Nga Gjipeja në Santa Quaranta, ku të huajt pushtojnë gjiret në vjeshtë

Nga Edmond Prifti – Nëse nuk keni parë së fundmi foto të pasmesh në “Instagram” nga plazhet shqiptare, nuk do të thotë se ky vend ka veçse tre muaj pushime… Ndryshe nga ana tjetër e bregut, përtej në Korfuz, ku plazhi vijon deri në fund të muajit tetor, në Shqipëri, ende as pronarët e bizneseve e as plazhistët shqiptarë, nuk janë mësuar se pushimet më të bukura, bëhen ngaherë në muajin shtator. Dikur këto gjire shqiptare nga Gjipeja në jug të Sarandës ishin të pushtuara nga ushtria shqiptare, e sot nga të huajt ngado. Rastis, rrallë që disa nga plazhet ende nuk janë zhvirgjëruar nga të huajt me ato hartat e tyre nëpër duar (siç ndodh rëndom që në brigjet e Sarandës ku nuk gjen as iriqë deti, “të zhdukur” nga italianët, për të bërë një miks makaronash) apo duke i parë si backpaker-sa (me çanta e me çadra pas shpine) plazheve të jugut të Shqipërisë. E filluam këtë udhëtim tonin për Gazetën “Si”, nga plazhi apo Gjiri i Gjipesë, një ish-zonë ushtarake e ndaluar dhe panjohur deri në fund të viteve ’90, ku ende kjo zonë nuk njihet plotësisht për shqiptarët, e të huajt sërish janë ata që e njohin mjaft mirë, mbase për shkak edhe të “Kala Festival”, një event i organizuar disa muaj më parë nga anglezët. Përgjatë regjimit komunist, ky vend ishte një nga bazat e rëndësishme të Ushtrisë Popullore Shqiptare, ndërsa sipër te pjesa e manastirit, ishin të stacionuar edhe trupat ruse. Për shkak të pozicionit të fshehur të saj në një distancë nga rruga kryesore e bregut, kjo zonë ngelet e preferuara e të huajve dhe e shumë pak shqiptarëve. Ajo që e bën ndryshe këtë plazh nga gjithë plazhet e tjera të rivierës, është kanioni, madje më i madhi i këtij lloji prej disa kilometrash e që ndodhet kaq pranë detit. Gjatë stinës së dimrit dhe me shkrirjen e borës lart në male, një lumë i vogël derdhet përmes përroit që kalon aty drejt e në detin Jon. Pas një rruge prej afro 25 minutash, arrijmë atje ku një tabelë shkruan Gjipe, ndërsa kishim lënë pas bunkerë të panumërt dhe të huaj kuriozë që donin të fotografonin çdo një prej bunkerëve, madje ndonjë syresh prej tyre të provonte të hynte edhe brenda qendrave të zjarrit (mbase, ideja më e mirë të kthehen në dhoma hotelesh). Befas, na shfaqet pamja e mrekullueshme e gjirit të Gjipesë, e aty poshtë, në atë gji të mrekullueshëm…një numër i pafundmë të huajsh (shumë syresh na kishin përshëndetur gjatë gjithë rrugës në anglisht). Pasi ulemi në lokalin e Baçit, apo Bashkimit, në një çast ndiejmë se “të huajt” ishim veçse ne. Nga të gjitha tavolinat, rreth shtatë prej tyre, veçse tavolina jonë ishte me tre shqiptarë, ndërsa pothuajse 15 të tjerë përreth ishin të huaj, belgë, francezë, gjermanë, por edhe disa goca austriake.

Loading...

Kur i pyet ashtu shkurt sesi ndihen, të kthejnë përgjigje se është një mrekulli Shqipëria, edhe gjatë kohës së mes-shtatorit dhe mendojnë se do rrinë edhe për një apo dy javë në atë vend, aty ku tendat ngjitur me lokalin ofronin një shtrat për 700 lekë (pa mëngjes të përfshirë). Të tre provojmë të marrim gjëra të ndryshme e së bashku një litër verë (800 lekë), të shoqëruara me paidhaqe gici (2×700 lekë) dhe paidhaqe qengji (800 lekë). Por, më tej vera do mbaronte shumë shpejt, para se të merrnim edhe një tjetër litër, e Baçi, pronari na ofron një gjysmë litri rakie “nga poshtë banakut” me 500 lekë (rakia dukej që kishte diçka që nuk shkonte… pasi të ngelej në fyt). Ashtu mes bisedash nga tavolina në tavolinë, njohëm një çift të ardhur nga Gjermania, Emilin dhe të dashurën e tij, që e kishin mësuar këtë vend nga disa miq të tyre gjermanë, ndërsa na thotë se “tashmë në Gjermani është tejet ftohtë, ndërsa këtu bëhet plazh”. Disa belgë, pas ndonjë jave në këtë vend, po mendonin të eksploronin veriun e Shqipërisë, teksa na pyesin për vështirësitë e kalimit të rrugës alpine Valbonë-Theth… Pasi u sistemuam në tendat aty pranë, edhe ne ashtu si shumë turistë të tjerë të huaj, në mëngjes herët shkëlqente sërish dielli e pothuajse 28 gradë. Shumë turistë vinin e të tjerë iknin, që ishin me shumicë në atë gji të bukur, e shqiptarët akoma më shumë në minorancë. Kamerieri, i cili flinte ende poshtë banakut kur ora shënonte 8:00, teksa kundrova gjithçka përreth, bëra foto dhe video… kishte vajtur pothuajse nëntë, kur u dëgjua një zhurmë e hapjes së gojës. Pasi flas pakëz dhe më rrëfen se aty kishte qenë edhe një tip banaku që ishte me muzikë një muaj më parë, – para se të vinte shteti dhe ta prishte – kishte më shumë gjallëri, por tani veçse të huaj dhe për tre muajt e verës ai do duhej të qëndronte aty (por kishin kaluar më shumë se aq). Pasi hëngra mëngjesin me një vezë, një salsiçe e një copë djathtë, kundrejt 500 lekëve… mora dhe një kafe (100 lekë) dhe gjysmë litri ujë (100 lekë). Më tej ngrihemi të gjithë dhe vijojmë rrugëtimin e kthimit, drejt jugut të Shqipërisë…

Gypi apo Gjipe?

Gjipeja gjendet gjeografikisht në fshatin Ilias, në një degëzim të rrugës djathtas (tabela të drejton për në plazhin e Gjipesë dhe Manastirin e Shën Theodhosit) para se të shkoni në Jalë. Saktësisht, plazhi i Gjipesë ndodhet midis Gjirit të Jalës dhe Shpellës së Piratëve. Sipas “Hyllit të dritës”, e gusht-tetorit të vitit 1939, pasi lëmë pas fshatin Ilias apo Illias, një lagje e katundit Vuno, rreth “gjyse oret kftme e i dan vetun prroni i Gjipes, ku “thuhet se i pari që erdhi në këtë vend, e ngriti banimin pikërisht aty, larg zhurmave, ndërsa përmend se fjala Gjipe, rrjedh nga fjala shqipe gyp, pasi gryka e saj ka trajtën e një gypi.

Si shkohet?

Mënyra e parë është të shkoni me makinën tuaj deri në pjesën e sipërme të Gjipesë, aty ku mbaron rruga e asfaltuar (rruga e asfaltuar vijon 3 kilometra nga rruga kryesore, para se të shkoni në Jalë) ndërsa parkoni makinën aty ku një zonjë që iu kërkon 200 lekë për parkimin. Rruga mund të përshkohet edhe me makinë 4×4, por ajo duhet të jetë disi e lartë. Më tej, rrugën duhet ta vijoni në këmbë përgjatë një shtegu të gjatë 1.7 kilometra që të çon drejt plazhit të mrekullueshëm. Vajtja është disi e lehtë pas një zbritje që zgjat pothuajse 25 minuta (gati 400 metra disnivel), ndërsa kthimi në këmbë mund të përshkohet afërsisht në rreth 35-40 minuta. Mos harroni të merrni me vete gjithçka, përfshirë edhe ujin e pijshëm (një shishe ujë në lokalet aty kushton 100 lekë ndërsa një mëngjes 500 lekë) pasi kanioni ka mungesë ujë.

Drejt Santa Quarantës

Pasi bëmë një vizitë të shkurtër dhe pak plazh në Jalë, ku sërish të huajt gjermanë, austriakë dhe hungarezë, kishin mbushur plazhet, u drejtuam për një kafe në Himarë, e më pas për në plazhin e vogël, por të këndshëm të Potamit, ku në të dalë të tij na ndodhi një surprizë e pakëndshme. Para nesh del me nxitim nga një kthesë një makinë zjarrfikëse, ku edhe kuptuam se diçka kishte ndodhur… Zjarri ishte përhapur nga të dy anët e rrugës dhe ishte e pamundur të kaloje.

Makina zjarrfikëse

Ndërsa do ishim bllokuar aty për disa orë, menduam të vizitonim ndërkohë një prej kampingjeve të Himarës, i ndodhur në fund të plazhit të saj (pas limanit)…

Kamping në Himarë

Pasi rruga ishte liruar disa orë më vonë e dukeshin qartazi edhe ullishtat e djegura, shumë pranë shtëpive, shkojmë drejt Sarandës, ku na ndanin veçse 51 kilometra. Ashtu të veshur me rroba banjo, kalojmë nga një plazh në tjetrin, në vende pak të njohura edhe nga vetë shqiptarët (për mua hera e parë tek Pllaka(t) – që nga sa mora vesh, babëzia e pronarëve të tokës aty, u kishte hequr copëza nga ato që dikur sarandiotët i quanin Pllakat, e tashmë ka ngelur veçse një e tillë… Pllaka).

Pllakat

Të nesërmen e ditët në vijim vizituam Plazhin e Parajsës apo të njohur ndryshe si Heaven, Plazhin e Pasqyrave, Plazhin e Manastirit, por edhe Tre Ishujt në Ksamil që gëlonin nga të huajt belg dhe francezë, por edhe ata hungarezë edhe në fund të muajit shtator.

Riviera e Sarandës

Riviera e Sarandës fillon me Gjirin e Kakomesë, “ku sipër saj” do të gjesh fshatrat e Nivicës dhe Shën Vasilit. Këtij të fundit deri kohët e fundit i thoshin Përparim, – një emër që iu vu në kohën e komunizmit për të mos përmendur Shenjtin. E njerëzit u mësuan me këtë emër të ri. Tashmë fshati është rikthyer në origjinë, aty ku edhe takuam Nestin në krye të fshatit, i cili na rrëfeu shumë histori të lashta, bashkë me verën e tij të ëmbël, e po aq me ujin aq të shijshëm. Jo shumë larg nga fshati, ndodhet plazhi i bukur i Krorëzës, e afër tij gjendet një manastir i vjetër kushtuar Shën Mërisë si edhe një shpellë, që mund të përbëjë një atraksion më vete për të pasionuarit mbas speleologjisë.

Pllaka(t)

Pllakat janë monumentet e mrekullueshme të natyrës të ndodhura në Sarandë. Ato gjenden në bregdetin e Sarandës, në veri të kanalit të Çukës, e kanë vlera shkencore dhe turistike; e vetmja e mbetur nga tre të tilla në një gjatësi prej afro 300 metrash është ajo që ndodhet përballë me “Bar Restorant Like”, e po ashtu një tabelë që janë shpallur si monument natyre dhe mbrohen.

Plazhi i Manastirit

Është një nga plazhet e kristalta, e më të bukura të Rivierës Shqiptare. Mban këtë emër nga Manastiri i Shën Gjergjit që ndodhet në kodrën mbi plazh. Teksa jeni duke zbritur kodrën, menjëherë ju shfaqet si ëndërr deti ndjellës. Afër plazhit të Manastirit ndodhet edhe Muri i Demës, – muri mbrojtës i qytetit antik të Butrintit.

Plazhi i Manastirit ndodhet më pak se 8 km larg Sarandës, në rrugën Sarandë – Butrint. Plazhi është i vogël e me ujë të kristaltë. Në këtë plazh ka edhe një bar, ndërkohë që është ndërtuar edhe një kamping me çadra për pushuesit që preferojnë pushime të lira e larg zhurmave të qytetit. Është fiks ashtu siç e ka edhe emrin edhe vetë plazhi. I izoluar në të dyja anët si të ishte dhe plazhi një manastir më vete.

Plazhi i Pasqyrave

Plazhi i Pasqyrave ndodhet midis Sarandës dhe Ksamilit, në kilometrin e 7-të të rrugës Sarandë – Butrint dhe është një pamje e rrallë edhe për ata që e frekuentojnë rivierën rregullisht. Nëse do të kishte një klasifikim zyrtar se cili është plazhi më i bukur i rivierës shqiptare, Plazhi i Pasqyrave, pa dyshim që do të duhej të merrte një nga pozicionet kryesore. Kjo konfirmohet edhe nga qindra vlerësimet që i bëhen online këtij plazhi, si në faqen TripAdvisor, shumica e komentuesve bien dakord, për magjinë e rrallë të këtij vendi. Ngjyra spektakolare e detit duket sikur përputhet me qiellin, në nuancën më të hapur të blusë, ndërsa e bën këtë plazh të rrallë për nga bukuria e pastërtia. Guralecët e bardhë e të vegjël, që përplasen këndshëm me shkumën e detit në breg, i japin një pamje akoma më ekzotike këtij plazhi.

Ksamili dhe tre ishujt

Pak kilometra në jug të Sarandës gjendet fshati i Ksamilit, – një nga surprizat më të mrekullueshme që ofron turizmi shqiptar. Falë detit të kristaltë të ishujve me plazhe mahnitëse që arrihen lehtësisht nga bregu, si dhe afërsisë me Butrintin (pasuri botërore e UNESCO-s), vitet e fundit, ky vend ka tërhequr vëmendjen e plot mediave ndërkombëtare që e kanë vendosur në listat e vendndodhjeve të jugut të Evropës, që nuk duhet ta humbisni. Përgjatë gjithë kohës varkat e vogla ikin e vijnë me plazhistë që zgjedhin për disa orë të pushojnë në ishujt përrallorë që në total janë tre, po ku spikasin edhe ishujt binjakë të Ksamilit.

Tre Ishujt

Këta ishuj quhen kështu, për faktin se janë të lidhur njëri me tjetrin përmes një rripi të ngushtë rëre, që të krijon një ndjesi të papërshkrueshme tek sa gjendesh në pikëtakimin e dy brigjeve të ndryshme detare. Falë qetësisë e bimësisë së dendur të ishujve, edhe pse fare pranë zonave të banuara, të duket sikur je në ndonjë parajsë tropikale prej së cilës nuk do të largohesh. Hotelet, baret dhe restorantet përgjatë gjithë fshatit të Ksamilit ofrojnë shërbime cilësore, e mundësojnë një pushim tejet komod.

Si shkohet me transport publik?

Të gjitha plazhet e mësipërme mund të vizitohen edhe përmes transportit publik. Udhëtimi zgjat rreth 20-25 minuta dhe kushton 100 lekë. Nisja bëhet nga Sheshi “Nënë Tereza” në Sarandë e ndalesat zakonisht bëhen sipas kërkesave të pasagjerëve. Për oraret e kthimit pyesni shoferin apo fatorinon, pasi në periudha të ndryshme të vitit edhe oraret ndryshojnë.

Loading...
loading...
Back to top button
Close