Reportazh/ Jo vetëm vend i shenjtë, Mali i Tomorrit i ka sytë tek turizmi malor

Shumë njerëzve u pëlqen më tepër turizmi malor se sa deti e plazhi e sa për male Shqipëria ka kaq shumë bukuri përrallore për të eksploruar. Të huajt e sidomos polakët e çekët dynden drejt Thethit e Valbonës si zona tashmë të konsoliduara për këtë lloj turizmi, bujtinat, traditat dhe infrastrukturën.

Por malësia e Skraparit ka kurorën e saj mbi kokë që është mali i shenjtë i Tomorrit. Prej vitesh mali frekuentohet vetëm pesë ditët e gushtit, nga 20 deri në 25, për pelegrinazhin e Bektashinjve. Përveç shenjtërisë ky vend ka shumëçka për të ofruar. Si një vend ende i “virgjër” për sa i përket turizmit malor, kanë nisur tashmë të lulëzojnë edhe bujtinat e para duke e kthyer në një eksplorim jo vetëm në ditët e festës por çdo ditë të vitit. (Vijon poshte fotos)

Loading...
Mali i Tomorrit

E nisim rrugën pas ditës së festave, për të shijuar sa më shumë të mundemi nga ky vend. Itinerari është Teqeja e Kulmakut, maja e Çukës, eksplorimi i zonave që nuk njihen, për t’u shlodhur më pas në Bujtina e Tomorit, një prej bujtinave të reja në zonë.

Rrugëtimin e nisim nga Bogova, një pikë turistike më vete për të ngjitur përpjetë rrugën e krijuar nga kalimi i shpeshtë, jo infrastrukturë e ngritur, drejt majës më të lartë të Tomorrit. Që në nisje e deri në afërsi të vendeve ku Tomorri shfrytëzohet për të nxjerrë gurë, hasim pika kontrolli të policisë. “Ka dalë urdhër, nuk duhet të lejojmë asnjë kamion me gurë të zbresë poshtë”, na thonë efektivët e policisë si për të na përfshirë në aktualitet.

Si një ashensor natyral, teksa ngjisim malin me një fuoristradë, si i vetmi mjet personal që “e ha” këtë rrugë, të shfaqet para dalë ngadalë Osumi poshtë, që gjarpëron mes luginave dhe kodrinat përreth me gjelbërim të pashoq. Një panoramë që të mban frymën pezull e që mund ta shijosh pafund teksa të shfaqet e të zhduket mes kthesave të rrugës.

Ndalesa e parë është Teqeja e Kulmakut ku ende duken gjurmët e ditëve të festës. Atje hasim dhe një grup turistësh nga Holanda të cilët të përshëndesin pa hezitim. Në një bisedë të shkurtër me ta na thonë se kanë kërkuar në internet, ku kërkonin për Kanionet e Osumit, pasi nuk kanë gjetur ndonjë guidë si pikë turistike dhe janë të mahnitur nga peizazhi i Tomorrit. Njerëzit këtu janë shumë mikpritës dhe na e treguan historinë e pelegrinazhit, thonë turistët holandezë. “Këtu prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu dhe ne do shkojmë në majën e Çukës ku është varri i tij”, vijon turisti.

Lëmë pas Teqenë, për të ngjitur majën e lart të Tomorit, Çukën ku dhe prehet Abaz Aliu. Prej atje pjesa poshtë e malit ku ka mjaft lugina dallohen disa gropa shumë afër njëra-tjetrës. Legjendat thonë se Tomorri qëllonte me shpatë ndërsa Shpiragu, mali përballë tij, me gjyle. E sipas legjendës, kjo është arsyeja që Tomorri është plot gropa ndërsa Shpiragu vija-vija si i prerë me shpatë. E bukur për të qenë e vërtetë.

Maja e Çukës, vendi ku prehet Abaz Aliu dhe që pret mijëra vizitorë e besimtarë gjatë ditëve të pelegrinazhit. Nuk ka asgjë tjetër aty, vetëm Mali dhe Abaz Aliu. Më vijnë ndërmend fjalët e poetit tonë të madh, Naim Frashëri. “Abaz Aliu zu Tomorë/erdhi afër nesh/ Shqipëria nuk mbet e gjor/ se Zoti e desh”. Sigurisht që Zoti e desh shumë Shqipërinë duke i dhuruar pasuri të pafundme natyrore, që nga deti poshtë e tek malet e larta e plot hijeshi. Po shqiptarët a e duan Shqipërinë sa Zoti?

LEXO DHE :  “Dua të përfaqësoj Shqipërinë”, shqiptari trajner i FBI-së, kërkesë institucioneve shqiptare

Thonë që në kohë të mirë prej majës së Çukës mund të shohësh Barin e Italisë, po nuk ka pse të shkojmë aq larg. Në pëllëmbë të dorës para teje shfaqen Berati, Gramshi nga ana tjetër, detin në horizontin e largët. Merr frymë thellë dhe shijon këtë oaz qetësie kur nën këmbët e tua ke këtë panoramë. Larg ndotjes urbane, larg zhurmës politike, larg stresit të ditës rutinë, vetëm pak ajër i freskët, peizazh qetësues dhe ujë të kulluar të burimeve të malit. Një vend frymëzimi shkrimtarësh mund ta quash, pse jo për një libër ti ri. Këtu takuam edhe xhevahirin e Malindit, shkrimtarin e njohur Xhevahir Spahiu i cili po na fliste për këtë bukuri natyrore.

SHKËMBI I GREKUT

Pasi lëmë Çukën zbresim të tatëpjetë majës, dhe para se të shkojmë në Bujtinën e Tomorrit ku na pret qengji i bërë kurban sipas traditës ndalemi në një tjetër vend shumë pak të njohur për botën, por jo për vendasit. Quhet “Shkëmbi i grekut”. Na tërhoqi emri për ta vizituar dhe kur arritëm atje gjithçka që mund të thoje është “Mahnitëse se çfarë mund të bëjë nëna natyrë”. Një luginë e madhe shkëmbore e prerë në formë të tillë sikur një punues guri të ishte kujdesur për të. Tek tuk me ndonjë shkurre lindur mes shkëmbinjve. Turistët para nesh na thonë kujdes telefonat se po ranë këtu si merr dot më. Dhe ashtu është, në disa vende prerja e shkëmbinjve ishte aq e thellë sa vështirë të shihje poshtë.

Vendasit të thonë se në fshatin Ujanik u vendosën grekët demokrat që u dëbuan nga Greqia gjatë Provokacionit të 1949. Ata qëndruan në këtë vend deri në 1961 kur u larguan nga fshati. Por gjatë ikjes një prej tyre ka rënë në këto shkëmbinj të thepisur e ka humbur jetën dhe për t’iu referuar vendit kësaj zone iu vendos emri Shkëmbi i Grekut.

Prej andej mes shtigjeve të mrekullueshme shkojmë te Qafa e Qershisë, një tjetër peizazh eksplorues i natyrës, dhe siç ka emrin mund të ngopesh me qershi sa të duash kur kanë periudhën e tyre, pasi zemërgjerësia e malit dhe banorëve ta jep këtë mundësi.

BUJTINA E TOMORRIT

Ujaniku dhe Gjerbësi janë dy fshatrat më të afërt me Teqenë e Kulmakun, vendin e pelegrinazhit. Deri pak vite më parë kjo zonë nuk është shfrytëzuar për turizëm malor, dhe pse ka mjaft potencial. Kanë qenë banorët vendas ata që janë kthyer për t’i dhënë një hov zhvillimi kësaj zone. Një prej tyre është Bujtina e Tomorrit, apo e Shefqet Ujanikut, siç e njohin të zotin. E ka ngritur pak e nga pak, gurë më gurë këtë bujtinë në tokën e tij me qëllimin e vetëm që kushdo që vjen njëherë, të kthehet prapë pasi këto vise këtu kanë shumë për të thënë. Njëri i qeshur, zemërbardhë që të ofron sofrën e vet me prodhimet e zonës, bashkë me shpirtin e mirësisë. Turistët ulen e bisedojnë shtruar me Shefqetin, teksa mishi piqet ne hell, dhe dëgjojnë historitë e Tomorrit të lashtë prej shekujsh dhe Ujanikut. Nga njerëz si ai mëson se Tomorri nuk ka vetëm pelegrinazhin dhe majën e Çukës, por ka Qafën e Qershisë, ka Shkëmbin e Grekut, Tomorrin dhe Shpiragun, e shumë vende të tjera për të cilat qarkullojnë legjenda, histori dhe të vërteta.

LEXO DHE :  Qyprilli Mehmet Pasha, shqipari më i suksesshëm i shek. XVII

Sofrën na e shtron gruaja e Shefqetit, Filja, një grua shtatvogël pak e vrazhdë në pamje të parë, po me një shpirt flori. Madje do të thosha që gatimet e saj janë një nga arsyet që të bëjnë të kthehesh prapë në malin e Tomorrit. Byrek me hithrat e malit, kulaçi i sapobërë, dhe mishi i qengjit, djath e gjalpë të baxhove të stanit, e ujë të ftohtë mali. Çfarë të duash më shumë?

Gjejmë dhe turistë të tjerë që kanë ardhur këtu për të pushuar. Deri pak vite më parë thonë ata e bënin brenda ditës rrugën e Tomorrit dhe vetëm për festën por tashmë mund të qëndrosh e të shijosh sa më shumë të mundesh nga zona.

Bujtina të ofron përballë pamjen piktoreske të maleve, Gjerbësin në njërën anë e fshatrat e Gramshit nga ana tjetër. Je i pari që shijon rrezet e diellit kur lind në mëngjes, dhe i fundit që shijon perëndimin në darkë. E atëherë kur je përballë kësaj panorame do të dëshiroje që ditë të tillë paqeje të mos mbaronin kurrë. Krahas dhomave të bujtinës, Shefqeti ka krijuar dhe mundësinë e çadrave për ata që duan të shijojnë vërtetë çfarë do të thotë kampingu në mal. (Vijo poshtë fotos)

Një natë në malin e Tomorrit dhe ti njeh, sheh, dëgjon dhe të shtohet kurioziteti për t’u kthyer prapë. Dhe do kthehemi prapë herë tjetër të Teqeja e Kulmakut, te bujtina e Shefqetit për të dëgjuar të tjera histori të Tomorrit.

NË VEND TË MBYLLJES

Andon Z. Çajupi në poezinë e tij “Baba Tomorri” do të shkruante: “Baba Tomor, o mal’ i uruar/ c’kane ngjare, gjithe c’kane shkuar,/ i di vete, s’dubet te t’i themi/ C’do te ngjajne, te lutem rrefemi/ Sot e tutje, c’thote perendia?/ Do te heqe shume Shqiperia?

E në fakt pas mëse një shekulli kjo pyetje e Çajupit është mëse aktuale nëse do të heqë më shumë Shqipëria. Turizmi malor po promovohet çdo vit e më shumë në vendin tonë, por ajo që i mungon kësaj zone është infrastruktura. Kanionet e Osumit po promovohen më së miri dhe ajo që dëgjuam nga turistët e huaj ishte se ishin nisur pikërisht për kanionet dhe nga kërkimet në Internet kishin dëgjuar dhe për Tomorrin e I vetmi që ka investuar duke shtruar çakull herë pas here në këtë rrugë është Kryegjyshata Botërore Bektashiane për ditët e pelegrinazhit, ndërsa si zonë turistike dhe pse mund të njihet si Park Kombëtar, Tomorri nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Krijimi i bujtinave nga vendasit dhe numri i lartë i vizitorëve tregon “etjen” për të vizituar dhe eksploruar parkun e Tomorrit, jo vetëm në ditë feste por përgjatë gjithë vitit. Me turizmin malor të Tomorrit dhe Kanionet e Osumit, Skrapari mund të ishte një paketë e mirë turistike për t’u promovuar tek të huajt. Le të kthejmë sytë nga bukuritë malore të vendit tonë që nuk na mungojnë nga veriu në jug./ tirananews.al

Loading...
loading...
Back to top button