PD-PS, marrëveshja e heshtur për të mos prekur sistemin zgjedhor

Nga Mentor Kikia

Sali Berisha konfirm mbrëmë në Opinion se PD nuk do të investohet në atë që shumë qytetarë shqiptarë presin, ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Ndryshimet në kodin zgjedhor nuk do të prekin thelbin, atë që është edhe problemi i vërtetë dhe shkaku u degradimit të demokracisë, sistemi zgjedhor.

Ai mbrojti ndryshimet e bëra në marrëveshjen “e kobshme” PD-PS, në 2008, që i shndërroi kryetarët e partive në pronarë të tyre.

Tha se nuk ishte penduar për atë ndryshim dhe se do ta mbronte atë. Kjo shpjegon edhe ngurrimin e PD-së për të bashkëpunuar në reformën zgjedhore.

Të dyja palët janë të interesuara që të mbetet i njëjti sistem.

PS tani justifikohet se kodi nuk reformohet pasi nuk vjen PD. Ndërsa PD thotë se kemi halle më të mëdha për momentin, të heqim njeherë Edi Ramën, pastaj merremi me Kodin Zgjedhor.

PD nuk ka në plan të reformojë as sistemin zgjedhor dhe as sistemin politik. Ajo kërkon ta shfrytëzojë krizën dhe pakënaqësinë popullore thjeshtë për të ardhur në pushtet.

Nëse nuk ndryshon sistemi, të gjitha përpjekjet e tjera janë show. Kjo krizë nuk ka nevojë për marrëveshje për ta kapërcyer. As duhet zgjidhur sa për të kaluar momentin.

Kjo krizë ka nevojë për një operacion të thellë politik. Operacion për të cilin asnjëra palë nuk është e interesuar.

Back to top button