karikuar strukturat e PD-së, dhe për të nisur organizmin e protestave.

Tashmë arsye e nisjes së protestës për opozitën i është shtuar fakti i rrëzimit të kryebashkiakut të PS-së së Shkodrës, Valdrin Pjetrin, duke rikthyer edhe një herë kauzën e “Dekriminalizimit”.

Nga ana tjetër ndërkombëtarët, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duket se janë duke punuar për të sheshuar përplasjet politike dhe gjetjen e një zgjidhje mes mazhorancës dhe opozitës. Zgjidhja e ngërçit politik pritet të kalojë si pjesë aksionit nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Kjo për faktin se në shtator pritet të vijnë disa prej delegacioneve ndërkombëtare. Ku më i rëndësishmi është i OSBE-së, i cili pritet të zhvillojë edhe konferencën e Mesdheut. Shqipëria pritet të marrë kryesimin e radhës së OSBE-së në vitin 2020.

Apelin për ndërhyrjen e OSBE-së u bë publike edhe nga vetë presidenti Ilir Meta, i cili iu drejtua publikisht sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së dhe kryetarit të Asamblesë.

“Dëshiroj t’ju informoj se kërkesa ime për ndërmjetësim të OSBE-së i është dërguar edhe Presidentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Kjo e fundit është e përfshirë fort dhe e përkushtuar në promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Shqipëri. Duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e dimensionit parlamentar, besoj se Asambleja Parlamentare e OSBE-së duhet të përfshihet në një përpjekje të përbashkët ndërmjetësuese për zgjidhjen e krizës në Shqipëri”, do të shprehej Meta në letrën e tij.

Gazeta “Si” ka mësuar sipas burimeve të ndryshme që në Shqipëri në muajin shtator pritet të vijë një delegacion i Bundestagut gjerman, por edhe një delegacion i Brukselit. Burimet theksuan se ata janë në kontakte si me liderin e PD-së, Lulzim Basha dhe me kryeministrin Edi Rama dhe me eksponentë të PS-së.

Vetë kryedemokrati Lulzim Bashanuk e përjashtoi mundësinë e ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve, duke përmendur këtu edhe rolin e CDU-së.  “CDU nuk është anëtar i Partive Popullore? E para e punës pa diskutim që hapi është ekstrem. Nuk prisja përshëndetje nga askush. Në një vend normal të NATO- ka një vend për opozitën. Hapësira shkoi në minus. Shpjegimi i këtij realiteti u bë edhe më i lehtë pas vendimit që mori opozita. Dhe që nuk ishte vendim personal që të prisnim kohën tonë.

LEXO DHE :  Mavrova, por jo aty ku mendoni…(Nga Marin Mema)

Ne zgjodhëm rrugën e duhur dhe pjesë e kësaj rruge ishte edhe shpjegimi i kësaj rruge. Në këtë kuadër nuk do nënvlerësonin as CDU-në. As qëndrimin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës. Ne jemi në rrugën e duhur për të bindur komunitetin ndërkombëtar, jemi në një pikë kthese, i gjithë faktori euroatlantik e konsideron këtë gjendje jo thjesht të papranueshme, por vlerëson se zgjedhjet e parakohshme bashkë me ato lokale janë e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën”, deklaroi Basha.

Një ditë më parë, kryedemokrati zhvilloi një takim me ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf. Mbi këtë takim nuk pati asnjë njoftim zyrtar, por se Basha deklaroi se “gjermanët kanë tek unë një partner për të hedhur çdo hap që zgjidh krizën sipas standardeve, normave dhe parimeve europiane”.

Ambasadori i ri Gjermanisë, mund të ketë nisur edhe bisedat për realizimin e ndërmjetësimit nga Bundestagu.

CDU/CSU dy partitë kryesore të qeverisë së kancelares Merkel patën shprehur angazhimin e tyre për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës politike. Nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në parlamentin gjerman (Bundestag), Johann David Wadephul ka qenë një ndër më aktivët sa i përket krizës politike në Shqipëri, duke u ofruar si ndërmjetës për zgjidhjen e saj.

“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë. Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale.

Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik”, thuhej në një deklaratë të CDU dhe CSU në majin e këtij viti.

Në qershor pati një vizitë të deputetëve të Bundestagut gjerman, por se ai ishte i cunguar, pasi mungonin deputetët e CDU/CSU. Në shtator pritet sërish që të jetë i pranishëm një delegacion i ri, që mund të diskutojë me partitë politike për krizën, përpara se Bundestagu të marrë një vendim për çështjen e çeljes së negociatave me BE-në në mbledhjen 17 tetorit.(Gazeta Si)

Loading...
loading...

Lexo gjithashtu

Close
Back to top button