Fluturimet, Shqipëria e varfër edhe këtë vit shumë e shtrenjtë

Çmimet e fluturimeve gjatë stinës së nxehtë të vitit 2019 kanë shfaqur tendëncën të jenë gjithashtu shumë të “nxehta”.

Fluturimet drejt dhe nga shtet ku jetojnë emigrantët, përfshirë Italinë fqinje, gjatë gushtit janë rritur në mënyrë domethënëse.

Loading...

Sipas kërkimeve të bëra nga Monitor, të udhëtosh javët e fundit të gushtit nga Tirana drejt qyteteve të Italisë kërkon një buxhet të mirëfilltë.

Bileta për në Milano kushton mbi 300 euro, ndërsa për qytetet e tjera, si Roma, bileta mund të kapë edhe shifrën 400 euro.

Me Blue Panorama  drejt Milanos, Romës, apo Torinës, nga data 24 gusht deri në fund të muajit, çmimet e biletave janë 290 euro vetëm në një drejtim.

Me Alitalia vendet janë pothuajse të zëna dhe nëse do të blesh një biletë për në Romë, minimumi është 400 euro.

Edhe destinacionet e tjera janë shtrenjtuar ndjeshëm. Nga Tirana në Vjenë me Austrian Airlines, bileta kushton minimumi 330 euro në datën 24 dhe, pas kësaj date, rritet në 430 euro.

As fluturimet “low cost,” nuk janë aspak low (të ulta) në çmim. Me WizzAir për në Londër mund të fluturosh me 370 euro.

Rritja e çmimeve të biletave drejt Shqipërisë në fillim të gushtit dhe nga Shqipëria drejt destinacioneve të tjera në fund të tij është një dukuri e përvitshme.

Italia është destinacioni kryesor i fluturimeve nga dhe drejt aeroportit të Rinasit.

Sipas të dhënave nga TIA në 2018-n, në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.6 milionë (rritje 6%), duke zënë rreth 59% të totalit.

Ndonëse numri i operatorëve, përfshirë ata low cost, sa vjen e shtohet, Shqipëria vijon të ketë çmimet e biletave më të shtrenjtat në rajon.

Tirana International Airport (TIA), kompania që operon me koncesion aeroportin e vetëm në vend arriti në vitin 2018 një normë fitimi rekord, sipas të dhënave në bilancin vjetor të 2018;  rreth 51 milionë euro, me një rritje prej 7% në raport me vitin paraardhës.

Ky është niveli më i lartë i të ardhurave i raportuar nga TIA.

Të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare në vite sigurojnë fitime të majme për koncesionarët, ndërkohë që shtojnë barrën mbi popullatën që vijon të jetë ndër më të varfrat në rajon dhe Europë.

Burimi: Monitor

Loading...
Back to top button