Makroni i Parisit dhe palaçot e Tiranës

Nga Viktor Malaj

Refuzimi i Francës (dhe dy vendeve të tjera gjysmë satelite) për të hapur kapitullin e bisedimeve për pranimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shkaktoi pakënaqësi dhe zemërim tek shumë kancelari evropiane dhe tek shumica e popullit shqiptar, ashtu siç solli një gëzim të maskuar tek disa vende fqinjë dhe një gëzim të stërholluar tek një pjesë e shqiptarëve, tek ajo pjesë që historikisht dhe politikisht bart mëkatet më të mëdha për shkak të kontributeve të vazhdueshëm në shtrembërimin dhe shpërfytyrimin e imazhit shoqëror, politik dhe demokratik të Shqipërisë.

Qëndrimi këmbëngulës dhe i pandryshueshëm i Francës, përfaqsuar nga Presidenti i saj Emanuel Makron, kundër afrimit me BE-në të dy vendeve ballkanike, sipërfaqja dhe popullsia e të cilave, së bashku, janë sa 1% e krejt bashkësisë të sotme evropiane, ishte sa cinik dhe i pajustifikuar aq edhe hipokrit dhe kundërhistorik. Ishte cinik sepse binte në kundërshtim me mendimet dhe vlerësimet e të gjitha organizmave politikë të BE-së dhe të 90% të shteteve të tjera anëtare.

Cinik ishte edhe sepse, përveç dëmeve që iu shkakton dy popujve aspirues, demonstroi mospërfillje arrogante ndaj pjesës tjetër të Evropës. Imagjinoni sikur Florida, Miçigani apo ndonjë shtet tjetër i SHBA-së të mos i besonin ekspertizës së Uashingtonit, por të vinin veton në problemet e marrëdhënieve me shtetet e tjera.

Ishte i pajustifikuar jo pse Shqipëria dhe MV kanë sot standarde ekonomike, politike dhe juridike të nivelit më të mirë të mundshëm, se po të ishte kështu do të këkronin të anëtarësoheshin dhe jo të zinin radhën e pritjes tek “porta e oborrit” të BE, domethënë për të filluar bisedimet (negociatat).

Kundërshtimi francez ishte hipokrit sepse si shkaqe u paraqiten pretekste qesharake, pa artikuluar arsyet e vërteta. Por, ky kundërshtim ishte edhe kundërhistorik sepse iu mbyll derën dy popujve që jetojnë historikisht në territore që janë pjesë e Evropës, që dëshirojnë të integrohen në të, që kanë 30 vjet që i janë bashkuar “fesë politike” të Evropës Perëndimore dhe që janë treguar të bindura dhe, madje, jo rrallë edhe të poshtëruara ndaj kërkesave europerëndimore.

Pak a shumë, Presidenti francez shprehu tri “arësye” për kundërshtimin ndaj Shqipërisë. Pretendimi i z. Makron se nuk mund ta pranonte Shqipërinë meqë i kishin ardhur në vendin e tij nja 7-8 mijë shqiptarë si emigrantë, në një vend ku çdo vit shkojnë mbi 200 mijë emigrantë, duket qartësisht i pabesueshëm.

Një vend si Franca që ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve, që ka mallkuar për gjysëm shekulli regjimet komuniste që i kufizonin në maksimum këto lëvizje dhe që ka përdorur të gjitha llojet e mjeteve dhe armëve për të përmbysur regjimet e sipërpërmendura, është dashur ta dinte se kur të ndodhë hapja dhe liberalizimi, njerëzit do të lëvizin nga hapësirat e pazhvilluara drejt atyre më të përparuara, ashtu siç ka ndodhur historikisht dhe siç do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Preteksti tjetër se, meqë shumë shqiptarë kishin kërkuar strehim politik në Francë (sigurisht, të shtyrë nga nevojat ekonomike), Shqipëria nuk është ende një vend i sigurt, është një përrallë lafonteniste.

Jo vetëm që Shqipëria nuk radhitet poshtë Francës për nivelin e sigurisë por deri tani, fatmirësisht, në Shqipëri nuk kanë ndodhur akte terroriste, ashtu siç kanë ndodhur në vendin që drejton z. Makron ku aktet terroriste kanë marrë me dhjetra jetë njerëzore. Presidenti francez pohoi se Shqipëria nuk ka bërë sa duhet reforma dhe prandaj nuk duhen nisur tani bisedimet e pranimit.

Nga ana tjetër, z. Makron prej disa kohësh pretendon se duhet reformuar fillimisht BE-ja dhe pastaj duhet vazhduar me pranimin e vendeve të tjera. Nëse BE-ja mbi 60 vjeçare, themeluese e të cilit është edhe Franca, nuk ka reformuar ende sa e si duhet veten, si mund t’ua konsiderojë “mëkat” të pafalshëm mosreformimin disa shteteve që kanë rreth një dekadë që përpiqen t’iu përshtaten normave dhe rregullave të bashkësisë evropiane? Kjo mënyrë normale arsyetimi mund ta çojë cilindo tek pyetja: po BE-ja a duhet pranuar në BE?

Pasi, me të drejtë, e krahasoi BE-në me një shtëpi të përbashkët, z. Makron, si pa dashje, zbuloi edhe njërin nga shkaqet e mospranimit të dy vendeve ballkanike në BE. Ai pohoi se shtëpia BE duhet rikonstruktuar me kontributin e të gjithë pjesëtarëve të saj por, theksoi ai, ka pjesëtarë që jo vetëm nuk kontribuojnë vetë, por duan të fusin brenda edhe disa vende të tjera të varfëra.

Nëse Presidenti francez beson se Shqipëria duhet të bëhet pjesë e BE-së kur të bëhet si Franca, kjo s’ka për të ndodhur kurrë pasi Shqipëria nuk mund të njëzetfishojë territorin dhe as popullsinë, nuk mund të pushtojë miliona km2 territore dhe qindra miliona njerëz në botë, t’iu grabisë atyre pasuritë, nuk mund t’i bëjë universitetet e veta një mijë vjecare dhe as mund të “prodhojë” shkencëtarë e filozofë sa Franca dhe si të Francës.

Ajo që mund dhe duhet të bëjë Shqipëria është shtimi i përpjekjeve për ta përafruar vendin strukturalisht dhe nga pikëpamja e funksionimit të shtetit ligjor me vendet më të përparuara perëndimore.

Po t’i kishim nivelin ekonomik, politik dhe kulturor të Francës nuk do të flitej më për “hapje bisedimesh” por për pranim të menjëhershëm. Ndërkohë, ka të ngjarë që po ta kishim arritur atë nivel zhvillimi as që do të na binte ndërmend për BE-në por do ta konsideronim thjesht si njëri nga shumë shtete të tjerë. Nëse z. Makron dhe ndonjë tjetër evropian e mendojnë BE-në si një “klub pasanikësh” ku të varfërit s’duhen lejuar as të hyjnë brenda për të fshirë shtëpinë apo lustruar këpucët, është më e ndershme ta pohojnë këtë në mënyrë që “të varfërit” të gjejnë një “zotëri” tjetër.

Është e turpshme dhe e papranueshme që të presësh në Francë shtetas të kontinenteve të tjerë dhe t’i bësh shtetas francezë e, rrjedhimisht, evropianë dhe disa nga këta të të tronditin vendin dhe popullin tënd nëpërmjet akteve terroriste, siç ka ndodhur, dhe, nga ana tjetër, t’i mbyllësh derën një populli që është evropian gjeografikisht, historikisht dhe shpirtërisht.

Është e paarsyeshme që popuj të shpërndarë nëpër disa ishuj, në oqeane të ndryshëm, të jenë sot shtetas francezë dhe të kenë të drejtë të votojnë edhe për institucionet evropiane, vetëm pse vazhdojnë të jenë koloni franceze, ndërsa popujve të Evropës Juglindore kjo mundësi iu mohohet.

Për Shqipërinë dhe popullin shqiptar bëhet akoma më fyese dhe poshtëruese që veton për të mos u bashkuar me BE-në, në emër të humanizmit, shtetit ligjor dhe parimeve demokratike, e vë një shtet i cili është paditur disa herë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit dhe që në atë vend janë paditur me dhjetëra kryetarë bashkishë, deputetë, ministra, presidentë të shtetit dhe presidentë të sportit për korrupsion dhe krime të tjera dhe, thuajse, asnjë nuk ka shkuar në burg.

Nëse forca e trupit dhe luksi që rrethon dikë konsiderohen të mjaftueshëm për të fshehur erën e keqe të gojës dhe, sidomos, për t’i dhënë të drejtën e gjyqtarit ndëshkues për cilindo, atëhere kjo është një çështje tjetër.

Për fatin e keq të shqiptarëve, qëndrimi më i fundit i presidentit francez ndaj Shqipërisë na sjell ndërmend qendrimet përgjithësisht antishqiptare të politikës franceze qysh nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Paqes në vitin 1919 dhe deri në ditët tona (1999) kur Franca shfaqej më nguruese se shtete të tjerë për të ushtruar presion ndërkombëtar ndaj Serbisë që, pas kroatëve dhe boshnjakëve, po vazhdonte të kryente gjenocid ndaj shqiptarëve.

Ndërkaq, jo pak kolonelë francezë njoftonin qeverinë serbe për objektivat e bombardimeve të NATO-s ose shpreheshin “të përmalluar” se ua kishte lënë “babai” porosi t’i ndihmonin gjenocidistët serbë me sa të mundnin. Ndarja e territoreve të popullësisë shqiptare për t’ua bërë si dhuratë disa shteteve fqinjë është bërë me ndihmën franceze.

Në prag të konsolidimit të shtetit shqiptar, ajo Francë që pushkatonte Themistokliun atdhetar në Selanik dekoronte me Urdhërin më të lartë Kombëtar, atë të Legjionit të Nderit, Esat Pashë Toptanin, shqiptarin që i vuri më shumë se askush tjetër gurë nën rrota procesit shtetformues shqiptar.

Kërkesat e llogarisë për shtet ligjor në Shqipëri, ndonëse janë të drejta, tingëllojnë hipokrite dhe cinike kur bëhen nga një shtet si Franca e cila, kur Shqipëria përgatitej të procedonte penalisht autorin e kaosit të 1997 dhe ideatorin e marrjes së pushtetit me dhunë në shtator 1998, Sali Berishën, e kërcënonte qeverinë shqiptare me “prerjen e çdo lloj ndihme financiare dhe politike”, nëse e kryente procedimin penal.

Edhe kur politikani harbut dhe delinkuent Sali Berisha kishte falsifikuar zgjedhjet e 2009 dhe opozita politike ishte futur në grevë urie derisa të hapeshin kutitë e votimit për të verifikuar mashtrimin, politika franceze, në vend që dhunuesit të demokracisë dhe të shtetit ligjor t’i tregonte dhëmbët e krokodilit, e mori dhe e “qerasi” në restorantin “Krokodili” dhe e mbylli aktin antidemokratik me “rrahje krahësh” të të gjithë palëve. Po të ishte dënuar Sali Berisha politikisht me izolim ndërkombëtar dhe juridikisht me izolim fizik, pasardhësit e tij politikë nuk do të kishin guxuar të përsërisnin shkeljet e tij antidemokratike dhe jeta e sotme politike, sociale dhe juridike e Shqipërisë do të ishte shumë më cilësore.

Prandaj, pavarësisht prapambetjes tonë shoqërore, qëndrimi i z. Makron dhe pretekstet e tij në vendosjen e vetos kundër hapjes së bisedimeve Shqipëri – BE janë antishqiptare dhe të papranueshme. Madje, vetë fakti që BE (ashtu si edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së) funksionojnë mbi bazën e vetos të shtyjnë të mendosh për falsitetit demokratik në qëndrimet dhe vendimmarrjet ndërkombëtare ku një i fortë dhe i pasur i bën nul mendimet, gjykimet dhe vendimet e 100 të tjerëve më të dobët.

Nga ky këndvështrim duket se është shumë e vështirë të qëndrojnë së bashku demokracia dhe vetoja.

E vërteta e qëndrimit të z. Makron ndaj Shqipërisë do të përmblidhej në një pohim imagjinar: “Unë, Presidenti i Francës Emanuel Makron jam kundër pranimit të Shqipërisë në BE sepse nuk mund të lejoj që shumë votues të mi në Francë të kalojnë me Frontin Nacional, meqë janë kundër emigrantëve; nuk mund të lejoj që Franca të shtojë kontributet e saj financiare për disa ‘katunde ballkanike’ si Shqipëria dhe MV; nuk mund të pranoj që vendet e tjera evropiane, sidomos ato ballkanike, të besojnë se për t’u zhvilluar dhe ecur përpara iu mjaftojnë lidhjet e tyre me Gjermaninë dhe botën anglishtfolëse, ato duhet t’i ‘falen’ edhe Francës tri herë në ditë”.

Siç thashë më lart, veton franceze (është thuajse e sigurt që një “po!” franceze do ta ndiqnin edhe Holanda dhe Danimarka), e pritën me gëzim, herë të maskuar dhe herë të hapur, edhe palaçot e Tiranës. Politikanët kryesorë të opozitës politike që s’kishin lënë gur pa lëvizur deri tani për të krijuar në Evropë imazhin e një Shqipërie në kaos, krizë, destabilitet dhe me një narko-shtet, besuan se iu erdhi dita për revansh politik kundër qeverisë dhe politikanëve evropianë që kishin premtuar hapjen e bisedimeve BE – Shqipëri këtë vit. Si gjithmonë, në krye të ligësisë morale, shoqërore dhe politike do të shfaqej kontribuesi kryesor i parregullsive dhe paudhësive tona politike e demokratike të këtyre tridhjetë viteve, ai, Sali Berisha.

Kur shumica dërmuese e politikës evropiane shprehu neveri dhe zemërim ndaj qëndrimit francez, kur znj. Anxhela Merkel pohoi se “Edhe Shqipëria ka bërë shumë, merrni për shembull çështjen e vetingut…”; kur Departamenti Amerikan i Shtetit tha se “Jemi të zhgënjyer që KE nuk njohu përpjekjet për reforma të forta të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur tani negociatat për anëtarësim…”; kur Kryeministri italian Xhuzepe Konte u shpreh se “Data e djeshme e 2019 do të mbahet mend si datë e një gabimi të rëndë historik dhe për këtë më vjen keq…”; kur politikani i lartë sllovak Eduard Kukan tha se “Jam shumë i neveritur dhe i indinjuar nga pozicioni i Francës..”, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i dërgoi “Një falenderim për Presidentin Makron!”.

Duke qenë adhurues i thënies ” Apres moi le deluge !” ( pas meje u bëftë qameti !, që i atribuohet stërgjyshit të z. Makron, Luigjit të 15-të, palaçoja politik i Shqipërisë do të ishte i lumtur që Shqipëria të përjashtohej edhe nga OKB, nëse kjo gjë do të sillte rikthimin në pushtet të tij ose të veglave qorre që ka lënë në drejtimin e partisë së vet.

Karagjozi politik L. Basha, përveç fajësimit të qeverisë shqiptare për veton franceze, pohoi paturpshëm se kishte bërë çmos për ta bindur Kancelaren gjermane A. Merkel për t’i thënë po Shqipërisë. Ka besuar dhe beson se do na bëjë të harrojmë bredhjet e tij nga Holanda në Gjermani duke pohuar se “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e BE-së për hapjen e negociatave…” dhe, pastaj, në podiumet dhe studiot televizive të Tiranës se “Nuk ka BE me Edi Ramën kryeministër!”.

Nuk ia vlen të citosh edhe figurina të tjera politike opozitare që dërdëllitën pa pushim për fajet e Kryeministrit dhe të askujt tjetër apo çaprashitjet e znj. Kryemadhi se “Përgjegjësi i vetëm për këtë pengesë që i bëhet rrugës evropiane të Shqipërisë është vetëm Edi Rama. Me Ramën, BE është një mision i pamundur dhe një ëndërr e parealizuar për shqiptarët”.

Një ndihmës i kësaj zonje, ashtu si disa të tjerë, me sofizma u përpoqën të na tregonin se edhe po të thoshte Franca “Po!”, ne kishim nëntë kushtet gjermane që e pamundësonin nisjen e negociatave. Në të vërtetë, lidhje me qeverinë dhe përgjegjësitë e saj kanë vetëm dy prej atyre kushteve (forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe reforma administrative) ndërsa reforma zgjedhore konsiderohet bashkëpërgjegjësi e pozitë-opozitës.

Mirëpo, siç pohoi me të drejtë z. Mero Baze, kundërshtuesit e hapjes së negociatave paraqitën lloj-lloj shkaqesh e pretekstesh, por askund dhe asnjëherë nuk e përmenden opozitën politike shqiptare dhe as pretendimet dhe qëndrimet e saj.

Shkurt dhe qartë, ata shprehën pakënaqësi me disa arritje qeverisëse, por lanë të kuptohet se “aleatët” e tyre dhe vazhduesit e misionit evropian të Shqipërisë nuk i shihnin tek opozita e rrugës por, fatkeqësisht apo fatmirësisht, vetëm tek qeverisja aktuale.

Opozita e rrugës, e molotovëve dhe e kaosit, e mungesës së moralit dhe të mendjes, opozita që iu kundërvu me të gjitha mjetet e mundshme reformës në drejtësi dhe që u përpoq të injorojë dhe përqeshë çdo këshillë ndërkombëtare, opozita që quan “bullshit” pohimet e Ministres së Jashtme të BE-së, që pohon se më shumë dëgjon mendimet e elektoratit të Peqinit se porositë e z. Mëthju Palmer apo që shprehet se më rëndësi ka futbollisti shqiptar E. Hysaj dhe gazetarja Eni Vasili se Komisioni i Venecias, nuk mund të konsiderohet as prej shqiptarëve dhe as prej të huajve si e denjë për ta çuar deri në fund misionin evropianizues të vendit.

Qeveria aktuale dhe z. Rama kanë mangësi që kanë qenë objekt i shkrimeve të mia të mëparshme. Mund të kenë arësye të tjera reale për t’u dorëhequr, por moshapja e bisedimeve BE-Shqipëri, kryesisht me veton franceze kundrejt miratimit të 90% të vendeve anëtare të bashkësisë evropiane, nuk përbën kurrfarë shkaku për t’u larguar.

Shqipëria dhe populli shqiptar do të mbijetojnë edhe pas qëndrimit francez ashtu siç kanë mbijetuar, ndonëse të dëmtuar, edhe pas Kongresit të Berlinit, Konferencave të Londrës e Parisit e më tutje e më tëhu. Do të ishte mirë që populli shqiptar dhe qeveritë e tij ta mbajnë shënim edhe këtë datë historike dhe të forcojnë lidhjet e tyre me botën gjemanisht-folëse dhe SHBA-në.

Nuk ka asgjë të keqe që lidhjet dhe marrëdhëniet ekonomike të forcohen edhe me shtete të tillë si Kina, një superfuqi botërore e cila, historikisht ka qënë shumë më dashamirëse dhe ndihmuese për popullin shqiptar se Franca. Siç thotë një fjalë e urtë kineze, “Nuk ka rëndësi ngjyra e maces. E rëndësishme është që ajo gjuan minj”. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për “lutje fetare”, por duan edhe punë, ekonomi e përparim.

Prandaj është mirë që gjashtë ditët e javës të punojmë me të gjithë ata që i kontribuojnë sinqerisht dhe konkretisht zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, ndërsa ditën e shtatë të javës të lutemi pas dyerve të Tempullit të Sektit Politik Makron derisa t’iu mbushet mendja të na hapin derën.

Por, deri atëherë nuk mund të rrimë pa punë dhe pa zhvillim ekonomik sepse tashmë kaloi një brez dhe “lutjet” nuk sjellin as shi dhe as drithë. Gjithashtu, detyrimet morale dhe politike të Qeverisë dhe të krejt popullit për të përmirësuar funksionimin e shtetit dhe hallkave të tjera shoqërore duhen plotësuar dhe përshpejtuar.

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Back to top button