Qytetarët pro që mbajtja e maskës të bëhet e detyrueshme, mjeku Pipero: Mbron 95% nga Covid-19

Debati për mbajtjen e maskës në mjedise publike kur nuk është e mundur distancimi fizik është rikthyer në këtë situatë ku shifrat e të infektuarve me Covid-19 janë shtuar për shkak të kthimit në normalitet të jetës së qytetarëve.

Por a në mbron realisht maska nga virusi SARS-CoV-2. Mjeku Pëllumb Pipero tha me siguri të plotë se maska mbron në masën 95%. I ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Channel, mjeku u shpreh se “duhet mbajtur kudo në mjediset publike”.

“Madje nuk është e tepërt mbajtja e saj edhe në rrugë. Them me siguri të plotë se vendosja e maskës, qoftë dhe një maskë e thjeshtë kirurgjikale na mbron deri në 95% dhe kjo është mbrojtje optimale sepse nuk ka mbrojtje 100% nga asnjë lloj maske. Por duke pasur në konsideratë se ky është një virus që përhapet përmes spërklave të pështymës, maska na mbron ne dhe të tjerët. Ndërsa përsa i përket maskave artizanale na mbron deri në 60-70%. Maska është mbrojtja më efikase derisa ne nuk kemi asnjë armë tjetër në dorë më të mirë që na mbron. Distanca është relative, maska është absolute e sigurt”- tha Pipero.

Ndërkohë i pyetur nëse është e nevojshme që maska të mbahet edhe në plazh ai shpjegoi: “Unë jam kundër mbajtjes së maskës në plazh. Është e dokumentuar dhe e studiuar që ky virus nuk transmetohet përmes ujit, në det, në buzë të detit etj. Është e rëndësishme që qytetarët të bëjnë pushime të bëjnë plazh, sepse në këtë situatë ecja, noti, dielli plazhi, ajri i pastër janë po aq të rëndësishme për të rritur imunitetin. Ua rekomandoj të shkojnë por të ruhen nga lokalet e natës dhe grumbullimet. Nëse je në një vend ku ka grumbullime jashtë rrethit familjar atëherë vendoseni maskën”- tha ai.

Ndërkohë nga ana tjetër, Komiteti Teknik AntiCOVID, pritet që ta bëjë të detyrueshme vendosjen e maskës për të gjithë në mjedise publike apo të mbyllura ku ka shumë njerëz, madje të sanksionohet edhe dënimi me gjobë për mosrespektim të këtij vendimi.

Si pasojë “Wake Up” bëri një sondazh në rrjetin social “Facebook” dhe “Instagram”, ku pyeste njerëzit: “A duhet të bëhet e detyrueshme mbajtja e maskës? A jeni dakord që të vendosen gjoba për shkelësit?”.

Nga sondazhi rezultoi se 72% e qytetarëve ishin dakord përkundrejt 28% që ishin kundër. Gjithashtu, Federata e Mjekëve Shqiptarë për Evropën ka kërkuar mes të tjerash qeverisë shqiptare që ka ardhur momenti që duhet bërë e detyrueshme mbajtja e maskës.

Shumë vende të botës e kanë bërë tashmë qysh prej muajit prill detyrim mbajtjen e maskës, madje mosrespektimi i kësaj mase dënohet edhe me gjobë, si rasti i fqinjës, Maqedonisë së Veriut. Por ishin vendet aziatike të parat që e bënë të detyrueshme vendosjen e maskës, ndërkohë që  Izraeli dhe Republika Çeke u bënë vendet e para Evropiane që e bënë të detyrueshme përdorimin e maskave nga qytetarët e tyre.

Sot, pothuajse çdo vend rekomandon (jo detyron) që qytetarët e vet të përdorin maska në përpjekje për të parandaluar përhapjen e SARS-CoV-2. Ndërkohë që vetë OBSH udhëzon që maska të bëhet e  detyrueshme vetëm atëherë kur distancimi fizik është i pamundur.

Back to top button