ANALIZA: Pse i humbet luftërat Amerika?

Nga George Friedman

“Geopolitical Futures”

Tërheqja amerikane nga Afganistani, po shkon drejt përfundimit të pashmangshëm. Talebanët, islamikët radikalë kundër të cilëve po luftonte SHBA-ja, po marrin sërish kontrollin e vendit. Thënë ndryshe, Shtetet e Bashkuara e kanë humbur luftën që zhvilluan për 20 vitet e fundit.

Ka nga ata që duan të vazhdojnë të luftojnë. Por unë dyshoj se edhe 20 vjet të tjerë do të sjellin ndonjë fitore, duke pasur parasysh se përkufizimi i suksesit është i paqartë dhe tejet ambicioz. Synimi ishte transformimi i një shoqërie të lashtë dhe komplekse, nga ajo që ishte, në atë që ne donim të ishte.

Mposhtja e një vendi, që përmban fraksione ndërluftuese, dhe imponimi i paqes dhe i një kulture të re, ishte jashtë mundësive të Uashingtonit. Kjo nuk është lufta e parë që SHBA-ja ka humbur që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe duke pasur parasysh fuqinë dërrmuese ushtarake që zotëron, lipsen disa shpjegime për arsyet e dështimit.

Për ta bërë këtë, duhet t’ia fillojmë që nga Lufta e Dytë Botërore, kur Shtetet e Bashkuara u përballën me një konflikt të nisur nga Japonia dhe Gjermania. Shtetet e Bashkuara reaguan duke e përcaktuar luftën si eliminimin e ushtrisë së armikut dhe shkatërrimin e shoqërisë së tyre, përmes shkatërrimit të fabrikave dhe qyteteve të tyre industriale.

Fitorja kërkonte mposhtjen e armikut, dhe një transformim social dhe moral të të mundurve.

Lufta e Dytë Botërore i dha SHBA-së një numër leksionesh. I pari ishte se vendimi për kohën e luftës u mor nga armiqtë e SHBA-së. Sulmi japonez mbi Pearl Harbor dhe deklarata e luftës nga Hitleri, e bënë vendimin e Uashingtonit të dukej shumë i përshtatshëm.

Së dyti, Uashingtoni mësoi se në luftën kundër një armiku, duhet të përdorësh një forcë dërrmuese, dhe se është thelbësore të shkatërrosh jo vetëm ushtrinë, por edhe moralin e kombit armik në tërësi. SHBA-ja e bëri këtë duke përdorur një forcë dërrmuese kundër ushtrinë dhe shoqërisë së vendit armik.

Fitorja e transformoi SHBA-në. Fuqia e saj ishte e madhe, dhe ndikoi tek pjesa më e madhe e botës. Ajo nuk kishte arritur ta shihte këtë gjë para Luftës së Dytë Botërore. Tani ishte e fiksuar pas saj. Ndaj krijoi një kompleks të madh ushtarako-industrial, duke e parë atë si elementin jetik të sigurisë kombëtare.

Kësisoj pati fërkime më të mëdha se më parë, dhe me më shumë fuqi se më parë. Por Uashingtoni kishte mësuar një leksion tjetër nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk mjafton vetëm mposhtja e ushtrisë së armikut. Ashtu si me Gjermaninë dhe Japoninë, lufta mund të përfundojë vetëm me një kapitullim moral dhe kulturor nga kombi armik, dhe me një transformim drejt demokracisë liberale.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kundërshtari kryesor i Amerikës ishte Bashkimi Sovjetik. Ky ishte një makth moral për SHBA-në. Fuqia sovjetike ishte e frikshme, dhe ajo ngriti një sfidë morale globale përballë Shtetet e Bashkuara.

Real-politika dhe një luftë morale u kombinuan mes tyre, dhe SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik luftuan kundër njëra-tjetrës për të transformuar kombet në partizanë të projektit moral të demokracisë liberale ose të marksizëm-leninizmit. Me kalimin e kohës, kjo luftë degradoi në një cinizëm të madh nga të dyja anët.

Por në thelb, strategjitë morale dhe madhështore u përzien me njëra-tjetrën, dhe lufta e vërtetë ishte për zemrat dhe mendjet e popullatave, e karakterizuar nga lufta e fshehtë dhe e hapur. Koreja ishte lufta e parë e absolutizmit moral, por u diktua nga një luftë shumë konvencionale.

Strategjia e re u testua në Vietnam. Vietnami ishte pushtuar nga francezët, të cilët u mposhtën në luftën e tyre përballë komunistëve. Konflikti përfundoi me ndarjen e vendit midis komunistëve dhe anti-komunistëve. Këta të fundit u paraqitën si demokratë liberalë.

Në fakt ishin njerëz ambiciozë të përkushtuar vetëm ndaj ruajtjes së pushtetit, duke e përdorur anti-komunizmin për të tërhequr amerikanët në mbrojtje të tyre. Si luftë, ajo u nda midis luftimeve të pafundme në terren, dhe një fushate ajrore që synonte të ulte moralin e Vietnamit të Veriut, ashtu si dikur kundër gjermanëve dhe japonezëve.

Por lufta shkoi përtej kësaj. Synimi ishte krijimi i një qeverie që e mohonte moralisht komunizmin dhe përqafonte demokracinë liberale. Për sa kohë që komunistët vazhduan të luftonin, SHBA-ja do të humbiste. Aftësia e saj ushtarake nuk e reduktoi veriun komunist dhe luftëtarët e tyre jugorë në gjendjen ku u katandis Gjermania në vitin 1945.

Regjimi që u përpoq të shpikte dhe të mbronte SHBA-ja, nuk kishte asnjë interes moral në demokracinë liberale. Problemi në Vietnam kishte të bënte me mospërputhjen e aspekteve të tij strategjike dhe morale. Strategjia bënte thirrje për humbjen e ushtrisë armike, dhe për një transformim të shoqërisë vietnameze.

Në Vietnam kishte deri diku një kundërshtim ndaj përhapjes së komunizmit. Por kishte edhe dyshime nëse ky ishte vendi i duhur për të luftuar kundër komunizmit botëror, dhe nëse ne amerikanët kishim forcën ushtarake për të imponuar një ndryshimin moral.

Komunizmi po përhapej diku tjetër, prandaj pse të zgjidhej Vietnami si vend për ta luftuar atë? SHBA kishte një arsye ushtarake për të luftuar kundër japonezëve në Paqësor. Por në Vietnam, arsyeja ushtarake, ajo politike, dhe parimet morale u përplasën vazhdimisht midis tyre.

Strategjia amerikane ishte të mposhtte ushtrinë e Vietnamit të Veriut, të bënte që publiku i tyre të lodhej nga lufta, dhe të impononte vullnetin amerikan. Por pas 7 vitesh luftime Shtetet e Bashkuara krijuan lodhjen e tyre nga lufta. SHBA-ja e humbi Vietnamin, por nga perspektiva e saj, bota vazhdoi të ecë përpara.

Me gjithë vdekjet dhe shkatërrimet, lufta nuk ndryshoi shumë gjëra. Ajo ishte lufta e gabuar, e zhvilluar në vendin e gabuar, me strategjinë dhe qëllimet e gabuara. Mësimi i Luftës së Dytë Botërore është të kontrollohet sesi dhe ku zhvillohet lufta. Në Vietnam, ishte armiku ai që e vendosi se ku nisi lufta.

Duke kundërshtuar kudo çdo ndërhyrje komuniste, SHBA-ja e lejoi armikun të zgjidhte vendin dhe kohën ku Uashingtoni duhet të zbatonte strategjinë e tij paraprake. Ekstremizmi islamik ishte një sfidë morale për Amerikën. Por para 11 Shtatorit, ai kishte qenë një aleat i dobishëm kundër sovjetikëve.

Kur sovjetikët pushtuan Afganistanin, SHBA-ja mbështeti dhe vlerësoi rezistencën e vendasve. Shtetet e Bashkuara e kuptuan se armiqtë e sovjetikëve në Afganistan, ndanin me ta të paktën empatinë. Secili i shërbeu interesave të tjetrit, dhe sovjetikët u mundën.

Pastaj erdhi 11 Shtatori, kur ekstremistët islamikë i shpallën luftë Shteteve të Bashkuara.

Ideali amerikan për të kontrolluar nisjen e luftës humbi, ashtu si në Vietnam. Diçka duhej bërë. Ashtu si në Vietnam, SHBA-ja u tërhoq thuajse pa mendje në atë luftë. Duhej të shkatërrohej Al-Kaida. Kjo e fundit u dëmtua por nuk e shkatërrua, ndaj u ndje e detyruar të qëndronte në hije.

SHBA mendoi se duhej një luftë deri në krijimin e një regjimi të ri që ndante vlerat liberale demokratike. Pra një tjetër shoqëri e lashtë do të transformohej, por pa nivelet e shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore. Pati sërish përplasje mes strategjikes dhe morales.

Në aspektin strategjik, Afganistani ishte i madh dhe asnjë forcë nuk mund të kontrollonte më shumë se një pjesë të vendit. Në aspektin moral, afganët kishin rendin e tyre politik, i cili nuk e vlerësonte demokracinë liberale më shumë sesa marksizmin.

Luftërat kundër Bashkimit Sovjetik dhe kundër talebanëve kishin një temë të përbashkët. SHBA-ja u motivua nga vlerat e tyre morale, dhe formuloi një strategji kombëtare të bazuar në to. Në një moment, strategjia kombëtare u la mënjanë, pasi ambicia morale i tejkaloi mundësitë strategjike. Duke mos dashur ta pranojë dështimin, lufta vazhdoi deri në rraskapitje.

Bota është mësuar me ndërhyrjet ushtarake amerikane. Ajo i dënon në fillim ato, dhe më pas ngushëllohet me denoncimin e tyre. Por humbja e luftërave pas shumë viteve luftë, nuk ka asnjë kuptim. SHBA duhet të kontrollojë se ku dhe si hyn në një luftë.

Koncepti i saj i fitores përfshin transformimin moral të njerëzve të lashtë, që nuk mendojnë se janë imoralë. Një parim moral në një terren të mirënjohur dhe me armët e përshtatshme, funksionon. Një parim moral në një terren të panjohur dhe me armë të papërshtatshme, është më pak efektiv.

Shënim: George Friedman, është një parashikues dhe strateg gjeopolitik më famë ndërkombëtare, themelues dhe drejtues i “Geopolitical Futures”. Libri i tij më i njohur titullohet “Njëqind vitet e ardhshme”.

Bota.al

Back to top button