Nderohet me “Nobel” shkrimtari austriak që përkrahte hapur idenë e Millosheviçit

Çmimet Nobel për Letërsi u shpallën të enjten, vlerësimi më i madh për një shkrimtar, i cili shoqërohet me një dhuratë monetare. Këtë vit, secili prej fituesve mori edhe rreth 830 mijë euro.

Shkrimtarja polake Olga Tokarczuk mori çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2018, pasi ky çmim nuk ishte akorduar vitin e kaluar për shkak të një skandali që përfshinte një prej anëtarëve të akademisë dhe suedeze dhe komitetit që vendos për fituesin e Nobelit në Letërsi.

Loading...

Tokarczuk njihet kryesisht për romanet e saj. Komiteti i çmimeve e vlerësoi 57-vjeçaren për “imagjinatën narrative, e cila me pasion enciklopedik e paraqet kalimin e kufijve si një mënyrë jetese”. Tokarczuk, e lindur në vitin 1962 në Sulechóë, ka punuar më parë si psikologe, më pas iu përkushtua tërësisht shkrimit. Romani i saj i parë “Udhëtimi i bukinistit” u botua në vitin 1993, por ajo u bë e famshme me romanin “Kohë të lashta dhe të tjera”, i cili u botua në vitin 1996. Në këtë libër, Tokarczuk përshkruan jetën e një fshati imagjinar polak në tetë dekada.

Reputacioni ndërkombëtar i Tokarczuk-ut ishte rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në vitin 2018, asaj dhe përkthyesit të saj në anglisht iu akordua çmimi ndërkombëtar “Man Booker International” për romanin “Fluturimet”, i përkthyer në anglisht si  “Flights” .Hera e fundit para kësaj që çmimi Nobel iu dha një shkrimtareje polake, ishte në vitin 1996, kur poetja Wislawa Szymborska u nderua me të.

Për vitin 2019 fitues u shpall austriaku Peter Handke. Akademia e argumentoi dhënien e çmimit për Peter Handken “për një punë me ndikim të madh, që me fantazi të madhe linguistike ka hulumtuar zonat periferike dhe veçantitë e përvojës njerëzore.”

Peter Handke u lind në Kärnten të Austrisë më 6 dhjetor 1942. Para provimit përfundimtar ai i ndërpreu studimet e drejtësisë dhe botoi romanin e tij të parë. Në të njëjtin vit, më 1966, ai vuri në skenë në Frankfurt pjesën teatrale “Sharje për publikun”, ku kritikonte sidomos grupin letrar legjendar të viteve ’60, “47”.  Kjo dramë do t’i dhuronte Handken famë të menjëhershme.

Ndër tekstet e tij më të njohura në prozë janë “Frika e Portierit para penalltisë”, 1970, “Letra e shkurtër për ndarjen e gjatë”, 1972 dhe “Eksperimentet” (mbi lodhjen, jukeboxin dhe ditën me fat).

Peter Handke kishte qenë për vite me radhë në listën e kandidatëve kryesorë për çmimin Nobel. Bashkëkombësja e tij, nobelistja austriake, Elfride Jelinek, ishte e mendimit se ai e meritonte çmimin para se ai t’i jepej asaj, në vitin 2004.

Handke si një nga miqtë e familjes së diktatorit të egër serb, Sllobodan Milosheviç, atë vit do të nënshkruante së bashku me shkrimtarin Robert Dickson një apel për mbrojtjen e Sllobodan Millosheviçit, – asokohe në bankën e të akuzuarve në Hagë, me akuzën për gjenocid dhe krime lufte. Dhe ndoshta ishte ky shkaku, se përse askohe, çmimi i taksur për Austrinë shkoi te shkrimtarja më e re, Elfride Jelinek.

Handke do të vazhdonte të radikalizohej në qëndrimin e tij të pazakontë ndaj luftrave të ish-Jugosllavisë. Kur Milosheviçi ndërroi jetë në vitin 2006, Handke do të mbante edhe fjalimin e varrimit. Në vitin 2008 ai do të deklaronte, se po të ishte serb, do të votonte për partinë ultranacionaliste të Tomislav NIkoliçit. Këto janë vetëm disa nga episodet e çuditshme nga jeta e shkrimtarit austriak, i cili këtë të enjte u çudit shumë kur mori telefonatën nga Stokholmi. / DW

Loading...
loading...
Back to top button
Close