Një ditë përpara raportit, Meta: Zero rëndësi, ‘Venecia’ propagandë!

Teksa nesër pritet që të shpallet vendimi i komisionit, presidenti Meta është shprehur më pak se 24 orë nga kjo vendimarrje i prerë dhe i ashpër ndaj Komisionit të Venecias.

Indiferent, menefregist dhe duke mos i dhënë asnjë rëndësi draft raportit të Komisionit të Venecias, Presidenti u shpreh:

Venecia është propagandë, nëse më bind që kam shkelur kushtetutën do jap dorëheqje, jo vetëm Venecia, Komisioni i Venecias ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. vendimi apo mendimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë me integritetin e Komisionit të Venecias, nuk ka të bëjë me integritetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe ME raportin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Kushtetutën e vendit tim.

Kaq! Në varësi me atë që do të shprehë Komisioni i Venecias unë do të vazhdoj aksionin tim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Parlamentin Europian, sepse do ta çojmë në vend edhe integritetin e Komisionit të Venecias në rast se Komisioni i Venecias cenon integritetin e vet. Del nga kompetencat e veta dhe hyn në lojëra politike për të thelluar një krizë politike në këtë vend.”

I pyetur mbi integritetin e Komisionit të Venecias, Meta foli me të njejtën gjuhë që iu drejtuan në fillim ndërkombëtarët, duke evidentuar se “Venecia” ka shkelur Integritetin

“Do të thotë që Komisioni i Venecias t’i qëndrojë kompetencave të tij lidhur me çështjen e Kushtetutës, lidhur me çështjen e ligjshmërisë. Të mos fusë hundët në kompetencat e OSBE/ODIHR-it, sepse gjykatës ndërkombëtar i zgjedhjeve është OSBE/ODIHR-it. Nuk mund të jetë as Venecia dhe askush tjetër dhe OSBE/ODIHR-i ka pasur këtu një mision me 200 e ca veta për gati 3 muaj përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve dhe ka bërë një raport të qartë dhe përfundimtar, i cili është referenca për gjithçka. Për situatën politike, për krizën, për votimet, për çështjet ligjore të votimeve dhe të kodit zgjedhor, për çështjet e mediave, për gjithçka. Kjo është një histori e mbyllur.

Ata padyshim që i kanë tejkaluar kompetencat, sepse nuk kanë kompetenca ata për të përcaktuar nivelin e sigurisë në Republikën e Shqipërisë, as të sigurisë publike, as të sigurisë kombëtare. Ata nuk janë institucion i specializuar për çështje të sigurisë. Ata janë për çështjen e Kushtetutës dhe për çështjen e ligjit. Dhe te Kushtetuta ata duhet të thonë: Presidenti ka shkelur fjala vjen këtë nen apo ka shkelur këtë ligj, apo ka shkelur këtë afat kushtetues…”

Back to top button