Njihuni me Fationin, djalin që është kthyer në MARKE për thesaret e panjohura të Shqipërisë (NJE UDHETIM NE GJIRIN E GRAMES)

“Ah ti je Fationi? A ta jap dorën? Të falenderoj shumë. Ndoqa udhëzimet që më dhe ti për të zbritur nga Llogaraja te Gjiri i Gramës. Jam këtu tash 4 ditë me çadra me disa miq. Faleminderit që na tregon Shqipërinë”.

Eshtë një djalë 25 vjeçar nga Kosova, që ka zgjedhur të bëjë pushimet në Shqipëri, në vendet e panjohura, aty ku nuk të çon skafi apo rruga, por në shtigjet e dhive. Ka ardhur me një grup shokësh, dhe në Gjirin e virgjër të Gramës, kanë ngritur çadrat dhe me vete kanë një hartë për vendet që duhet të vizitojnë. Dhe nuk është një hartë turistike, por janë të dhënat që i ka mbajtur shënim nga rrëfimet e Fation Plakut, fotografit pasionat të thesareve të panjohura të Shqipërisë.

Loading...

Dhe me duart shtrënguar, aty në një qoshe të plazhit të Gjirit të Gramës, ai i tregon djemve se nëse kanë paisjet e duhura, të mos largohen nga zona pa parë Shpellën e Nexhajve apo Shpellën blu, se do të mbeten të mahnitur.

Fationi këtë fundjavë që e ka pushim, ka krijuar grupin e tij të aventurës. Me makinë deri në Dhërmi. Mandej, aty te Luciano, është Tori, ose Fatmiri, me skafin e tyre të vogël, që marrin turistët drejt e në Gramë. Udhëtimi me det, nuk i kalon të 30 minutat nëse nuk ka det.

Në Gramë, që në orët e para të mëngjesit, përveç valëve që përplasen në breg dhe zhurmës së gjinkallave që zhukasin pa u ngjitur mirë dielli, nuk pipëtin gjë. Disa çadra të vendosur nga të rinjtë që kanë zgjedhur këtë Gji për të pushuar pak ditë, nuk janë zgjuar akoma.

Drejtohemi me Fationin te një strukturë druri ngritur aty që shërben për ndonjë kafe e ndonjë ujë. Na pret Kristo. Një teke raki dhe Fationi, duket se është në shtëpi.

“Hajde mirëserdhe. Ke sjellë prapë njerëz”, thotë Kristo.

“Po, por veç për fundjavë. Të hënën jam prapë në punë” thotë djaloshi pasionant që është një “markë” e njohur atyre zonave. Biseda rrotullohet tek njerezit që kanë ardhur. Kristo i thotë se javën e kaluar edhe disa djem që Fationi i ka orientuar sesi të zbresin nga shtegu i malit dhe ishin të lodhur shumë.

“I dhamë ujë dhe për të ngrënë”. E cuditshme po ta mendosh. Aty nuk ka energji elektrike, por kristo e ka zgjidhur me panele diellore dhe me zgarë të kënaq ata pak njerëz që vijnë. Birra dhe rakia, mbeten pijet e preferuara.

Fationi nuk humbet kohë për të ngritur çadrat. Sepse pak më vonë, do të fillojnë të vijnë skafe të tëra drejt Gramës, me njerëz plot kuriozitet për të parë Gjirin, një ndër plazhet më të bukura për tu vizituar në Shqipëri.

“Ke qenë në Gramë?” pyet një mikeshë pas fotove të hedhura në rrjetet sociale. “Eeeee, këtë vit është trendy, kush nuk ka shkuar në Gramë”. Dhe më pas pyetja: “Ishte bukur?”

Grama është e magjishme, por mirë është të mos vizitohet në fundjavë, sidomos në gusht. Janë me qindra e qindra njerëzit që e vizotojnë.

Madje dhe Kristo ankohet. “bëjnë pis, nuk pastrojnë gjë. Na duhet të heqim të gjithë mbeturinat kur ikin. I marrim me skaf dhe i nxjerrim në Dhërmi”.

Fationi e kupton këtë, madje, madje, si të thuash ndihet edhe pak fajtor. “Nuk e ke idenë sesa shumë njerëz me shkruajnë në rrjetet sociale. Kërkojnë informacion se ku duhet të shkojnë këtë fundjavë dhe cfarë të zbulojnë. Nuk janë vetëm shqiptarë apo shqipfolës. Janë shumë më shumë të huaj. Janë të gjithë të prirur për turizmin e aventurës. Pra që duhet ta prekin Gramën, duke zbritur nga mali” tregon Fationi.

Kur vjen darka, skafet e fundit kanë ikur. Dhe te kafeja e vogël e improvizuar aty në det, kanë mbetur vetëm të rinjtë e çadrave dhe peshkatarët. Aty fillon debati, ndërsa dielli ka rënë dhe hëna e yjet po zënë vendin në plazhin që nuk ka muzikë me zë të lartë, as drita për tu ndricuar, por vec hënën e yjet.

Me nganjë teke raki në dorë fillojnë flasin për legjendën e floririt. Më shumë janë vendalinjtë që të tregojnë se gropat e hapura në shkëmb me matrapik, janë krijuar për të kërkuar floririn që presupozohet të jetë fshehur në këtë Gji, qindra vite më parë. Deri tani, kërkimet nuk kanë rreshtur dhe tregohet se edhe ndonjë plak që ka mbetur gjallë, nuk e tregon sekretin.

Për ne që dëgjojmë, këto historitë në kërkim të floririt të fshehur, janë të cuditshme, por gropat e hapura nëpër shkëmbinj, tregojnë të kundërtën.

Por nga këtu biseda shkon te udhëtimi sërish. Gjiri i Gramës vërtet është bërë trendy, por ndoshta nuk duhet kaq shumë.

Duhet të jete një zonë e mbrojtur. Në shkëmbinjtë e Gjirit të Gramës ka mbishkrime mijëravjecare. Janë në gjuhën greke dhe latine. Arkeologët i kanë parë me imtësi dhe e kanë klasifikuar me vlera këtë monument natyror. Mëkat që turistët që e vizitojnë kanë zhgarravitur këta shkembinj, duke lënë shënime të shëmtuara që prishin bukurinë e Gjirit.

Kjo ka ndodhur më parë, sese Kristo tani nuk lejon askënd të afrohet e të zhgarravisë shkëmbinjtë.

Ndërkohë që Fationi nuk gjendet një sekond i lirë, të vazhdojë turin me grupin e vet. Në ata dhjetëra njerëz që vijnë aty, dikush i kërkon një foto; një tjetër i kërkon informacion se ku mund të shkojë pas gjirit të Gramës; dikush tjetër do të dijë pak histori të zonës…Fationi është aty për tu dhënë informacionin e nevojshëm të gjithëve.

Ai nuk ka një agjenci turistike, por është një Guidë Turistike pa pagesë në shërbim të kujtdo që i kërkon ndihmë.

Udhëtimet siç thotë vetë, i japin adrenalinë. Pas suksesit që pati me albumin e tij të parë “Homeland”, tashmë është duke u përgatitur për të dytin. Dhe shpreson shumë të gjejë financimin e nevojshëm.

E kush më mirë se Fationi mund t’ju tregojë të gjithëve Shqipërinë. Janë me mijëra ata që kanë ardhur me sugjerimin e tij. Janë mijëra të tjerë që I thonë falemnderit. Fationi nuk kërkon asnjë shpërblim. Me sytë që I qeshin poshtë syzeve, dhe gjithmonë fjalëshumë e gojëëmbël, të tregon atë Shqipërinë që nuk e njohim, dhe që nuk na e tregojnë guidat turistike.

68676386_739029773212155_3965821089996603392_n.jpg

67873555_885532548469406_8062607969210073088_n.jpg

68758607_2290999104360744_7273200865765228544_n.jpg

68597054_931900200484601_3944365829977538560_n.jpg

68370404_503468010408073_2529572356788060160_n.jpg

67789038_389522598371254_1545796164765351936_n.jpg

Loading...
Back to top button