Ftesë për në Ersekë

Nga Rudina Xhunga

Ishte Erion Isai, kryetari i ri Bashkisë Kolonjë që më ftoi këtë herë të shkoja, nëpërmjet një videoje gjithë dashuri, ku Nikoleta nga Rehova, thoshte: “Rudina të presim në Kolonjë!”

Loading...

Unë kam bërë dy emisione në Rehovë dhe shumë shkrime, qyshkur e zbulova, duke kontribuuar ta njohin dhe vizitojnë edhe shumë shqiptarë, pasi të huajt e njihnin para meje.

Kur pashë Rehovën dhe njoha Nikoletën, Lulin e glikove dhe Lulin e varkave, pastaj provova dhallen në dybek të Sofrës, nuk kishte më kthim pas. Kolonja u bë zgjedhja e parë e çdo vjeshte, me një ndalesë te Farma Sotira dhe kthim në Tiranë ngarkuar me zahiretë e dimrit.
Kur shkova këtë herë Erioni më kishte këshilluar një hotel të ri, Guest House Stena.

Një vilë në mes me dy pleq, që s’të bënte zemra t’u ikje kur i njihje.

Më treguan që kishin dy fëmijë në Londër, që vajza e tyre kishte udhëtuar në avion me mamin tim dhe ajo i kishte treguar se nuk jam nga Kolonja po e dua dhe promovoj.
Mandej më treguan sesi kishin një dhomë e kuzhinë në Ersekë po fëmijët u kishin blerë shtëpi në Tiranë dhe u kërkonin të iknin. Po ku na iket ne që këtu, thotë i zoti i shtëpisë duke na treguar fotografitë e gjithë jetës. Derisa vendosën ta shtojnë e ndryshojnë shtëpinë e shndërrojnë në shtëpi miqsh katin e tretë, me tre dhoma, të dytin për vete dhe kuzhinën për të gjithë.

Në mëngjes shtëpia mbante aromë pitesh, byreku, mjalti e gjalpi të sapobërë dhe e zonja vetëm e mbushte e mbushte tavolinën. Për ty falas thanë kur ika, po si mund të mos paguaja? Ku ka çmim gjumi në Ersekë, çarçafët e sjellë nga Londra dhe qilimat e shtëpisë, lulet në ballkon, dhomë e shkallë, kafja e mëngjesit me pamje nga Gramozi, pa pallate që të zënë pamjen e frymën si në Tiranë.

Dy pleqtë e Guest House Stena e kanë plot atë shtëpi me tre dhoma dhe plot e më plot e paçin shtëpinë, siç kanë zemrën. Jo vetëm ata nuk e lanë Ersekën për Tiranën, po tani kjo shtëpi miqsh që po bëhet biznes, po e bën dhe djalin të mendojë për kthimin nga Londra.
Aty në darkë, ndërsa kontrolloja nëpër rafte qelqurinash, gjeta librin më të bukur që mund të lexoja në Ersekë. E lashë mënjanë Varufakis, që nuk e kam mbaruar akoma dhe ndenja deri në të aguar me Diana Gëllcin, me: “Erseka, më kujtohet…”
Një shkëmbim i rrallë malli në Facebook, ku çdo qytetar Erseke kujtonte vetëm të bukurat e atij qyteti, duke më bërë të besoj se po flitej për një qytet imagjinar. Aq e pabesueshme më ngjante mua, që asokohe mësoja të ecja në Vlorë, që kishte një qytet tjetër ku jeta ishte si në film. Malli ta zbukuron fëmijërinë dhe vendlindjen, por në atë libër, bërë bashkë kujtime, mall dhe qytetari, unë zbulova arsyen pse e doja aq shumë këtë qytet kaq të panjohur për mua, që e kisha parë për herë të parë kur u bëra vetë nënë.
Diana Gëllci faleminderit! Sikur ta bënte Thomai me kaq dashuri RTSH-në, si ti librin tënd, nuk do të kishte konkurrencë për të.

LEXO DHE :  Alfabeti pa Ë dhe pa Ç, nga 36 në 34 shkronja

Kur dola në panair, i takova të gjithë njerëzit që më duan dhe i dua. I dua se janë gojëëmbel e punëtorë, më duan se tregoj për ta sa herë mundem. Ishte Nikoleta që ka shtëpinë më të bukur në Rehovë e më ka njohur me gjithë gratë e fshatit më qytetare të Shqipërisë, Luli që më merr dhe e marr çdo tetor se pret të shkoj dhe çdo dhjetor të më tregojë me kë do të më çojë bakllavanë.

Jonida nuk kishte ardhur nga Farma po kishte çuar tavën e peshkut të Sotirës, që u nis për të rritur pak peshk e pirë raki burrat dhe u bë agroturizmi i parë në Shqipëri. Pastaj Sofra Kolonjare aty e gjitha, se ku ka Kolonjë pa sofër.

Aty ishin të gjithë, të veshur me kostume e me qejf të madh që ishin mbledhur te Pazari, për t’u parë e për të ndarë.

Nuk takova vetëm kryetarin, Erionin që më ftoi. Më shkroi në darkë në Instagram dhe qesha me vete se ai çuni i Portokallisë që e mora me vete për herë të parë në emisionin e Topit për të më treguar Rehovën, bashkë me Benin, kryetarin e Bashkisë që nuk jeton më, tani është bërë vetë kryetar dhe vend të preferuar ka Instagramin.

Tipike rilindase, bëj foto, video dhe ik.

Po ajo që nuk ka Instagram ta mbajë, është aroma e një vendi, e luleve dhe glikove të tij, është përqafimi i njerëzve që u shkëlqejnë sytë për të pritur njerëz se kanë çfarë t’u japin. E vetmja që u mungon janë miqtë, që ndalin deri në Korçë e nuk vazhdojnë më tutje se u duket larg.

LEXO DHE :  Ja plani i Titos për turqizimin e shqiptarëve

Panairi këtë herë i kishte mbushur plot dy hotelet që ka Erseka, që do të bëhen tre, 5, 25 derisa rruga të mbarojë dhe në vend të kafeneve të trishtuara ku burrat pinë raki e hanë pula, shtëpive të rrënuara pak metra nga qendra e rregulluar, të nisë jeta e shtëpive të miqve, e bujtinave që do të mbushen çdo fundjavë sikur të ketë dasmë. Se dasmën e bëjnë kolonjarët kur vijnë miq.
Luli dhe Maqo këtë herë ishin plot. Një grup ikte, një grup vinte. Nga çiklistët kanadezë te miqtë e panairit, Sofra Kolonjare do të shtonte një tjetër ambient siç dinë ata ta bëjnë, se më mirë prishet.

Sepse ka ardhur koha, koha për Kolonjën. Nuk ka rrugë tjetër veçse t’i mbushësh me agroturizëm ato male plot mollë.

Kur ndalova në kthim në Mollas, dy tezga që shisnin mollë me 30 lekë kilja, më luten të hyja vetë në plantacion dhe t’i mblidhja. Merri pa lekë, po hyr e mblidhi vetë më thanë.

Ju treguam me Dritanin, që nëse hyn vetë dhe futesh mes mollëve, nëse i sheh ashtu të kuqe, gold, jeshile e gjithë emra e ngjyra, nëse aroma e tyre të deh, nëse më vend të baltës shkel një tapet mollësh, atëherë nuk i merr pa lekë, as me 30 lekë, po me 300 se kjo është eksperiencë pa çmim. Ndaj i luta të ndërtojnë një çadër të bardhë për tre muaj që rrinë e shesin në rrugë dhe t’i ftojnë njerëzit t’i vjelin vetë mollët që blejnë. Dhe pasi kanë ngrënë të Luli a te Sofra, a në Rehovë, ta dinë se ajo që i pret është vjelja e mollëve, ose mbledhja e domateve, a qepëve a gjithëçfarë mban ajo tokë e bekuar që do vetëm vëmendje.

Hidhi sytë nga Kolonja dhe bëje zonën, pjesë të turit të vjeshtës. Vetëm duke shkuar ne, ata do të çlirohen nga mallkimi i zbrazjes dhe ne nga pamundësia për të kuptuar çfarë juglindjeje kemi për të shijuar./dritare.net

Loading...
loading...
Back to top button
Close