45% e shqiptarëve janë larguar në 7 vitet e fundit, këto janë katër shkaqet kryesore

Eliza Gjediku – 45%  e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria, drejt vendeve fqinje ose të Bashkimit Evropian nga viti 2012 e deri më sot. Më shumë se 1 e treta e popullsisë ose konkretisht 1.44 milionë shqiptarë, nga 3.2 milionë banorë që banonin në Shqipëri, kanë migruar dhe tashmë jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali. Sipas të dhënave të strategjisë për Diasporën, vendet fqinje si Italia dhe Greqia janë destinacionet kryesore ku kanë emigruar shqiptarët.

Duke iu referuar shifrave të “People Movin” në Greqi jetojnë rreth 677 mijë  shqiptarë, ndërsa në Itali 523 mijë shqiptarë. Këto të dhëna janë pasqyruar në projekt-strategjinë e Ministrisë për Diasporën, për strategjinë 2021–2025, e cila është hedhur për konsultim publik pak ditë më parë, dhe synon hartimin e një kuadri ligjor mbrojtës për të bërë të mundur integrimin e diasporës tyre në shoqëri, duke iu garantuar edhe të drejtën e votës.

Në strategji janë listuar edhe faktorët e zhvendosjes së popullsisë në vendet e tjera të rajonit dhe të bashkimit Evropian, siç janë faktorët ekonomik, siguria Publike, Institucionet e Dobëta si dhe Gjakmarrja. Por ajo që konsiderohet shqetësuese është ikja e shtetasve të diplomuar, pasi në fillim të viteve 2000, rreth 60% e të diplomuarve në Perëndim, ose ishin larguar nga vendi, ose nuk ishin kthyer pas diplomimit.

Sipas dokumentit të Ministrisë së Diasporës “humbja” e njerëzve të kualifikuar dhe të arsimuar është shkatërrimtare për zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Mirëpo pavarësisht se largimi i shqiptarëve është një problematikë e madhe të ardhurat nga emigrantët kanë qenë tepër të larta pasi vetëm në vitin 2014 remitancat arritën në shifrën 592 milion euro dhe në vitin 2016 shifrën 616 milion euro.

Strategjia Kombëtare ka për synim fuqizimin e rolit të diasporës në zhvillimin e vendit nëpërmjet pasurisë që ata sjellin, si njohuritë, ekspertiza dhe përvoja. Vlera thelbësore që kërkon të arrijë ky dokument është krijimi i besimit ndërmjet diasporës dhe institucioneve shtetërore të Shqipërisë.

Back to top button