E konfirmon VV: Isa Mustafa do të flas me Albin Kurtin që të bëhet President i Kosovës

Isa Mustafa e ka ndërmend t’i harrojë të gjitha sulmet e Vetëvendosjes dhe që Albin Kurtit t’ia falë postin e Kryeministrit.

Prapa këtij plani fshihet qëllimi personal i tij për t’u bërë President i Kosovës. LDK vjen në rend të dytë. Persikopi sjell prapaskenat e Projektit Presidencial të Mustafës.

Loading...

Isa Mustafa është duke e menduar realizimin e një plani personal, i cili do t’ia mundësonte atij rikthimin në pozita të larta shtetërore.

Ndonëse ende ballafaqohet me vështirësi shëndetësore, ai nuk e ka ndërmend të dorëzohet në angazhimet e tij.

I goditur nga Sindroma Guillain-Barré, në janarin e vitit 2018, një sëmundje kjo që sulmon sistemin nervor periferik dhe për njerëzit në moshë rehabilitimi i plotë është i vështirë, Mustafa vazhdon edhe më tutje ta ketë të kufizuar lëvizjen fizike.

Por, kjo nuk duket të jetë arsye për ta ndalur atë. Shembull për këtë, si një gjë krejt normale në politikë, duket se i shërben Kryetari i Parlamentit Gjerman, Wolfgang Schäuble, i cili ushtron postin e tij duke qenë në karrocë.

Mustafa, siç thonë burime të Periskopit, po e konsideron rizgjedhjen e tij në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të hyrë pastaj në zgjedhjet e jashtëzakonshme me idenë që të bëhet President i Kosovës.

Për ta arritur këtë qëllim, ai po planifikon që postin e Kryeministrit të Kosovës t’ia falë Vetëvendosjes së Albin Kurtit.

Për një koalicion LDK-VV, i cili do të lidhej pas zgjedhjeve, Isa Mustafa i ka dhënë shenjat e qarta me një postim të djeshëm në profilin e tij në Facebook.

“Kosovës, si kurrë më parë, i nevojitet Qeveri e formuar nga partitë e tanishme të opozitës, e drejtuar nga LDK si parti më e madhe në vend”, ka shkruar ai.

Lideri aktual i LDK-së duket se ka vendosur t’i harrojë të gjitha sulmet ndaj tij nga Vetëvendosje, përfshirë gazin lotsjellës, molotovët, vezët, sulmet në veturën dhe në shtëpinë e tij, si dhe dosjet e dorëzuara për të dhe kualifikimet e rënda si “Njeri i Serbisë”.

Ai, po ashtu, ka vendosur t’i lërë mënjanë edhe qëndrimet armiqësore të Albin Kurtit dhe VV-së në relacion me Presidentin Ibrahim Rugova, për të cilat, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kishte thënë se LDK nuk mund t’i harrojë dhe se ato përbëjnë një pengesë për bashkëpunim qeverisës mes këtyre dy partive.

Në muajt e fundit, Isa Mustafa dhe Albin Kurti kanë zhvilluar disa takime, në të cilat ata kanë biseduar për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Opozita ka kohë që flet për ngritjen e një mocioni mosbesimi, por që ende nuk i ka siguruar numrat e nevojshëm për ta çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Negociatat midis Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, thonë burime të sigurta të Periskopit, kanë ngecur në një pikë të nxehtë.

“Mustafa ka propozuar që fillimisht posti i Kryeministrit t’i takojë LDK-së, ndërsa kur të përfundojë mandati i Presidentit, të ndodhë rokada: Mustafa të bëhet President, ndërsa Kurti Kryeministër. Por, kërkesa e Kurtit është që posti i Kryeministrit t’i takojë menjëherë VV-së, ndërsa kur t’i kalojë mandati Presidentit, t’i jepen votat Isa Mustafës për President”, ka thënë për Periskopin një burim i besueshëm.

Aktualisht, sipas këtij burimi, nyja mbetet e lidhur dhe negociatat pritet të vazhdojnë për ta gjetur zgjidhjen.

Derisa një betejë e madhe pritet të zhvillohet për kreun e LDK-së, ndërsa procesi i saj i brendshëm zgjedhor është përshkuar nga tensione që kanë kulmuar edhe me rrahje e hedhje karrigesh, kjo lëvizje e Isa Mustafës që ka për bazë Planin Presidencial ka gjasë ta rrezikojë me themel paqen në LDK.

Brezi i mesëm në LDK duket se nuk e ka ndërmend të pranojë që edhe më tutje të mbetet në margjina, ndërkohë që brezi i ri, në krye me Vjosa Osmanin si më ambiciozen, ngelin tërësisht jashtë lojës.

Të paktën dy figura qendrore të LDK-së, Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, të dy me pretendime për ta drejtuar LDK-në, kanë dalë kundër një koalicioni me Vetëvendosjen.

Haziri, madje, ditë më parë, e ka quajtur subjektin politik të Albin Kurtit “Lëvizje të Kuqe”.

“Lëvizja e kuqe janë të majtë, sepse e dimë çfarë simboli kanë partitë e majta. Vetëvendosja janë forum i marksizëm-leninizmit që kanë dalë nga PDK”, ka thënë ai.

Haziri, po ashtu, kur ka folur për liderin e ri të LDK-së, ka thënë se ai duhet të dalë nga një marrëveshje paraprake brenda strukturave.

Zyrtarë të LDK-së, duke u thirrur në sondazhe të ndryshme, janë shprehur të bindur se kjo parti do të dalë fituese e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat gjithnjë e më shumë po spekulohet se do të mbahen në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm.

Por, sondazhet e realizuara gjatë vitit të fundit kanë treguar për një rënie të vazhdueshme të LDK-së. Deri më tash, thuhet se ajo ka humbur rreth 8 për qind të epërsisë që ka pasur. Aktualisht, sipas matjeve të fundit të opinionit, dallimi i LDK-së me PDK-në është minimal.

Plani i Isa Mustafës për t’ia dhënë VV-së postin e Kryeministrit, ndërkaq, duket se do t’ia vështirësojë edhe më tutje garën elektorale LDK-së.

“Çfarë kuptimi ka që të hyjmë në zgjedhje të dorëzuar, sepse kësisoj fushata realisht do të bëhet për Vetëvendosjen, e jo për LDK-në, dhe rrjedhimisht një pjesë e elektoratit të LDK-së mund të na bojkotojë me votë”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK-së për Periskopin.

Duke e vënë veten në plan të parë, me idenë për t’u zgjedhur vetë President, Isa Mustafa po e vendos kështu LDK-në në rend të dytë, dhe një gjë e tillë lehtësisht mund ta shkaktojë një përçarje serioze të partisë.

Sakrifica të tilla të mëdha, që të fitohen zgjedhjet dhe që të dhurohet posti i Kryeministrit – për ta marrë atë të Presidentit, kishin ndodhur vetëm në kohën e Ibrahim Rugovës dhe vetëm për të, diçka që ishte e kuptueshme në ato rrethana dhe kishte një pajtueshmëri totale brenda strukturave të LDK-së.

Loading...
loading...
Back to top button
Close