Eurostat: Shqipëria, e treta pas Portugalisë dhe Maltës për fuqi punëtore të paarsimuar

Sipas të dhënave të Eurostat, një prej tre shteteve me fuqi punëtorë më pak të kualifikuar në Evropë është Shqipëria. Statistikat pasqyrojnë edhe një fakt tjetër interesant, femrat shqiptare kanë tendencën të jenë më të arsimuara se meshkujt.

Siaps renditjeve, vendi i parë në Evropë, ku punëdhënësit vuajnë më shumë për të gjetur fuqi punëtore me arsim të mesëm apo të lartë është Portugalia. Në këtë shtet, 50% e forcës së aftë për punë, nga mosha 15 deri në 64 vjeç, është me arsim të ulët 8-9 vjeçar. Në vend të dytë renditet Malta me 47.4%.

Loading...

Shqipëria renditet e treta. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2018, rreth 42% e forcës aktive për punë në Shqipëri ishte me arsim 8-9 vjeçar.

Ndonëse kjo shifër, në raport me një dekadë më parë, ka rënë, Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet me më pak të shkolluar në dispozicion në forcën aktive për punë. Me arsim të lartë është rreth 21% e forcës së punës dhe me arsim të mesëm rreth 38%.

Shtetet me forcën e punës më të arsimuar në Evropë, sipas Eurostat, janë Qipro, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Estonia, Suedia, Islanda, Belgjika, Lituania. Ata kanë 35-40% të forcës së punës të diplumuar nga universiteti, ose gati sa dyfishi i kësaj shifre në Shqipërisë.

Lituania, Çekia, Zvicra, Polonia, Sllovakia janë shtetet me nivelin më të ulët të forcës së punës me arsim të ulët, me 11.7 deri 14.4%.

Të ndara sipas gjinisë, të dhënat e INSTAT tregojnë se niveli më i lartë i të pashkolluarve është mes femrave. Gati 45% e grave të moshës 15-64 vjeç që janë aktive në tregun e punës ishin me arsim fillor, përkundrejt 39.3% tek meshkujt.

Gratë kanë edhe kontrastin më të madh. Ndonëse pjesa më e madhe janë më të pashkolluara se burrat, ato kalojnë në revansh kur bëhet fjala për arsimin e lartë. 26.3% e forcës së punës të femrave është me arsim të lartë, ndërsa vetëm 20.6% e meshkujve kanë mbaruar universitetin. Këta të fundit duket se mjaftohen me përfundimin e shkollës së mesme, rreth 45% e meshkujve të aftë për punë, përkundrejt 29% që është pesha e grave me shkollë të mesme.

Një studim i fundit tregon se femrat në Shqipëri, jo vetëm që përfundojnë studimet e larta universitare më shumë se meshkujt, por edhe zgjedhin të studiojnë shkencat. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, ku diplomohen më shumë femra se meshkuj në shkencat ekzakte. Përqindja e femrave të diplomuara në shkencë, matematikë, teknologji apo inxhinieri, ishte 53.1%.

Burimi: Monitor

Loading...
Back to top button