“Shengeni rajonal”, këto janë disa nga përfitimet për ekonominë shqiptare: 50 mln USD më shumë në vit vetëm për fermerët

Shqipëria përfiton shumë më tepër se Serbia për shkak të bilancit tonë tregtar pozitiv. Shqipëria eksporton në Serbi 315 mln USD mallra, serbët vetëm 159 mln USD

 – Eksportet shqiptare në Serbi për vitin 2018

Loading...

Hekur dhe çelik 103.5 mln USD
Minerale, hidrokarbure 65.6 mln USD

Kripë, sulfur, çimento, material ndërtimi 29.5 mln USD
Zarzavate & Perime 25.2 mln USD

Tekstile 11.2 mln USD
Alumin 9.7 mln USD

Produkte druri, parafabrikate 6.9 mln USD
Fruta dhe shalqi & pjepër 6.2 mln USD

Të tjera Mbi 10 mln USD
Totali 315 mln USD

– Eksportet serbe në Shqipëri për vitin 2018

Drithë 29.9 mln USD
Hekur dhe çelik 15.7 mln USD

Pije freskuese dhe alkoolike 8.8 mln USD
Produkte plastike 8.3 mln USD

Makineri & pjesë këmbimi motorike 7.4 mln USD
Produkte farmaceutike 6.2 mln USD

Të tjera Rreth 25 mln USD
Total 159 mln USD

Ditën e sotme, Kryeministri Rama u takua me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të konkretizuar marrëveshjen e njohur ndryshe si minishengeni rajonal.

Në takimin e Novi Sadit, tre liderat e rajonit u dakordësuan që të eliminojnë të gjithë barrierat që pengojnë shkëmbimin e lirshëm të kapitaleve, mallrave dhe qytetarëve midis tre vendeve tona.

Një marrëveshje e tillë në parim ishte arritur që dy vite më parë, në Samitin e Triestes, pjesë e Procesit të Berlinit dhe pritet që asaj t’i bashkohen edhe tre vendet e tjera që munguan ditën e sotme, Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova.

Por, cilat janë përfitimet konkrete për ekonominë shqiptare?

Një analizë e të dhënave tregtare tregon se përfituesit më të mëdhenj do të jenë pikërisht fermerët shqiptarë, të cilët do të mund të tregtojnë tanimë produktet e tyre në një rajon shumë më të gjerë pa taksa doganore.

Përfitues të tjerë të mëdhenj do të jenë operatorët turistikë, kompanitë që tregtojnë minerale, materiale ndërtimi dhe fasonët.

Shifrat zyrtare tregojnë se në vitin 2018, Shqipëria eksportoi drejt Serbisë në total 315 milionë dollarë mallra.

Pjesën më të madhe e zënë mineralet dhe karburanti, me rreth 170 milionë dollarë eksporte.

Megjithatë, ndërsa edhe këto eksporte do të nxiten nga eliminimi i barrierave doganore, grupet e eksporteve që do të përfitojnë më shumë janë ato lloj produktesh për të cilat konkurrenca është e madhe edhe nga tregje të tjerë. Konkretisht, produktet bujqësore, tekstilet dhe materialet e ndërtimit.

Me fjalë të tjera, nëse Serbia është e detyruar për nevoja të brendshme të blejë hekur, krom, alumin dhe naftë nga Shqipëria, me ose pa taksë, produktet bujqësore ajo mund t’i sigurojë nga shumë shtete të tjera, ndaj eliminimi i tatimit do të nxisë direkt produktet tona.

Në vitin 2018, Shqipëria eksportoi në Serbi 25 milionë dollarë perime dhe zarzavate, si dhe 6.2 milionë dollarë fruta, shalqi dhe pjepër.

Eliminimi i taksës pritet të bëjë shumë më konkurrues për tregun serb produkte tradicionale shqiptare, si domatja, kastraveci, shalqiri, pjepri, portokajtë dhe zarzavatet. Gjithashtu, përfitues të mëdhenj do të jenë edhe eksportuesit e produkteve të detit.

Një vlerësim për impaktin e menjëhershëm është i vështirë të realizohet, por përvoja e vendeve të tjera që janë bërë pjesë e marrëveshjeve të ngjashme (rasti i Polonisë me mollët), tregojnë se në harkun kohor të 5 viteve, volume tregtar mund të dyfishohet.

Kjo do të thotë që në vitet në vazhdim, fermërët shqiptarë mund të përfitojnë deri në 30 milionë dollarë më shumë vetëm nga tregu serb, që është edhe tregu më i madh rajonal. Në të gjithë hapësirën e minishengenit, përfitimi i shtuar në vit do të ishte rreth 50 milionë dollarë.

Duke llogaritur që eksportet bujqësore shqiptare për vitin 2018 ishin rreth 300 milionë USD, bëhet fjalë për një rritje të menjëhershme të eksporteve me rreth 20%.

Në vijim, përfitues të tjerë të mëdhenj do të jenë fasonët, eksportuesit e çimentos dhe materialet e ndërtimit, që gjithashtu gjejnë një konkurrencë të madhe në tregun rajonal.

Të dhënat e mësipërme i referohen vetëm eksporteve shqiptare drejt tregut serb, një treg prej 7 milionë banorësh, por eliminimi i taksave në të gjithë rajonin hap një hapësirë për një treg prej plot 20 milionë banorësh.

Përveç eksportuesve, përfitues të drejtëpërdretë do të jenë edhe operatorët turistikë, të cilët do të përfitojnë nga kostot më të ulta të transportit, që do të bëjnë edhe më tërheqëse ofertën shqiptare për pushuesit nga të gjithë rajoni.

Një vlerësim për përfitimet e turizmit nga kjo marrëveshje është e vështirë të realizohet menjëherë, por pritet që impakti të vërehet duke nisur që nga viti i ardhshëm.

Në fund, por jo për nga rëndësia, pritet që Shengeni rajonal të bëjë shumë më tërheqës vendet tona për investitorët e huaj. Kjo do të thotë që pas rekordit të 1 miliardë dollarëve investime të huaja direkte të regjistruar në vitin 2018, për Shqipërinë të shfaqen në horizont investime të shtuara, që do të kenë një impakt të drejtëpërdrejtë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe punësimin në vend.

Lajmi i fundit i mirë për Shqipërinë është që nga marrëveshje të tilla të tregtisë së lirë, fitojnë gjithmonë më shumë vendet që kanë bilancin më pozitiv tregtar. Në rastin e Serbisë, Shqipëria do të përfitojë dy herë më shumë, duke qenë se vendi ynë tregton në Serbi 315 milionë USD produkte në vit, ndërsa Serbia eksporton në vendin tonë vetëm 159 mln USD në vit.(lexo)

Loading...
loading...
Back to top button
Close