Në Shqipëri: Të vdekur, të burgosur dhe emigrantë marrin ndihmë ekonomike

Emisioni investigativ Fiks Fare ka denoncuar mbrëmjen e së enjtes një shkelje shumë serioze në lidhje me dhënien e ndihmave ekonomike në Tropojë.

Sipas kërkimeve të bëra, persona të vdekur, të burgosur dhe emigrantë figurojnë në listën e personave që marrin ndihmë ekonomike në Njësinë Administrative Lekbibaj.

Loading...

Pasi ka siguruar një listë nga kjo Njësi Administrative me 194 emra, është vënë re se mes emrave që figurojën në listë disa janë emigrantë në Kosovë, Maqedoni, Francë dhe Gjermani. Gjithashtu, dy vëllezër, njëri në burg e tjetri në kërkim, figurojnë në listën e ndihmës ekonomike. Borderoja mban datën 3 qershor 2019, ku secili emër ka shumën përkatëse të ndihmës, si dhe nënshkrimet e këtyre personave.

Gazetarët e e biseduar edhe me familjarët e personave që kanë emrin në listë. B. N., i cili banon prej 4 vitesh në Tiranë, figuron në këtë listë dhe në qershor 2019 i është paguar një shumë prej 3.060 lekë. Vëllai i tij thotë se në mes të muajit korrik 2019 e kanë marrë në telefon nga kjo Njësi Administrative për të marrë ndihmën e 6 muajve. Ai thotë: “Te dokumenti që kam parë, është edhe firma e B. Ai nuk ka firmosur, nuk është nënshkrimi i tij. Lekët nuk i kemi marrë”.

Vjehrri i A. F., e cila ka emrin në listë ku edhe është firmosur, thotë se lekët i ka tërhequr ai para pak ditësh pasi nusen e djalit e ka në Francë, azilante

LEXO DHE :  “Taksa nuk do hiqet as në Samitin e Berlinit as në samit tjetër”

Ndërkohë, T. N. shpjegon se nëna e tij M. nuk ka marrë asnjë lekë, megjithëse ka emrin në listë. Ai shprehet: “Pashë listën dhe nëna ime përfitonte 3.960 lekë në muaj, që kishin dalë nga dhjetori. Në listë ishte edhe nënshkrimi i nënës sime. Ajo nuk ka nënshkruar asnjë dokument, madje s’ka marrë asnjë lekë deri më tani”.

M. S., e cila sipas banorëve të Lekbibajt ka ndërruar jetë muaj më parë, është gjthashtu në listë. Por, në dokument rezulton se zonja e vdekur ka marrë 5.580 lekë në muajin qershor. Punonjësi i Gjendjes Civile në Lekbibaj thotë se e ndjera është çregjistruar nga Gjendja Civile në datën 1 korrik të vitit 2019. Ndërsa sipas shënimeve në varrezat e fshatit rezulton se e ndjera ka ndërruar jetë në mars të vitit 2018. Ndërkohë, në dokumentin e njësisë Lekbibaj të muaj qershor 2019, kjo zonjë ka marrë shumën prej 55 mijë lekësh të vjetra!

Në listë rezulton edhe emri i një personi që ndodhet në Gjermani e një tjetri që ndodhet në Maqedoninë e Veriut, por kanë marrë e kanë firmosur për ndihmën e tyre sociale në qershor.

Sipas policisë së Tropojës, nga dy vëllezër që kanë marrë ndihmë e kanë firmosur për të, njëri është në burg e tjetri në kërkim nga policia.

LEXO DHE :  Thirrjet e shqiptarëve që po shuhen

Sipas Zyrës së Punës në Tropojë, lista e ndihmës ekonomike bëhet nga Bashkia e Tropojës. Ndërsa kur u pyet se përse janë paguar persona në burg, emigrantë apo edhe ata që kanë ndërruar jetë, ,  shefja e financës dhe buxhetit në Bashkinë e Tropojës pohoi se “ndoshta familjarët do kenë kartat e tyre të identitetit”.

Sipas punonjësit të postës që ka ndarë ndihmën ekonomike,  për dy vëllezërit, njëri në arrati dhe tjetri në burg, ka firmosur babai i tyre. Ai u shpreh se për personat që ndodhen jashtë shtetit kanë firmosur familjarët.

Për zonjën që ka ndërruar jetë, punonjësi i postës tha se ka firmosur bashkëshorti i saj.

I pyetur se si ka mundësi që disa persona pranuan se nuk e kanë marrë ndihmën ekonomike, megjithëse figurojnë se kanë firmosur, punonjësi i postës pranoi se i ka plotësuar ai letrat që të mos digjej ndihma e tyre ekonomike./TCH


Loading...
loading...
Back to top button