Megjithë barrën e kushteve, Shqipërisë dhe Maqedonisë së V. do t’i hapen negociatat!

Nga Ben Andoni

Ka një ngazëllim të madh në Shqipëri, në një numër jo të vogël, për ngeljen e mundshme të Shqipërisë e Maqedonisë nga hapja e negociatave në mesin e Tetorit. Fakt është që mundësitë negative janë shtuar pas lëvizjes së fundit të Francës për reformimin e BE-së sa i përket zgjerimit, por ndërkohë nga i njëjti vend, shumë organizata të shoqërisë civile po referojnë (por jo 100%) se Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut do t’i hapen negociatat, por kushtet do të jenë gati për zbatim të menjëhershëm dhe me rend matematik.

Loading...

Barra e kushteve të tjera nuk është se nuk njihet në axhendën e qeverisë shqiptare dhe në mëtimet e Opozitës, porse me performancën e saj, qeveria Rama e ka të pamundur të kalojë në një stad tjetër (që do të vijë kaq shpejt-nga kushtet e Bundestag dhe me radhë). Pra, Shqipëria  dhe Maqedonia e Veriut duhet t’u njihen ato që kanë bërë deri më tashmë për t’i inkurajuar dhe kjo është logjika e progresistëve të Zgjerimit. Shqipëria ka filluar një reformë që gati po e fut në kolaps dhe është kthyer në një eksperiment të madh Drejtësie, kurse Maqedonia ka dorëzuar ngrehjen e saj semiotike me Aleksandrin e Madh. Kur ky i fundit ka ulur kokën, atëherë të vjen të mendosh sesa e vështirë është për gjërat e tjera në të dy vendet tona.

Ndërkohë nuk duhet të harrojmë përplasjet e brendshme në BE dhe zëniet që u bënë për zgjedhjet e kandidaturave të dy vendeve kryesore, bash kolonat e BE-së: Gjermanisë dhe Francës, politikën “e re” të Turqisë me kokëçarjet e saj, Demokracitë Liberale të Lindjes që e qesëndisin unionin paq, marrëveshjen e pambyllur me Britaninë për Brexit, Ekstremin e Djathtë me dukjen e fashistëve gjithnjë e më tepër dhe sidomos emigracionin.

Shqipëria, veç Reformës së Drejtësisë nuk ka se çfarë t’i thotë më Evropës, kushti i saj kryesor, ashtu si Maqedonia e Veriut (ndryshuar në thelb) t’i pohojë gjë tjetër. Të dy vendet tona duan që politika e zgjerimit të pranojë rregullat e lojës që ishin në fillim. Dhe, strukturat e Evropës paçka shumë pakënaqësive me shumë gjasë do t’i respektojnë dy vendet tona, të paktën për premtimin. Në rast të kundërt do të humbin shumë sa i përket besueshmërisë së tyre.

Aman, qoftë Rama dhe Zaev nuk duhet të fshihen pas problemeve të Evropës, por të tregojnë se të ndershëm janë me krimin dhe korrupsionin, por edhe me Mea culpën, që nuk e njohin në vendet e tyre me keqësimin e vazhdueshëm ekonomik të qytetarëve të tyre. Tek e fundit, ata janë pasqyra e vendeve tona dhe për fat të keq, deri më tani, kanë qenë pasqyra ku e kemi parë veten të deformuar paq. Gjithsesi edhe aq të deformuar, nëpërkëmbur dhe përfolur, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duhet të gradohen me një shkallë më lart, paçka ngazëllimit të të fortëve të Gruevskit, që i mbytën shqiptarët dhe kakofonisë së zërave kaotikë në Tiranë. Dhe, kjo, ka gjasë të ndodhë në këtë tetor, mbushur me kaq shumë ngjarje. (Javanews)

Loading...
loading...
Back to top button
Close