Një surprizë vjeshtore, në këmbët e Tomorit

Nga Dritan Hila

Kisha vendosur t’i mbyllja për këtë vit reportazhet për vendet që ia vlen të vizitohen në Shqipëri. Të paktën në atë të jugut. Por isha nxituar.

Loading...

Këtë fundjavë vendosëm të vinim në Berat. Është vendorigjina e largët e Rudinës dhe kishim dy vjet pa ardhur. Ka një debat të vazhdueshëm mes ne të dyve, pasi unë mbroj Gjirokastrën me argumentin se nëse Berati ka dy lagje, Gjirokastra mbulon shtatë kodra me shtëpi-kështjellë, ndërsa ajo Beratin për finesën dhe pozicionin e tij.

Por ndalesa e parë e jona ishte në një fshat 10 kilometra në drejtim të malësisë së Beratit. Sa kalon qytetin me drejtim Çorovodën, do të marrësh kthesën për në Rroshnik. Është fshati me famë për fiqtë e tij.

Në Instagram kishim parë për një tavernë të quajtur Alpeta dhe vendosëm ta vizitonim.

Rruga ishte një befasi. E asfaltuar gjashte vjet më parë, dredhonte mes fshatrave me shtëpi dykatëshe të zhytura në gjelbërim. Nuk kishte një pëllëmbë tokë të papunuar.

Vreshtat dhe ullishtat vishnin faqet e maleve. Fshatrat ishin të grupuara, çka tregonte që vendasit e ruanin tokën e bukës. Guri i skalitur ishte përdorur jo vetëm në ndërtim shtëpish, por edhe për muret që kufizonin pronat.

Kur arritëm në Rroshnik ndaluam para një klubi guri të kredhur mes pemëve. Pyetëm një djalë që po qëndronte buzë rrugës se cili ishte klubi i Arditit, dhe ai na tha se ishte dora vetë, Arditi, që kishim komunikuar në telefon.

Na ftoi që para se të uleshim në restorant, të vizitonim bujtinën.

Ecëm disa dhjetëra metra dhe përpara nesh u shfaq një pamje kartoline, ku që nga bari e deri te bujtina, ishin kuruar deri në detaj. Ai që na priti ishte xhaxhai i Arditit, Petriti, më i madhi i katër vëllezërve. Ai kishte detyrën e sajdisjes se njerëzve. Jo pa krenari na tregoi që agroturizmi numër një në Shqipëri i certifikuar, ishte ai.

 

Fshati dhe kompleksi Alpeta shtrirë në këmbët e Tomorit, nuk i linte gjë mangët Zvicrës.

Fshati kishte rreth 180 familje. Që nga viti ‘90, vetëm pesë prej tyre ishte larguar, por kishin ardhur të tjera nga qyteti. Nëse na jep leje pyjorja, që nesër do të fillonim shpyllëzimin dhe të mbillnim vreshta dhe ullinj, pasi kërkesa nga tregu për ullinj dhe rrush Rroshniku është e madhe, na tregoi Petriti. Kur u prishën kooperativat dhe të gjithë në Shqipëri prisnin pemët frutore, ne prishëm grurin dhe mbollëm pemë frutore, vazhdon rrëfimi i tij. Dy vjetët e parë ishin të vështirë. Por pastaj shit rrush, fruta, raki e verë në qytet dhe shto vreshtat e frutoret, dhe ja ku jemi, tregon, ndërsa të fut në bodrumet ku depozitat e inoksit mbajnë verën për vjetrim.

LEXO DHE :  Bletëzat rikthehen sërish! Ja ku do ta shihni së shpejti Aulonën dhe Fatmën!

Ndërkohë rrushi i sivjetmë është i mbarë, ndërsa degët e shegëve dhe ftonjve këputen nga superprodhimi. Në një magazinë, që emri magazinë e fyen, pasi ishte e gjitha me gurë të gdhendur, dy kazanë gjigante, po nxirrnin rakinë e re.

Pas pak del plaku i shtëpisë që suksesin më të madh quan se ia doli t’i mbajë bashkë fëmijët, përveç njërit që ka në Angli. Secili ka nga tre fëmijë, djem e vajza, të gjithë punojnë aty. Arditi ishte një prej tyre. Me dëshirën e gjyshit, kishte studiuar për teknolog në Tiranë dhe ishte kthyer të ndihmonte familjen me dijet e fituara.

Ndërkohë turistët e huaj kishin filluar ta zbulonim. Ka mbrëmje kur bëhen bashkë neozelandezë, koreanë dhe gjermanë që pasi pinë raki duan të mësojnë vallet shqiptare, rrëfen Arditi. Sfida jonë është të zgjasim sezonin, thotë Petriti dhe të bëjmë marketingun.

Ky ishte edhe meraku i babait të tyre, i cili më kërkoi të shkruaja për shtëpinë 360-vjeçare që dikur kishte qenë muze i fshatit dhe tani po rrënohej. Sepse Rroshniku ka histori duke filluar nga Qyprillinjtë, familja e vezirëve që sundoi për gati një shekull otomanët, që origjinën e kanë nga ky fshat, e për të ardhur në ditët e sotme.

Rroshniku dhe 15 fshatrat që e rrethojnë kanë mbaruar punë me shtetin.

Kanë rrugë dhe ujë 24 orë. Dhe janë të bindur që e ardhmja e tyre është vetëm turizmi, ndaj gjithë energjia e banoreve është investuar në këtë turizëm.

Kur 15 vjet më parë solla një çift miqsh të mi italianë, mjekë, që të vizitonin Beratin, burri u mrekullua dhe më tha që kjo është një Toskanë shqiptare. Mua më ngjau si një kompliment, pasi veshkat më ishin troshitur nga rruga me gropa dhe qyteti i veshur me pluhur. Por Pino kishte parë me sytë e së ardhmes, pasi ai kishte përjetuar Pulien e tij që dikur, brenda 20 vjetësh, ishte transformuar.

Nuk do të kalojë shumë kohë që ai vend, Rroshniku, të jetë i mbipopulluar nga vizitorët.

Pasi verërat e tyre nuk janë si ato të Toskanës, por mishi i qengjit dhe rakia janë siç vetëm ata që banojnë në këmbët e Tomorit, dinë t’i bëjnë; ndërsa mirësia dhe çiltërsia, si ajo që vetëm shqiptarët (kur janë në orë të mirë) dinë të japin si askush në botë./dritare.net

Loading...
loading...
Back to top button
Close