Letër të hapur Janullatosit: Një meshë lutje dhe falje për genocidin që kreu kisha greke ndaj popullsisë çame

Nga Arben LLALLA – Kisha Autoqefale Ortodokse e Greqisë të paktën dy herë zyrtarisht ka drejtuar dhe ka marrë pjesë direkt në masakrat e kryera nga kryepeshkopët dhe mitropolitët e tyre ndaj popullsisë shqiptare më 1914, 1944-1945 në Çamëri dhe në jugun e Shqipërisë së sotme. Prandaj me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Ujit të Bekuar e ftoj kryepeshkopin e Shqipërisë Anastasios të mbajë një meshë për falje dhe në kujtim të viktimave shqiptar të masakruar ndër vite nga klerikët e Kishës Autoqefale Ortodokse të Greqisë.

Kërkimi dhe dhënia e faljes, është ndoshta elementi më i bukur që karakterizon historinë e krishtërimit. Jezus Krishti, që është edhe themeluesi i kësaj feje, i mësoi pasuesit e tij që të falnin njeri-tjetrin për çdo faj të bërë, madje thënia e tij e famshme mbi kryq: “Fali o Atë se nuk dinë se ç‘bëjnë”, është edhe dhënia e shembullit të tij personal, që atë që u predikoi të tjerëve, e zbatoi së pari vetë në jetën e tij.

Loading...

Më vonë, krishtërimi do të binte në gabime të rënda, me kulm mesjetën e errët, ku Kisha do të ekzekutonte në turrën e druve, shkencëtarë dhe dijetarë, vetëm se shpallnin se toka rrotullohej, apo shpirtra të lirë si heretikë, vetëm se guxonin të besonin në një filozofi tjetër kristiane, jo atë zyrtare, siç ishte edhe rasti i reformës luteriane, që u bë edhe themeli i krishtërimit ungjillor, që edhe sot madje nuk shihet me sy të mire nga feja zyrtare katolike. Këto fakte historike janë të njohura nga të gjithë, dhe vetëm në fund të shekullit që lamë pas, Kisha Katolike, filloi të kërkonte nga bota të falur, për të gjitha krimet që kishte bërë përgjatë historisë.

Kulmin do ta shënonte Papa Gjon Pali i Dytë, i cili kërkoi falje për gati çdo krim të kryer nga paraardhësit e tij, që nga ato kryer kundër Hebrenjve, grave, Galileit, muslimanëve të vrarë prej kryqëzatave dhe ndaj çdokujt që ka vuajtur prej dorës së Kishës Romane. Edhe Papët që pasuan, do të vijonin këtë traditë sa të përulur, aq edhe dinjitoze të kërkimit të faljes dhe njohjes zyrtare të gabimeve të kryera, duke u përpjekur kështu të shëronin plagët e së kaluarës, por edhe ato të së tashmes, ku nuk mungojnë edhe pranimet e abuzimeve seksuale nga klerikët, për të cilat ka kërkuar në mënyrë të përsëritur falje edhe Papa Françesku.

Por këto falje, nuk kanë ardhur gjithmonë dhe vetëm si iniciativë e autoritetit kishtar, i cili shpeshherë është përpjekur t’i mbulojë skandalet, apo të shmangë publikimin e tyre, me qëllim ruajtjen e imazhit publik të fesë. Në shumë raste, kërkimi i faljes ka ardhur si pasojë e presionit të ushtruar nga shoqëria civile, apo e vetë viktimave të kësaj dhune apo të pasardhësve të tyre. Sigurisht, në ditët e sotme, edhe drejtësia po tregon se kishat dhe klerikët nuk qëndrojnë më mbi ligjin, si dikur. Në vazhdën e kësaj trajtese, do të doja që të bëja publike dhe pse jo, të ushtroja një presion pozitiv, si precedentët që përmenda, për njohjen e një krimi të rëndë, i cili është faktuar nga dokumentet historike të kryer nga Kisha Ortodokse Greke, dhe rreth bashkëpunimit te Kryepeshkopëve grek, mitropolitëve për pjesëmarrjen e tyre direkt në masakrat e 1914 dhe me EDES të Napolon Zervës në Genocidin e 1944 të kryer mbi popullsinë shqiptare myslimane dhe ortodokse në Çamëri. Kryepeshkopi i Greqisë Spiridon Vllahu (1949-1956) mori pjesë në vitin 1914, në masakrat që kreu ushtria greke në jugun e Shqipërisë. Kryepeshkop Spiridon Vllehu është projektuesi i Genocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri 1944-1945.

Kryepeshkopi Serafeim (1974-1998), mori pjesë personalisht në Genocidin që kreu Napolon Zerva. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos i veshur me rrobat ushtarake të EDES theri me dhjetëra shqiptar mysliman më 27 qershor 1944 në Paramithi. Në Genocidin që kreu ushtria greke EDES ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri morën pjesë me dhjetëra priftërinj të veshur me rroba ushtarake të EDES.

Për të gjithë historinë e shtjelluar shkencërisht dhe të bazuar në evidenca të pakundërshtueshme, unë kërkoj, bazuar edhe në praktikën kishtare të pendesës, që Kryepeshkopi ortodoks i Shqipërisë, Anastas Janullatos, meqë është i dorëzuar në gradën episkopale prej Kishës greke, dhe sot është edhe Primat i Kishës shqiptare, të kërkojë falje publike në emër të Kishës nga e cila vjen, për përfshirjen e saj në këto masakra dhe krime monstruoze kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ka ardhur tashmë koha, që edhe Kisha Ortodokse lindore të kërkojë nëpërmjet përfaqësuesve të saj, falje për krimet e kryera përgjatë historisë, sa herë që u kërkohet prej shoqërisë civile, prej viktimave apo pasardhësve të tyre. Sërish, Kryepeshkopi Janullatos, duhet të kërkojë falje për faktin se ka refuzuar në mënyrë të përsëritur kërkesat e familjarëve dhe përfaqësuesve të shoqatave çame, për kryerjen e lutjeve të përshpirtjeve apo përkujtimoreve për të vrarët e masakruar prej grekëve, me justifikimin e tmerrshëm dhe përçarës, që çamët na qenkan myslimanë dhe për ta Kisha nuk mund të lutet. Por z.Janullatos ndoshta nuk e di, që në mesin e çamëve të masakruar kishte dhe ortodoksë shqiptarë si avokati Spiro Çalluka, Thanas Marko, Petro Sharra, Thimi Gogozoti, etj.

A mund të refuzojë një hierark ortodoks, lutje për besimtarët ortodoksë, vetëm sepse këta janë çamë dhe janë vrarë prej bashkëkombësve të tij, pa patur asnjë arsye tjetër të vlefshme kishtare? Ky është sërish një sakrilegj, i dënueshëm prej kanoneve, Hirësi, për të cilin jeni sërish i thirrur për të kërkuar falje dhe për ta korrigjuar gabimin, duke u lutur ndoshta juve vetë për shpirtrat e këtyre ortodoksëve.

Nga kërkimet që bëra për traditën kishtare të kërkimit të faljes, shembujt më të shumtë për pendesa të tilla i shkojnë Kishës së Romës. Kisha Bizantine apo Ortodokse, ka shumë herë më pak shembuj të tillë të ndjesës, jo se ajo nuk ka bërë faje, pasi krishtërimi lindor nuk mund të ishte më i pafajshëm se ai perëndimori, se ku ka njerëz, ka edhe mëkate, por se Kisha lindore, nuk është akoma gati, nuk e ka bërë të vetën si metodë shërimi, apo ndoshta nuk e ka nivelin e emancipimit, që të pranojë, njohë dhe të kërkojë falje për krimet ku është përfshirë, sado që ato mund të jenë më të pakta në numër, por që nuk ka ndonjë naiv, që të besojë se kah Romës së Re, njerëzit fajtonin më pak.

Le të fillojmë me radhë, me krimet që faktohen shkencërisht, dhe le ta japë këtë shembull vetë Hirësia e tij, Anastasi, se meqë i njihet kontribut i madh teologjik, brenda botës ortodokse, le të jetë dhe ai pararendësi, krahas Papëve gjigantë të perëndimit, të kërkimit të këtyre lloj faljeve kishtare. Në këtë mënyrë historia do flasë edhe për të, si i pari Primat i lindjes që i kërkoi të falur popullit shqiptar që drejton si kryebari, për fajet e kryera prej kishës greke, nga e ka origjinën, duke u bërë kështu urë e vërtetë pajtimi mes popujve.

Dhe që t’i paraprij ndonjë justifikimi të mundshëm që mund të vijë prej zyrës së shtypit të KOASH-it, se Kryepeshkopi Anastas nuk e përfaqëson kishën greke, por vetëm atë shqiptare, do të përdorja si argument vetë thënien e tij se: “Kisha Ortodokse nuk është një federatë 14 kishash autoqefale, por funksionon si një Kishë e vetme, katolike dhe apostolike, dhe nëçdo kishë lokale, gjendet e gjithë kisha universale”. Kështu, Hirësi, ju, qoftë edhe si Primat i Kishës në Shqipëri, do të vinit në vend një padrejtësi të bërë nga Kisha në Greqi, madje nga e gjithë Kisha Ortodokse në botë, sepse faji nuk mund të ndahet në juridiksione administrative, ashtu sikurse edhe kërkesa e faljes nuk mund të kufizohet kurrësesi nga këto juridiksione.

Lajmi i mirë është që edhe bota ortodokse ka filluar të kërkojë falje për gabimet e anës së saj. Nuk dua ta lodh lexuesin me shembuj konkretë, por nëse kërkoni do shihni që falje ka kërkuar Patriarkana e Moskës për probleme organizative, Patriarkana e Antiokisë i kërkon asaj të Jeruzalemit që të rregullojë një çështje juridiksioni kishtar në Katar dhe të kërkojë madje dhe falje. Dikur, ish kryepeshkopi Kristodhulos i Athinës, i kërkon falje Patriarkanës së Stambollit për një çështje administrative të Mitropolive të Greqisë së Veriut, çështje që Hirësi Janullatosi, i di shumë më mirë se ne. Por, që t’i jap kurajo Kryepeshkopit Anastas, që të mos hezitojë të kërkojë falje, si veprim kurativ dhe pajtues, po sjell vetëm rastin e fundit të Kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë, Jeronimit, i cili, në një konferencë të para disa javëve për krizën e emigrantëve në Lindjen e Mesme, mbajtur në Athinë, në prezencë të Patrikut Bartolomeos të Stambollit, të parit të Ortodoksisë, deklaroi: “Përsa më përket, si udhëheqës fetar, marr përsipër përgjegjësinë dhe kërkoj personalisht të falur për çdo njeri që la vendin, fëmijë apo i rritur qoftë. Sepse nuk bëra më shumë si bari shpirtëror dhe si qytetar i Europës së qytetëruar, që ta ndaloja këtë eksod, që në vend të një bilete shprese, la në duart e njerëzve vetëm trishtim të pamatë”.

Këto fjalë prekëse të homologut tuaj, le t’ju frymëzojnë dhe ju që t’i përgjigjeni ftesës sonë për kërkimin e faljes për krimet kishtare kundër popullsisë çame. Ne nga ana jonë, mbas jush, sepse të parit do t’i drejtoheshim Primatit të Shqipërisë, do t’i drejtohemi dhe homologëve tuaj të Greqisë dhe të Fanarit, me të njëjtën ftesë dinjitoze për kërkime faljesh, për krimet që kanë bërë kundër popullit shqiptar, sigurisht, pasi t’i kemi faktuar ato, mbështetur në prova dhe dokumente historike, siç bëmë me rastin konkret. Por do të donim që të ishit ju i pari, si mbajtësi i fronit të Kishës shqiptare që ta hapnit rrugën e shërimit edhe brenda Kishës Ortodokse, siç ka dekada që po e bën Kisha Katolike dhe Kishat e tjera Ortodokse. Duke shpresuar se do t’i përgjigjeni kërkesës sonë të qytetëruar, mbetemi në pritje të reagimit tuaj, në përputhje me ligjet kishtare, kulturore e njerëzore.

Loading...
Back to top button